Viti 2013: ekonomia pa kursim

2013 mund të bëhet edhe një tjetër vit i mundësive të pashfrytëzuara dhe lojërave të humbura. Mosmarrëveshjet e debatet e specialistëve në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore dhe diskutimi i kësaj çështjeje prej politikanëve vërtiten rreth një problemi të vetëm: në çfarë të kursehet? Viti 2012 tregoi se autoritetet janë të gatshme të kursejnë mjetet financiare në kurriz të interesave të popullsisë.
Evropa ka reduktuar në mënyrë aktive buxhetin për nevojat e shërbimet sociale dhe qindra e mijëra evropianë kanë reaguar ndaj këtij hapi me demonstrata e protesta. Si fundim fitorja mbi deficitin buxhetor nuk u arrit që nuk u arrit dot. Arsyeja e kësaj disfate doli fare e thjeshtë. Siç rezultoi, duhet të kursejnë të gjithë. Sot ka ardhur koha edhe për zyrtarët evropianë që të shtrëngojnë mirë rripat. Ka shumë gjasa, se herët a vonë, kjo do të ndodhë. Një parashikim të tillë bën analisti rus për tregjet financiare Igor Nikollajev.
– Kursimi është plotësisht i mundur dhe i nevojshëm. Në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Evropën, shpenzimet për mbajtjen e aparatit burokratik janë vazhdimisht në rritje, por është mjaft e mundshme të kursehet me anë të shkurtimit të burokratëve. Megjithëse procesi i harmonizimit të vendimeve përkatëse zvarriset dhe gjithmonë kalon me shumë vështirësi. Por vendimi u morr megjithatë. Njerëzit atje janë të disiplinuar dhe ai do të përmbushet medoemos.

Ndërkohë, duhet thënë, se edhe kjo disiplinë nuk ka gjasa të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës. Sepse do të jetë ku e ku më e vështirë të sillen të ardhurat (prosperiteti) e të gjithë banorëve të Evropës në një nivel të njëjtë mesatar, thotë ekonomistja ruse Natalia Orllova:

– Interesat e vendeve kreditore, veçanërisht të Gjermanisë, konsistojnë në garantimin e mbrojtjes maksimale për qytetarët e tyre, me qëllim që ata të mos preken nga inflacioni, të mos humbasin kursimet e tyre. Faktikisht fjalë bëhet për sjelljen e standardit të jetesës së të gjitha vendeve të BE-së në një emërues të përbashkët. Për shtetet e Evropës veriore, ka shumë mundësi, që kjo do të jetë e mbarsur me njëfarë ulje të standardit të jetesës, kurse për vendet e Europës Jugore ai duhet të rritet.

Për SHBA-në problemi i kursimit konsiston në një aspekt disi tjetër. Mbi borxhin në rritje të Amerikës sot flasin të gjithë. Megjithatë kjo çështje ka nuancat e veta. Që nga fillimi i krizës së vitit 2008 sektori privat ka arritur të kursejë mirë – kompanitë i reduktuan borxhet e veta me 67%. Por ekziston gjithashtu edhe sektori shtetëror (publik), pikërisht në të për të njëjtën periudhë kohore borxhet u rritën me më shumë se gjysmën e tyre.

Sot Amerika gënjen vetveten, mendon Igor Nikollajev.

– Ekziston iluzioni se pompimi i ekonomisë me para është ilaçi gjithshërues (panacea) nga inflacioni: o burra të përmbytim tregun me të holla, të fryjmë vlerën e aktiveve me qëllim që të inkurajojmë, të nxisim në këtë mënyrë rritjen e aktivitetit sipërmarrës. Në Amerikë vazhdon të ruhet besimi se një shtypje e tillë parash ndihmon për kapërcimin e vështirësive. Amerikanët nuk kanë arritur ende në përfundimin se ka ardhur koha për ta që të bëhen të vetëdijshëm se duhet të shtrëngojnë dorën në shpenzimet e tyre. Tani për tani kursimi në shkallë të gjerë nuk vihet re në këtë vend.

Kështu pra, mund të arrihet në përfundimin se gjendja e tanishme e gjërave i kënaq plotësisht autoritetet në të dyja anët e oqeanit.

Artikulli paraprakNë vitin 2013 çmimet e naftës mund të ngrihen në stratosferë
Artikulli vijuesViti 2013: ekonomia pa kursim