Shumë beteja në fushën e gjelbër, skuadrat e Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Fenerbahçes, madje edhe reprezentacionit të Jugosllavisë së dikurshme i kanë fituar me golat dhe lojërat e shkëlqyeshme të “9-shit” të famshëm, Fadil Vokrrit.
Gjatë viteve 1990-92, ai luajti në Turqi, për njërën nga skuadrat më të mëdha turke, Fenerbahçen, ku punoi nën udhëheqjen e trajnerit të famshëm holandez, Guus Hiddink, trajnerit aktual të Chelsea-t. Gjatë asaj periudhe, Vokrri luajti së bashku me legjendat e futbollit turk si kapiteni Oguz, Ridvan, Tanju, Mujdat, Turhan dhe portieri Engin, duke shënuar 13 gola në 43 ndeshje.
Pas largimit nga Feneri, ai luajti në Francë në skuadrat Bourge dhe Montluçon, një qytezë në Francën qendrore pranë lumit Cher, ku sot e kësaj dite, një pjesë e familjes së tij jeton. Në Montluçon, pasi u përshëndet nga futbolli aktiv, Vokrri tregon se në fillim ishte trajner edhe lojtar, për një periudhë një vjeçare, pastaj edhe drejtor gjeneral i klubit për 5 vite dhe në fund, sërish trajner për 3 vite rresht.
Në vitin 2003, pas përfundimit të luftës në Kosovë, vendosi të kthehet në Prishtinë, në klubin me të cilin u rrit si futbollist dhe me të cilin arritën sukseset më të mëdha të futbollit kosovar. Së bashku me shokët e tij të dikurshëm të skuadrës, tash si drejtori klubit, Vokrri ndihmoi klubin e tij që të nis zhvillimin e duhur, pas izolimit shumë vjeçar të futbollit kosovar.
Ndërkohë, me insistimin e njerëzve të futbollit kosovar, në vitin 2008 u kandidua për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Saktësisht më 16 shkurt 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Vokrrit i jepet përgjegjësia që ta udhëheq Futbollin e Kosovës, detyrë kjo të cilën e bën edhe sot e kësaj dite.
– Çastet e paharruara: golat kundër Guimaraes dhe Galatasaray-it
Tash 56 vjeçar, “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe aktualisht kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës po e lufton njërën nga betejat më të rëndësishme në jetën e tij- pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Një ditë para mbajtjes së Kongresit të UEFA-s në Budapest ku do të shqyrtohet pranimi i Kosovës në familjen evropiane të futbollit, Vokrri për Anadolu Agency (AA) tha se vitet e kaluara në Stamboll, në fanellën “verdh e kaltër e mbylltë” ishin të paharrueshme, duke krijuar miqësi që sot e kësaj dite vazhdojnë, ndërsa Fenerbahçen e konsideron si një ndër institucionet më të mëdha të futbollit evropian.
“Mund t’iu them se Fenerbahçe është një ndër 5-6 klubet më të mëdha evropiane. Këtë e them me plotë përgjegjësi, sepse deri sa nuk e vesh fanellën e Fenerbahçes, nuk je i vetëdijshëm për këtë fakt”.
Duke kujtuar me mall kohën kur së bashku me Oguzin, Ridvanin, Tanjun dhe Aykutin ishin “ëndërr tmerri” për mbrojtjet kundërshtare, Fadil Vokrri thotë se çdo ditë dhe çast i kaluar në Stamboll ishte i veçantë, por më së shumti i kujton dy momente, si të veçanta.
Ngjarja e parë ishte periudha kur ekipi po kalonte në një krizë dhe pas marrjes së drejtimit nga Hiddink, sukseset nuk ishin ato të priturat. Mirëpo çdo gjë ndryshoi me një fitore të madhe në kupat evropiane, në kohën kur ekipet turke në Evropë fitonin shumë pak ndeshje, sidomos si mysafirë.
Në edicionin 1990/91 të Kupës UEFA, Vokrri kishte shënuar golin e parë në fitoren prej 3:0 të Fenerbahçes kundër Guimaraesit, në Stamboll. Por, kjo nuk ishte e tëra sepse në ndeshjen e kthimit në Afonso Henriques, në Portugali, Vokrri përsëri bombardoi i pari për 0:1, në minutën e 6-të. Pasuan edhe dy gola të shpejtë të Mujdatit (min.10) dhe Aykutit (25), duke e deklasuar kështu skuadrën portugeze në fillim të duelit i cili në fund përfundoi me fitore të Fenerit, 2:3.
“Mendoj që një ndeshje të cilën e kemi fituar një ekip si Guimaraes në Portugali ku, atëherë ka qenë skuadër shumë e fortë se që është tani. Goli më i dashur i imi, njëri nga ta është pikërisht kundër Guimaraesit, në ndeshjen e zhvilluar në Portugali kur kemi shënuar fitore të jashtëzakonshme që ende mbahet në mend, pastaj e kam edhe një ndeshje me Galatasaray-in, në fillim, porsa kisha arritur.
Ka qenë një ndeshje e Fituesit të Kupave të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Turqisë, që zhvillohet në fillim të çdo sezoni. Aty ka qenë një debutim i imi. Ai gol më ka mbetur në mendimet e mia” rikujton edhe momentin e dytë të paharrueshëm për të, gjatë kohës kur luajti në Fenerbahçe, sepse siç theksoi Vokrri, derbit me Galatasarajin kanë qenë diçka e jashtëzakonshme, një rivalitet i përbetuar gjatë 90 minutave në fushë, ndeshje që çdo herë kanë sjell spektakël.
Natyrisht, dikur idoli i miliona tifozëve të Fenerit, nuk e harron kurrë publikun e shkëlqyeshëm për të cilin thotë se mund të shihet, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.
– Vokrri: Futbolli turk sot është i nivelit më të lartë evropian dhe botëror
Edhe pse gati një çerek shekulli nuk jeton në Turqi, Vokrri e përcjell dhe interesohet për futbollin turk sikurse për atë kosovar. Ai thekson se e ka përcjell futbollin e Turqisë nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit, edhe para se të bëhej anëtar i Fenerbahçes dhe zhvillimi në këto 30 vitet e fundit është gjigant, duke filluar nga infrastruktura, pastaj kualiteti i trajnerëve dhe sot loja e luajtur.
“Ka pasur stadiume dhe një infrastrukturë më të dobët se sa e kemi ne sot, fusha pa bari, fusha me rërë. Pastaj, në periudhën kur unë kam qenë si futbollist atje, ka filluar investimi i jashtëzakonshëm i futbollit turk nëpër stadiume dhe tash mos të flasim. Sot, një pjesë e madhe e stadiumeve dhe vendeve në Turqi janë me një infrastrukturë të jashtëzakonshme”, kujton Vokrri kohën kur ka filluar renesanca e futbollit në Turqi, duke vlerësuar se sot, pothuaj gjitha skuadrat e Superligës turke, jo vetëm skuadrat kryesore, kanë infrastrukturë për të cilën mund t’ia kenë lakmi shumë klube evropiane që janë ndoshta më me nam dhe me emër, se sa disa klube në Turqi.
Ndikim tjetër të madh, sipas tij, kanë pasur trajnerët e huaj kualitativ që me dekada kanë punuar në Turqi dhe nga ta kanë mësuar trajnerët turk, ku sot ka të tillë që janë të klasit botëror, sikurse Fatih Terimi.
“Kur ka filluar në vitin 90-92, sigurisht që futbolli turk filloi të angazhojë trajnerë të mëdhenj si Jupp Derval, më herët, pastaj shumë trajnerë të mëdhenj si Sepp Piontek, e shumë emra tjerë që përgatiten gjenerata të reja, ndërsa sot e kanë një Fatih Terim, një seleksionues dhe personalitet i cili nuk i lëshon rrugën as këtyre emrave që i përmenda”, thotë Vokrri.
Sa i përket kualitetit të Superligës turke në krahasim me ligat tjera evropiane, ish sulmuesi i Fenerbahçes thotë se ajo është bërë tejet interesante dhe e niveluar, sepse ka shumë skuadra tjera që, me punë, kanë arritur ta thyejnë dominimin tradicional të treshes së Stambollit, Fenerbahçe-Galatasaray-Beshiktash dhe Trabzonsporit.
Ai përmend Bursasporin që u bë kampion para disa vitesh, kurse tash në pjesën e sipërme të tabelës janë skuadrat si Istanbul Bashakshehir, Osmanlispor, Akhisari apo edhe Kasimpsasha, një ekip tjetër i Stambollit që ka përjetuar zhvillim të madh.
“Superliga e Turqisë është mjaft konstante dhe kur e shikon sot se ku gjendet një ndër klubet më të mëdha, Galatasarayi dhe ku Konyaspor është një skuadër e cila konstant është duke u ngritur në nivelin më të lartë të klubeve më të mëdha, dhe unë kam kënaqësinë sepse një koleg i imi, Aykuti e udhëheqë dhe ka arritur suksese së bashku edhe me kolegun tjetër Omeroviq, që ka luajtur me mua në Partizanin e Beogradit dhe është trajner i portierëve”.
Lidhur me betejën aktuale për titullin e kampionit, ndërmjet Beshikashit që është lider aktual dhe Fenerbahçes e cila e ndjek, Vokrri mendon se Beshiktashi ka një përparësi të lehtë por duke pasur parasysh se ende janë 6 javë deri në fund të kampionatit, beson në rikthimin e skuadrës së tij në maje të tabelës.
“Për mua është vështirë të them në situatën aktuale sepse, unë si një Fenerbahçeli e kam vështirë të them se bëhet Beshiktashi, mirëpo Beshiktashi i ka disa përparësi por unë shpresoj që ende nuk është kryer asgjë dhe do ta rezervoj parashikimin tim sa i përket këtij dueli që është duke u zhvilluar në distancë”.
– Futbolli turk dhe Erzik kanë bërë shumë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA
Që nga viti 1991 dhe shpërbërja e shtetit të dikurshëm të Jugosllavisë, Kosova ka mbetur shteti i vetëm që nuk e ka të pranuar futbollin e saj në familjen evropiane dhe botërore. Siç tham në fillim, një prej betejave kryesore në karrierën e Vokrrit ka hyrë në fazën finale dhe Kosova është në prag të pranimit në UEFA dhe FIFA.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori vendim që aplikimi ynë të dërgohet për votim në kongresin e ardhshëm të rregullt. Por, pas zhvillimeve të fundit dhe aferave korruptive që shpërthyen në UEFA dhe FIFA, Kongresi i paraparë për muajin mars është shtyrë për 3 maj dhe tashmë është konfirmuar se do të mbahet në Budapest, rendi i ditës është definuar dhe temë qendrore e këtij kongresi do të jetë kërkesa dhe aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për pranim”, thotë Vokrri.
Sipas tij, me pranimin eventual të Kosovës në UEFA, pas 10 ditëve, do të diskutohet edhe për pranimin në FIFA sepse Komiteti i Ekzekutiv i kësaj organizate ka vendosur që “çështjen e Kosovës” ta fus në rend të ditës të Kongresit të radhës që mbahet më 13 maj. Për këtë, merita të mëdha ka Shenes Erziku, nënkryetari i UEFA-s dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.
“Me këtë rast, përmes Anadolu Agency unë do të shfrytëzoja rastin ta përshëndes zotërinë Shenes Erzik, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Asociacioneve të FIFA-s dhe ishte shumë pro shqyrtimit urgjent të rastit të Kosovës, sepse FIFA është normale që e pret një vendim nga UEFA dhe për atë, e kanë bërë me kusht që nëse pranohemi në UEFA dhe do të ftohemi dhe do të jemi pjesë e Kongresit të FIFA-s i cili mbahet më 13 maj, në Meksiko. Këtu ka luajtur rol kyç, zotëriu Erzik, të cilin e falënderoj nga zemra”, tha Vokrri.
Për më tepër, kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës thekson se, TFF-në gjithmonë e ka llogaritur si një ndër federatat mike më të mëdha dhe kjo është konfirmuar në çdo takim, gjatë vizitës në Turqi, në Maltë dhe së fundmi, gjatë zgjedhjes së presidentit të FIFA-s në Cyrih.
“Kemi raporte të jashtëzakonshme, nuk do të thosha vetëm miqësore apo fqinjësore, ato janë përtej miqësisë , sepse na lidh edhe një histori e mëhershme. Në çdo aspekt, ata kanë qenë pranë nesh dhe i falënderoj dhe asnjëherë, në asnjë moment nuk kanë hezituar të na ndihmojnë”, thotë Vokrri , duke përmendur edhe rastin kur pa asnjë kërkesë dhe asnjë kusht, kombëtarja e Turqisë kishte ardhur për ta zhvilluar ndeshjen miqësore në Kosovë, në fillim të fushatës për eliminatoret e Evropianit “Franca 2016”.
– Pranimi eventual në UEFA dhe FIFA është fillimi dhe jo fundi i punës
Pranimin eventual në UEFA dhe FIFA, Fadil Vokrri e cilëson si një arritje historike të të gjitha brezave dhe gjeneratave që kanë punuar për futbollin kosovar. Ish sulmuesi i Fenerbahçes e konsideron këtë si hapje të një faqeje të re dhe assesi fundin e misionit të njerëzve që punojnë në futbollin kosovar, sepse puna më e madhe pason.
“Fokusi im, pas kongreseve të 3 dhe 13 majit, nëse i përfundojmë me sukses këto dy ngjarje të jashtëzakonshme, sigurisht se fokusi numër një do të jetë zhvillimi i kategorive të reja. Federata duhet të bëjë një plan dhe program me të cilin do të motivojë punën më të madhe nëpër klube dhe t’iu bëjë infrastrukturën. FFK nuk bën stadiume por me ndihma që do t’i ketë nga UEFA, FIFA dhe shteti i Kosovës, do të ulemi së bashku që, sidomos në planin infrastrukturor të bëjmë një zgjidhje më të qëndrueshme për të gjitha këto kategori të reja që i kemi nëpër klube dhe Kosovë”, thotë Fadil Vokrri.
Ai thekson se kosovarët si një popull sportiv dhe sidomos një popull futbolldashës, meritojnë një infrastrukturë shumë më të mirë se sa ekziston aktualisht. Sa për zhvillimin e futbollit kosovar, ai mendon se do të ishte mirë të merret mësim nga zhvillimi i futbollit turk që arriti majat e futbollit evropian dhe botëror.