Vrasja e Smilkovcit, dëshmitarët nuk njohin të akuzuarit

Dy dëshmitarë të paraqitur për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit sot para gjykatës theksuan se nuk njohin të akuzuarit.

Avokati mbrojtës i të akuzuarëve, Naser Raufi deklaroi se kjo është një moment i ri për hetuesinë dhe për akuzën e ngritur nga ana e prokurorisë. Avokati Raufi ka shprehur dyshimet që në fillim të procesit për mungesë faktesh dhe për proces të montuar.

Në gjykatë sot ka vazhduar dëgjimi i tre dëshmitarëve lidhur me rastin e vrasjes së pesëfisht që ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin Smilkovc në periferi të Shkupit, ku u vranë katër të rinj dhe një peshkatarë maqedonas. Hetuesia maqedonase ka ngritur akuzën kundër gjashtë shqiptarëve, dy prej të cilëve akuzohen si ekzekutues të vrasjes.

Dy dëshmitarët kanë theksuar se derisa po peshkonin rreth orës 16,00 kanë mbërritur katër të rinjë maqedonas me makinën e tyre me ngjyrë të bardhë, të cilët i kishin kërkuar bukë dhe krimba. “Duke rënë terri ne dhe dy shokë kemi ikur drejt shtëpisë. Para se të dalim në rrugë, para nesh ka dal një burrë me pushkë në dorë. Ai pasi që na ka pyetur se si quhemi na ka thënë të ikim ose do të ju vras”, kanë rrëfyer dëshmitarët, duke shtuar se pas disa çasteve kishin dëgjuar breshërit e armëve. Për një orë e gjysmë ata kanë thënë se ishin fshehur në afërsi të liqenit, ndërsa më pas kishin ikur në shtëpi. Ata kanë thënë se duke ikur në shtëpi kanë parë kufomat e viktimave, dhe një makinë tjetër me ngjyrë të përhimtë. Gjykata pyeti dëshmitarët se a i njohin të akuzuarit dhe se a ka qenë ndonjë prej tyre me pushkën në dorë në natën e vrasjes, dëshmitarët janë përgjigjur negativisht me “jo”. Dëshmitarët nuk kanë pasur njohuri edhe për makinën e tipit “Opoel Omega”, e cila është në aktakuzë dhe figuron si makinë e vrasësve.

“Me rëndësi për ne është se dëshmitarët u ballafaquan me të akuzuarit dhe nuk i njohën. Gjithashtu ata kanë dëshmuar se personi me pushkë që i kishte prerë rrugën dy dëshmitarëve është paraqitur si polic”, deklaroi avokati Naser Raufi. Pas pauzës do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të tretë. Dëshmitë e tre dëshmitarëve janë vendimtare për këtë proces dhe se ato tashmë janë në kundërshtim me aktakuzën e përpiluar nga prokuroria. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakÇfarë u bisedua në takimin e fundit Thaçi- Daçiq
Artikulli vijuesTri shpërthime në Prishtinë, një në Mitrovicë – VIDEO