Vrasjet në Kosovë po shndërrohen në një fenomen në rritje. Gjatë këtij viti, sipas statistikave zyrtare, janë shënuar 23 vrasje.
Për të njëjtën periudhë, vitin e kaluar ishin shënuar 11 vrasje. Këto të dhëna, sipas autoriteteve të rendit, dëshmojnë se numri i vrasjeve nga viti në vit është në rritje.
Ndërsa, gjatë pasluftës, ku përfshihen periudha nga qershori i vitit 1999 e deri më 2014, statistikat e Policisë së Kosovës flasin për rreth 1500 vrasje me motive të ndryshme.
Si një fenomen në rritje dhe mjaft shqetësues, vrasjet në Kosovë janë temë e rubrikës së përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë.
Nisur nga statistikat dhe rastet e fundit të vrasjeve, ish-deputeti Burim Ramadani, njohës i fushës së sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë tre faktorë themelorë që kanë ndikuar në trendin e rritjes së vrasjeve dhe përkeqësimit të sigurisë publike.
“Prania e madhe e armëve ilegale në duart e qytetarëve, në njërën anë, dhe mungesa e një programi gjithëpërfshirës politik e shoqëror të qeverisë për të larguar ndjenjën dhe kërkesën e qytetarëve për armët ilegale, përbën një prej elementeve”.
“Gjithashtu, neglizhenca e institucioneve të sigurisë, atyre të hetuesisë dhe të drejtësisë, si dhe e treta, mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin politik në Kosovë, e sidomos në atë të drejtësisë. Ekziston edhe më tutje ndjenja te qytetarët që më lehtë mund t’i qërojnë hesapet personalisht, sesa të shkojnë përmes institucioneve të drejtësisë”, thotë Ramadani.
Ai vlerëson se edhe gjendja e tensionuar mund të ketë ndikim në shtimin e rasteve që si pasojë kanë vrasjet.
“Në gjithë këtë situatë, gjendja e tashmë shumë e tensionuar dhe që po e sfidon sigurinë në Kosovë, si numri i rritjes së aksidenteve, me numër të madh të plaçkitjeve, qoftë në prona, shtëpi , banka, ka ndikuar në rritjen e frustrimeve të përgjithshme të qytetarëve, gjë që ndikon edhe në rritjen e numrit të vrasjeve”, shton ai.
Një fenomen i tillë, është ngritur si shqetësim edhe në debatet e disa deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Armët pa leje, në vazhdimësi janë potencuar si rrezik i përhershëm për sigurinë e qytetarëve. Vetëm gjatë këtij viti janë konfiskuar 682 armë pa leje.
Një përgjigje ndaj këtyre shqetësimeve, kishte ofruar ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni. Ai ka folur për atë se çka ka ndërmarrë Qeveria lidhur me numrin e madh të armëve pa leje, të cilat ndodhen në duart e qytetarëve, si një prej faktorëve që ndikon në rritjen e numrit të vrasjeve.
“Me mbështetjen shumë gjeneroze edhe të institucioneve ndërkombëtare, të UNDP-së mbi të gjitha, por edhe të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne jemi aktualisht duke zhvilluar një varg fushatash, në fushën e kontrollit të armatimit pa leje, qoftë përmes vetëdijesimit, aksioneve, sepse armët e konfiskuara në masën më të madhe shkatërrohen ose vihen në kontroll ligjërisht”.
“Fushatat nuk mungojnë, janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë edhe më tutje. Vrasjet e fundit të qytetarëve, si gjithmonë, janë shqetësuese dhe duhet të japin alarm për institucionet e sigurisë. Kjo nuk do të thotë që Policia e Kosovës nuk është duke e bërë punën e vet ditore, sepse armët pa leje janë shqetësim parësor i Policisë së Kosovës”, kishte deklaruar Hyseni.
Mungesa e zbatimit të ligjit, nga sociologët shihet si një prej faktorëve që ndikon edhe në rritjen e dukurive negative në shoqëri, ku bëjnë pjesë vrasjet,pavarësisht motiveve që kryhen.
Sociologu Besnik Peci mendon se në përgjithësi ka një devalvim të vlerave në shoqëri, andaj edhe në situata të tilla, shtohet numri i dukurive negative.
‘’Perspektiva ime për vrasjet në Kosovë i takon asaj që në vend është instaluar njëfarë anomalie e vlerave dhe standardeve. Njerëzit nuk po dinë më se çka të respektojnë. Jemi të bombarduar prej devalvimit të vlerave dhe mungesës së implementimit të ligjit”, vlerëson Peci.
Në këtë kontekst, sipas tij, fajtorët nuk e marrin dënimin e merituar. Kurse, te populli, vijon Peci, po shfaqet bindja se pavarësisht nëse vepron në mënyrë devijuese apo të drejtë, sërish mbetesh si pjesë e fajit.
Një perceptim i tillë, sipas tij, edhe përbën një prej faktorëve që po ndodhin kaq shumë vrasje. Ndërkaq, në elementet tjera, ai përmend edhe gjendjen sociale të popullatës.
“Papunësia, varfëria mund të ndikojnë. Gjithashtu edhe mungesa e vendeve rekreative që të kalohet koha e lirë, por mendoj se kryesorja është se njerëzit po e shkelin ligjin, kanë afera të ndryshme dhe këto sjellje po i bëjnë model për shoqërinë”, thekson Peci.
Ndërkaq, nga Zyra e informimit në Policinë e Kosovës, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thuhet se “Policia e Kosovës, të gjitha rastet, duke përfshirë edhe vrasjet, i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë”.
Sipas policisë, “në vazhdimësi janë ndërmarrë veprime konkrete për parandalim, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të çojnë te kryerja e akteve të tilla”.
Por, zyrtarë të autoriteteve të rendit kanë potencuar faktin se në aspektin e parandalimit të rasteve të tilla, përveç policisë, duhet luajtur rolin e tyre edhe aktorët tjerë, të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme, në përgjithësi.