Të enjten, më 26 në Gjykatën e Qarkut në St. Gallen do të zhvillohet procesi gjyqësor për rastin e vrasjes në xhami, në të cilën një shqiptar kishte vrarë shqiptarin tjetër. Ky rast kishte shkaktuar tronditje të madhe për faktin se kishte ndodhur në një objekt kulti dhe për të është raportuar me të madhe nga mediat zvicerane.
Prokurori ka kërkuar 20 vjet heqje lirie për shqiptarin 53 vjeçar nga Lugina e Preshevës, i cili ka vrarë nga hakmarrja dhe pastaj e ka pranuar aktin e vrasjes, shkruan albinfo.ch.
Vrasja kishte ndodhur më 22 gusht 2014 në një xhami në Winkel të St.Gallenit. Dorasi kishte shtënë shtatë herë me revole nga afërsia prej dy metrave në drejtim të viktimës, derisa ky i fundit po falej në lutjet e të premtes bashkë me besimtarë të tjerë.
Pasi kishte kryer vrasjen ai u ishte drejtuar besimtarëve duke u thënë: mos u frikësoni, unë e bëra timen.
Vrasja në xhaminë “El-Hidaje” në Winkeln të St. Gallenit ishte bërë për hakmarrje, pasi që tashmë i vrari kishte privuar nga jeta para 19 viteve vëllain e të parit. Gjyqi kishte konstatuar atëbotë se vrasja qe bërë në mbrojtje të domosdoshme.
Ai ishte liruar në vitin 2001 nga akuza. Pastaj ai kurrë nuk kishte kërkuar falje nga familjarët dhe as nuk kishte treguar përpjekje për të përfunduar hasmërinë me familjen e dëmtuar, ka arsyetuar vrasësi aktin e tij, transmeton albinfo.ch. Për këtë arsye ai kishte marrë vendim për të ushtruar vetëgjyqësi, ka thënë ai. Në rastin e vrasjes në vitin 1997 kishte pësuar plagë edhe autori i mëvonshëm i vrasjes, gjegjësisht personi që po gjykohet.