Vriten dy pilotë rusë në Siri

Autoritetet ruse thanë se dy pilotë rusë janë vrarë në afërsi të qytetit Palmira në Siri, kur helikopteri i tyre u godit, duke shtuar numrin e ushtarëve rusë të vrarë në konfliktin e Sirisë në të paktën 12 veta.

Ministria ruse e mbrojtjes në një kumtesë të saj tha se persona të armatosur të grupit ekstremist Shteti Islamik e rrëzuan helikopterin sirian, të cilin pilotët ushtarakë Ryafagat Khabibulin dhe Yevgeny Dolgin e morën për testim më 8 korrik. Helikopteri u godit me breshëri nga militantët e IS-it pasi pilotët “përdorën gjithë municionin e tyre dhe po ktheheshin prapa”, tha ministria, në një deklaratë të saj, më 9 korrik. Grupi monitorues SITE, tha se organizata ekstremiste mori përgjegjësinë për rrëzimin e helikopterit.

Agjencitë ruse të lajmeve RIA Novosti dhe Interfax, cituan më herët gjatë ditës zyrtarë të paemëruar të ministrisë duke thënë se helikopteri u rrëzua me 8 korrik pas përleshjes me luftëtarët e IS-it në provincën Homs. Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se ekuipazhi i helikopterit “pranoi kërkesën” e forcave siriane për të kryer fushatën ajrore kundër “një grupi të madh të personave të armatosur të ISIS-it” që “kishin filluar një sulm kundër trupave siriane në lindje të Palmiras”, njoftoi agjencia shtetërore ruse TASS.

“Pasi mbetën pa municion, helikopteri që po kthehej u godit nga militantët që shtinë me armë zjarri nga toka dhe u rrëzua në një rajon të kontrolluar nga forcat qeveritare ushtarake të Sirisë. Ekuipazhi vdiq”, citoi TASS ministrinë. Të paktën 11 ushtarë rusë u vranë në Siri që nga fillimi i operacioneve ajrore të Rusisë në shtator, për të mbështetur forcat e rrethuara të Presidentit sirian Bashar al-Assad. Ushtria ruse po mban një prani të fortë në bazën ajrore në provincën Lataika, në verilindje të Sirisë, që prej fillimit të operacioneve të saj.

Artikulli paraprakA thua pse portalet tona nuk e japin këtë lajm? – Serbi/ Përdhunohet dhe vritet brutalisht një vajzë 3-vjeçare
Artikulli vijuesAlbin Kurti në Srebrenicë (Foto)