Wikileaks: Google ua përcolli e-mail-et autoriteteve amerikane

Avokatët e Wikileaks-it u janë drejtuar koncernit të internetit Google dhe Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me akuzën se kanë shkelur të drejtat e personit dhe ato gazetareske të bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Të prekur janë gazetarja e gazetarisë investigative, Sarah Harrison, redaktori Joseph Farell dhe zëdhënësja e Wikileaks, Kristinn Hrafnsson. Që të tre punojnë prej vitit 2010 për Wikileaks-in. Një ditë para Krishtlindjeve ata i informoi koncerni Google se i kishte përcjellë qeverisë së SHBA-së të gjitha e-mail-et e tyre dhe e kish bërë këtë mbi bazën e një urdhëri për kontroll, për shkak të dyshimit për komplot dhe për spiunazh. Ajo që e zemëron veçanërisht, është se “janë prekur llogaritë e mia private”, të cilat ajo i kishte përdorur prej vitesh dhe që kanë korrespondencën private me shokë dhe familjen etj, thotë Sarah Harrison në bisedë për DW. “Me këtë shkelet në mënyrë shumë reale sfera ime private”, thotë Harrison. Ndërsa puna e e saj dhe e-mail-e të rëndësishme nuk janë prekur, “atje ne kemi punuar të ndërgjegjshëm për problemin e sigurisë”, thotë gazetarja.

Sarah Harrison kritikon Google

Veç e-mail-eve, Google u kishte dorëzuar autoriteteve amerikane edhe lista kontaktesh, lajme të shuara dhe projekte të tri përdoruesve, si dhe adresa IP, prej të cilave të tri bashkëpunëtorët e Wikileaks qenë futur në internet, tregon Harrison. Urdhëri i gjykatësit, të cilën e ka respektuar Google është i vitit 2012 dhe u miratua bazuar në argumentin e ligjit të spiunazhit dhe të mbrojtjes së kompjuterave, në bazë të të cilit, një të akuzuar e presin deri 45 vjet heqje lirie.

Në e-mail-et e Google, të publikuara nga Wikileaks, koncerni vërtet pohon që e kishte pasur të ndaluar dhe prandaj nuk kishte mundur t’i informonte më herët të prekurit. Por në një rast të ngjashëm tek shërbimi Twitter, Twitter e kishte anashkaluar ndalimin për informim, tregon Harrison, për t’i informuar personat e prekur.

Përdoruesit e Twitter-it e mbështesin Wikileaks-in

Shumë përdorues të Twitterit marrin anën e Wikileaks-it dhe shkruajnë, si kryeredaktori i gazetës angleze “The Guardian”, Alan Rusbridger: “Wikileaks kërkon përgjigje, pasi Google u ka përcjellë SHBA e-mail-e të bashkëpunëtorëve.”

Përdorues të tjerë veprojnë me ironi dhe publikojnë këtë karikaturë pas fjalisë “Google i jep të dhëna qeverisë së SHBA-së në rastin e spiunazhit të Wikileaks-it.

Sarah Harrison nuk e shpjegon dot se pse zhvillohen hetime vetëm kundër tri bashkëpunëtorëve të Wikileaks. Me daljen e saj në publik duke publikuar e-mail-et e Google-s, urdhrat e kontrollit dhe kërkimet e saj në gjykatën e Virginias, e cila i ka miratuar urdhrat e kontrollit, ajo synon të hedhë dritë në hetime.

Artikulli paraprakTerrorizmi
Artikulli vijuesGjermani: Pas protestave të PEGIDA-s sulmet ndaj të huajve rriten për 130 përqind