XHENNETI DHE XHEHENNEMI

Dr Mustafa Mahmud

XHENNETI DHE
XHEHENNEMI

Miku ynë kësaj here ishte plotësisht i sigurt në vetvete. Ia filloi duke i shqiptuar fjalët ngadalë:
Si do të na dënojë All-llahu, kurse Ai është I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, për mëkatin gjatë një kohe të kufizuar me dënim të përhershëm (“…ata do të qëndrojnë në xhehennem përgjithmonë!”).
Kush jemi ne dhe çka paraqesim në krahasim me madhërinë e Zotit, e që të na “hakmerret” në këtë mënyrë.
Njeriu është vetëm atom apo pluhur në kozmos dhe në krahasim me madhërinë e Zotit do të thotë diç shumë e imët dhe e pavlerë, në realitet nuk do të thotë asgjë.

Duke ia përmirësuar njohuritë mikut, themi:
E para – nuk jemi ne vetëm atom dhe pluhur në kozmos. Pozita jonë te Zoti nuk është e parëndësishme, përkundrazi, ajo është e madhe dhe e rëndësishme. A nuk na ka frymëzuar neve prej shpirtit të tij. A nuk na janë përulur ëngjëjt. A nuk na ka premtuar trashëgiminë e qiejve dhe Tokës, e ka thënë.
“Vërtet, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit dhe i kemi bërë të udhëtojnë nëpër tokë dhe të lundrojnë nëpër det. I kemi furnizuar me më të mirat dhe lart i kemi nderuar ndaj shumicës së krijesave Tona.” (El-Isrâ, 70).
Në ne, do të thotë, ka pjesë prej shpirtit të Zotit. Kundrejt kozmosit, ne nuk jemi atom as pluhur. Ne ashtu dukemi kur të shikohen trupat tanë në hapësirën e gjithësisë. Mirëpo, ne a nuk e përfshijmë gjithësinë me mendjen tonë, i kuptojmë ligjet të cilat sundojnë në të dhe depërtojmë në orbitat e shumë trupave të saj. Falë kësaj, kozmonauti lëshohet në Hënë, duke konfirmuar se njohuria jonë ka qenë e saktë.
Kjo a nuk dëshmon se ne, duke shikuar në shpirtin tonë, jemi më të mëdhenj se kozmosi dhe e zotërojmë atë. Andaj ka patur të drejtë poeti kur duke iu drejtuar njeriut ka thënë:
“Dhe mendon se je trup i vogël kurse në ty përfshihet bota më e madhe”.
Njeriu, siç thonë sufistët, është libër gjithëpërfshirës, kurse kozmosi janë faqet e tij. Njeriu pra është mjaft i madh dhe mjaft i rëndësishëm. Ai bart në vete prej shpirtit të Zotit. Edhe veprat e tij obligojnë të jenë të llogaritura.

Sa i përket vërejtjes në lidhje me të dënuarit me dënim të përjetshëm për mëkatin me zgjatje kohore të kufizuar, (mendojmë), ky është edhe një gabim të cilin e bën doktori ynë i sigurt në vetvete gjatë arsyetimit të tij. Zoti xh.sh. duke u përgjigjur në kërkesën e të dënuarve të përjetshëm që të kthehen përsëri në këtë botë e të punojnë ndryshe nga ajo që kanë punuar, thotë:
“…Edhe sikur të ktheheshin, me siguri ata përsëri do t’i ktheheshin asaj që e kishin të ndaluar. Ata vërtet janë rrenacakë.” (El-En’âm, 28), do të thotë, mëkati i tyre nuk është i kufizuar sipas kohës. Ajo është veti e përhershme e cila gjithnjë do të përsëritej, siç shihet prej ajetit të theksuar: “edhe sikur të ktheheshin, ata me siguri përsëri do t’i ktheheshin asaj që e kanë pas të ndaluar. Ata vërtet janë rrenacakë.” Mëkati i tyre pra, nuk është kurrfarë rënie momentale, situatë momentale në të cilën janë gjendur derisa kanë qenë në dynja. Për ta All-llahu xh.sh. në një vend tjetër në Kur’an thotë;

“Atë ditë kur All-llahu xh.sh. do t’i ringjallë të gjithë ata, Atij do t’i betohen sikur që po ju betohen juve dhe do të mendojnë se me këtë diç kanë arritur dhe fituar… Ata, pa dyshim janë rrenacakë të vërtetë.” (El-Muxhâdele, 18).

Nga ajeti i cituar shihet pra një formë tjetër e vendosmërisë dhevprovokimit nga ana e të dënuarve me dënim të përjetshëm, të cilët shkojnë gjer atje saqë e ballafaqojnë Zotin me rrenën dhe betimin e rrejshëm të tyre dhe atë në Ditën e llogarisë së madhe, në Ditën kur do të ngrihen të gjitha perdet dhe mbulesat.
Qëndrimi i tillë i tyre është shenjë e kryelartësisë dhe tiranisë më të madhe.
Nuk jemi pra më këtu te mëkati i kufizuar me kohën, por para mëkatit zgjatja e të cilit është e përhershme dhe para shpirtit i cili në vetvete e mban të keqen e përhershme. Së këndejmi, dënimi i përhershëm për shpirtin e tillë në realitet është drejtësi. Për këtë qartë flet ky ajet kur’anor:
“Dhe ata nuk do të dalin prej xhehennemit.” (El-Bekare, 168).

Kurse Ibni Arebiu thotë: “Mëshirë ndaj tyre do të jetë ajo se ata do të adaptohen në këtë zjarr. Dhe ai në amshueshmëri do të bëhet mjedis i përshtatshëm për ta”.
Pa dyshim ekziston afërsi ndërmjet disa shpirtrave të këqij dhe zjarrit. Disa shpirtra janë, në realitet, pishtarë të zilisë, urrejtjes, pasionit, xhelozisë, shpirtligësisë, hakmarrjes, veprave kriminele që i bënë sikur të jenë vërtet zjarr. Shpirtrat e tillë nuk mund të jetojnë në paqe. Për asnjë çast nuk mund të jetojnë, e që përreth vetes të mos nxisin luftë e të mos ndezin zjarr, sepse zjarri është vendbanim dhe natyra e tyre. Dhe kur shpirtrave të tillë vendqëndrim
t’u caktohet xhehennemi, atëherë ky është gjykim i drejtë. Kjo në realitet është vendosje e gjërave në vendet përkatëse. Sikur rastësisht shpirtrave të tillë vendqëndrim t’u caktohej xhenneti, ata nuk do ta ndienin (nuk do t’u përshtatej).
Ata a nuk e kanë refuzuar paqen në Tokë?

Xhehennemin dhe xhennetin në Ahiret duhet kuptuar në kuptimin më të gjerë. Zjarri në Ahiret nuk është djegës. Djegia në të nuk është sikurse djegia në dynja. Zoti xh.sh. dëfton se të dënuarit me zjarr të xhehennemit në të do të flasin dhe do ta mallkojnë njëri-tjetrin. Në të ekziston druri i cili jep fryt.
Ai dru quhet “Zekkûm”. Rrënjën e ka prej fundit të xhehennemit. Ekziston dhe uji i xhehennemit i cili do të jetë pije për të dënuarit.
Zjarri i tillë në të cilin gjendet druri, gjendet uji, pastaj në të cilin të dënuarit flasin, gjithsesi është ndryshe nga zjarri të cilin e njohim ne:
“… Sa herë që një grup hyn në të (në zjarr), e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e parë: ‘Zoti ynë, këta (paria) na kanë humbur neve (nga rruga e drejtë), pra shtoju dënimin me zjarr atyre!’ (All-llahu) Thotë: ‘Për secilin (grup) është (dënimi) i shtuar, por ju nuk po e dini.” (El-A’râf, 38).
Ai zjarr është:
“Lëndë djegëse të të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (El-Bekare, 24).Zjarri për të cilin ishte fjala gjer më tani bën pjesë në gjërat e fshehta (gajbit). Ajo që është thënë për të është shprehur vetëm simbolikisht.

Nuk guxon kjo të kuptohet sikur ne po e mohojmë vuajtjen ndijore (trupore) ndërsa po e pranojmë atë shpirtërore. Vuajtja trupore ekziston dhe në të nuk lejohet të dyshohet. Ne besojmë në ekzistencën e saj. Ne vetëm konfirmojmë se hollësitë e saj, mënyra e saj si dhe mënyra e zjarrit me të gjitha përshkrimet e hollësishme të tij, na janë plotësisht të panjohura dhe të pakuptueshme.
Sipas asaj çfarë na e prezentojnë rrëfimet kur’anore, mund të konkludojmë se ai nuk është si ky zjarri i rëndomtë të cilin e njohim, sikur që edhe trupat të cilët do ta përballojnë atë zjarr do të jenë, gjithsesi, ndryshe prej trupave tanë të kësaj bote…

E njëjta gjë vlen edhe për xhennetin. Ai nuk është treg perimesh, hurmash, shegash, rrushi… Të gjitha këto përshkrime kur’anore të xhennetit, në realitet janë simbole, dhënie e shembujve dhe afrim i të kuptuarit:

“Shembulli i xhennetit, që u është premtuar atyre që janë të ruajtur, në të cilin ka lumenj me ujë të pashtershëm dhe lumenj nga qumështi me shije të pandryshuar.” (Muhammed, 15)
“Shembulli i xhennetit” do të thotë se ne sjellim shembull me të cilin dëshirojmë ta afrojmë të kuptuarit e xhennetit, ndërsa esenca dhe detajet e tij në hollësi nuk janë zbuluar:
“Dhe asnjë shpirt nuk e di çfarë i është fshehur prej gëzimeve si shpërblim për atë që e ka punuar.” (Es-Sexhde,17) ….Xhenneti, gjerësia e të cilit përfshinë qiejt dhe Tokën…”(Âli Imrân,133).
Pra nuk është e mundur që xhenneti të jetë vetëm kopsht.
“… Dhe pemë të shumta, të bollshme dhe të pandaluara.”(El-Vâkia, 32-33).
Ato pemë janë ndryshe nga këto tonat të cilat harxhohen dhe ndalohen… dhe vera:
“Prej saj as s’ju dhemb koka e as që e humbni mendjen (as s’u dobësohet trupi).” (El-Vâkia, 19). Ajo verë pra, është ndryshe prej verës së njohur nga e cila dhemb koka dhe turbullohet mendja.

Për xhennetlinjtë Kur’ani thotë:
“Ne nga kraharorët e tyre e kemi hequr çdo urrejtje.” (El- A’râf, 43). Këtu shpirtrat janë pastruar në mënyrën e cila për ne është e panjohur.

Xhenneti është, po ashtu, prej gjërave të panjohura – gajb. Kur e konstatojmë këtë, atëherë me këtë nuk e mohojmë asnjë kënaqësi trupore. Ne besojmë se xhenneti është kënaqësi trupore dhe shpirtërore, por ajo që veçanërisht këtu duam ta theksojmë, është se hollësitë e kësaj kënaqësie dhe vuajtjeje si dhe mënyra se si do të jenë – na janë të panjohura. As xhenneti nuk është treg i pemëve dhe perimeve, por as xhehennemi nuk është furrë për pjekjen e mishit.

Dënimi në Ahiret nuk është demonstrim i forcës nga ana e Zotit xh.sh. mbi robërit e Tij, por ai është pastrim, prezentim, drejtim dhe mëshirë:
“Nuk do t’ju dënojë All-llahu nëse ju Atë e falënderoni dhe e besoni.” (En-Nisâ, 147). Bazë pra, është mosdënimi.

All-llahu xh.sh. nuk do ta dënojë besimtarin e vërtetë. Ai do ta dënojë atë i cili është kryelartë dhe i cili e mohon dhe për përudhjen e të cilit kanë dështuar të gjitha mjetet dhe mënyrat e përudhjes, njoftimit dhe të të kuptuarit.
“Dhe mesiguri do të bëjmë që ta shijojnë dënimin më të vogël, para atij më të madhit, ndoshta do të kthehen.” (Es-Sexhde,21)

Caktimi, i Zotit është që këta të shijojnë dënim më të lehtë në këtë botë, i cili ndoshta do t’u ndihmojë që të zgjohen nga gjumi i thellë, t’i trondisë nga pagdhendshmëria dhe dremitja. “Ndoshta do të kthehen”.
Nëse nuk ndihmojnë të gjitha këto mjete dhe ai i cili e mohon (Zotin) edhe më tutje e mohon, atëherë nuk mbetet tjetër përpos ballafaqimit të tij me dënimin e vërtetë që ta njohë… e njohja e së vërtetës në realitet është mëshirë. Sikur Zoti xh.sh. t’i linte në verbësinë e injorancën e tyre dhe t’i linte pas dore, do të bënte padrejtësi, kurse Zoti xh.sh. është i pastër nga kjo. Ekspozimi në zjarr i atyre të cilët e kanë merituar zjarrin, në të vërtetë është kujdes ndaj tyre, sepse të gjitha veprat e Zotit xh.sh. janë mëshirë.
Ai ndaj atyre që e kanë merituar xhehennemin është i mëshirshëm në atë mënyrë që ua ka dhënë, sepse me ndihmën e xhehennemit i edukon dhe mëson. Ndërkaq, ndaj atij i cili e ka njohur dhe besuar, bën mëshirë duke e futur në xhennet i cili i takon si nder dhe mirënjohje nga ana e Sunduesit dhe Krijuesit të
vet.
“… Me dënimin Tim do ta dënoj cilin të dua, kurse mëshira Ime ngërthen çdo send…” (El-A’râf, 156). Ai pra, ka bërë që mëshira e Tij të ngërthejë gjithçka, pra edhe dënimin e Tij.

Ta pyesim tash mikun, sipas mendimit të tij, a do të ishte Zoti më i drejtë sikur t’i barazonte mizorët me ata të cilëve u është bërë mizori, vrasësit me të vrarët, dhe të gjithë njëlloj t’i shpërblejë në Ahiret. A do të ishte e drejtë, sipas mendimit të doktorit, që të barazohet e bardha me të zezën? Atyre të cilët e përjashtojnë mundësinë e dënimit të Zotit, u bëjmë pyetje: A nuk po na dënon, në realitet Zoti, edhe në këtë botë? Çka janë pleqëria, sëmundja, kanceri etj., përveç se dënime, por në një mënyrë të caktuar. Kush është krijues i mikrobit…?!! A nuk është kjo vërejtje dhe paralajmërim se gjendemi para Zotit i cili mund të lëshojë dënim.

Artikulli paraprakÇFARË ËSHTË MËKATI I ATIJ TEK I CILI NUK KA ARRITUR KUR’ANI?
Artikulli vijuesA ËSHTË FEJA OPIUM?