Yee: Kosova të punojë për forcimin e rendit dhe zhvillimin ekonomik

0
252

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee. Ky i fundit tha se Kosova tani duhet punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, të thellojë reformat në vend duke punuar në zhvillimin ekonomik që ndihmon perspektivë të qartë evropiane për Kosovën.

Presidentja Jahjaga theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel për çështjen e drejtësisë është parë si pozitive dhe si një hap drejt vendosjes së ligjit e rendit në pjesën veriore të Kosovës, përmes një sistemi unik të drejtësisë për gjithë vendin, dhe në respektim të ligjeve të Kosovës, por tha se procesi i dialogut duhet të jetë plotësisht i hapur dhe transparent për qytetarët.

 

Ajo tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, sepse kjo do të hap rrugën evropiane për të dyja shtetet dhe do të përshpejtojë proceset integruese.

 

Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe të përmbyllë MSA-në me BE-në, si një hap i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe perspektivën e të ardhmen e tyre.

 

Ajo e njoftoi Yee edhe me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe me fenomenin e largimit të qytetarëve nga vendi si dhe angazhimin që po bën për të takuar qytetarët dhe për të biseduar me ta për nevojat, brengat si dhe arsyet e largimit të tyre. 

 

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e vendit tani duhet të bëjnë më shumë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të punës por edhe do të ndihmojë perspektivën e qytetarëve.

 

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po përmbushë obligimet e saj karshi bashkësisë ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, duke e njoftuar Yee me angazhimin e të gjitha institucioneve në procesin gjithëpërfshirës për krijimin e Gjykatës Speciale.

 

Ajo tha se Kosova duhet të përfshihet në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti ata të sigurisë, duke theksuar nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n dhe përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe. Presidentja Jahjaga tha se është një moment i rëndësishëm kur duhet të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe e falënderoi qeverinë e SHBA-së për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në këtë proces.

 

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së,Hoyt Yee, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për lidershipin dhe udhëheqjen e gjithë procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike, që çoi në zgjidhjen e krizës institucionale dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

 

Yee e vlerësoi rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel dhe tha se ky proces duhet të vazhdojë, meqë çon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe siguron stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

 

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit tha se Kosova tani duhet punoje në forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, të thelloje reformat në vend duke punuar në zhvillimin ekonomik që ndihmon perspektivë të qartë evropiane për Kosovën. /Telegrafi/