Yee: SHBA e kënaqur me luftën e qeverisë së Kosovës ndaj radikalizmit

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, i tha Zërit të Amerikës se Kosovës i duhet një luftë më e frytshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi ekonomik që do të mundësonte edhe pengimin migrimit të paligjshëm.

 

Ai tha se gjykata e posaçme për krime lufte do të ndihmojë Kosovën që të mos ketë re mbi emrin dhe historinë e saj. Ai i cilësoi të rëndësishme bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Zëri i Amerikës: Vizita juaj në Kosovë përkon me shtatë vjetorin e pavarësisë së saj. Nga pikëpamja amerikane, ku ndodhet Kosova sot?

Hoyt Yee: Kosova ka bërë progres të madh që kur është bërë pavarur në vitin 2008. Ka pasur një numër zhvillimesh të rëndësishme pozitive, përfshirë njohjen nga mbi 100 vende, pjesëmarrjen e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes së stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Të gjitha këto zhvillime pozitive dëshmojnë se Kosova është në rrugë të duhur. Kosova po ecë drejt vendit të saj të duhur në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Dhe ndonëse kemi ende shumë punë për të bërë së bashku, të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës së bashku me qeverinë, shoqërinë civile, mediet, të gjithë qytetarët e Kosovës, ne jemi shumë optimist për drejtimin dhe të ardhmen e Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Kosova aktualisht po përballet me një shkallë të lartë të pakënaqësive qytetare që çuan në protesta por edhe në një shtim të numrit të migruesve të paligjshëm drejt Bashkimit Evropian. Si i shihni zhvillimet e fundit?

Hoyt Yee: Sa u përket demonstratave, dua të them pikë së pari se ne e mbështesim plotësisht të drejtën e qytetarëve gjithkund, përfshirë edhe Kosovën që të shprehen lirshëm dhe hapur, Ne jemi mbështetës të fortë të lirisë së fjalës, lirisë së tubimit. Sido qoftë, nuk ka vend për dhunë, nuk ka vend për dëmtimin e pronës qoftë publike apo private, në dialogun ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë apo qytetarëve dhe partive politike. E mbështesim lirinë e fjalës, por jo dhunën. Mendoj se demonstratat, shprehja e ndjenjave të forta të palëve të ndryshme në Kosovë pasqyron tranzicionin nëpër të cilin po kalon Kosova në kuptimin e zhvillimit të saj demokratik. Si në gjithë vendet ne tranzicion të këtij rajoni dhe rajoneve të tjera, ka dhimbje dhe sfida të ndryshme që duhet përballur që çojnë në opinione të ndryshme dhe ndonjëherë edhe në dallime të forta. Çfarë është me rëndësi, sic e thashë me herët, që Kosova është në rrugë të duhur, së pari për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, së dyti për të ecur më afër drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, më afër NATO-s. Çështja që Kosova si shtet dhe qeveria e saj duhet të trajtojnë është para së gjithash ekonomia. Për të pasur mundësi që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Kosova duhet të ketë ekonomi konkurruese të tregut, duhet të jetë në gjendje të nxisë investuesit e huaj, kompanitë e huaja, por po ashtu duhet të jetë vend ku mund të përparojnë kompanitë e saj në mënyrë që të ketë atë ekonomi të tregut. Duhet të ketë liri të njerëzve që të fillojnë bizneset e tyre, duhet të ketë mundësi për të rinjtë që të punojnë këtu në Kosovë dhe të mos kenë nevojë të lëvizin gjetiu. Dhe për të ndodhur kjo, duhet të ketë luftë më të frytshme kundër korrupsionit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë faktorët më shkatërrues dhe më të vështirë për t’u zgjidhur, por më të dëmshmit për ekonominë e Kosovës, për mundësinë që bizneset të lulëzojnë, mundësinë që njerëzit të gjejnë punë pa paguar ryshfet, pa u bazuar në lidhjet familjare apo të tjera. Kosova duhet të vazhdojë luftën e saj dhe unë jam takuar me udhëheqësit e qeverisë sot, kryeministrin, zëvendëskryeministrin, presidenten dhe të gjithë më kanë siguruar se pajtohen me nevojën për të bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit. Kjo është e rëndësishme që njerëzit e Kosovës kanë nevojë të mësojnë se qeveria është e përkushtuar për këtë luftë, e përkushtuar për të çuar përpara drejt institucioneve euroatlantike.

 

Zëri i Amerikës: Ndonëse me zemër të thyer autoritetet e Kosovës janë pajtuar me themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Duke qene i vetmi vend në rajon me një gjykatë të tillë, a nuk e bënë Kosovën të veçantë edhe në trajtimin e saj si viktimë e agresionit, siç thonë udhëheqësit politik në Kosovë?

Hoyt Yee: Përballja me trashëgiminë e së kaluarës dhe të luftës, është dic me të cilën të gjitha vendet e rajonit është dashur të bëjnë dhe të përballen me zgjidhjet dhe ndryshimet që janë të vështira për të gjitha qeveritë e rajonit dhe për qytetarët. Nuk do të thosha se Kosova është e veçantë në këtë aspekt. Gjykata e posaçme është, për nga natyra, gjykatë e veçantë. Është menduar të trajtojë akuza të veçanta në Kosovë. Ato janë akuza shumë shqetësuese që duhet të merren seriozisht. Shtetet e Bashkuara i marrin ato shumë seriozisht sikundër edhe qeveria e Kosovës. Është me rëndësi për Kosovën që të trajtojë këto akuza, këto shqetësime në një mënyrë transparente, profesionale e serioze, në mënyrë që e gjithë bota të dije se nuk ka fshehje, nuk ka përpjekje për të futur nën qilim këto akuza por për t’i trajtuar ato në një mënyrë të pranueshme për gjithë komunitetin ndërkombëtarë, në një mënyrë që sigurojnë sundimin e ligjit, sigurojnë drejtësi dhe se këto çështje janë vërtetë të zgjidhura në mënyrë që të mbyllim këtë kapitull dhe të ecim përpara, asisoj që Kosova të mos ketë re mbi emrin e saj, mbi historinë e saj, në një mënyrë që dëshmon se Kosova e meriton vendin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ndonëse e pranojmë se është çështje e vështirë për popullin e Kosovës, mendoj se të gjithë pajtohemi se duam ta lëmë prapa nesh asisoj që të mos vazhdojë të shfaqet e të na ndjekë.

 

Zëri i Amerikës: Por nuk ka diç të ngjashme në Serbi kur kemi parasysh tërë atë që ka ndodhur në ish Jugosllavinë dhe në Kosovë?

Hoyt Yee: Po ishte gjykata ndërkombëtare për ish Jugosllavinë që trajtoi krimet e luftës në rajon, përfshirë edhe Serbinë, siç e dini. Nuk ka një zgjidhje që përfshinë të gjitha problemet. Akuzat e caktuara që të do të trajtohen nga gjykata e posaçme, nuk mund të trajtohen nga gjykata e Hagës dhe kjo është një nga arsyet pse na duhet gjykata e posaçme. Por, parimet e njëjta ushtrohen sepse është e vështirë në mos e pamundur që një vend ku i akuzuari është aktiv apo ta zëmë anëtar i qeverisë, që të përballet me akuza të tilla brenda sistemit të saj të drejtësisë pa dyshime për njëanshmëri. Prandaj, është shumë më mirë të kemi një zgjidhje të posaçme ndërkombëtare që është e njohur nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara, nga anëtarët tjerë të komunitetit ndërkombëtarë si mjet legjitim për trajtimin e akuzave dhe zgjidhjen e çështjes në mënyrë të drejtë dhe transparente.

 

Zëri i Amerikës: Këto ditë Kosovë rifilloi bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Nga ajo që dini, nga po shkojnë këto bisedime? A janë duke i përmbushur synimet për të cilat edhe ishin projektuar?

Hoyt Yee: Mendoj se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po ecin në drejtimin e duhur. A
to kanë ndihmuar tashmë në normalizimin që është zhvillim logjik të marrëdhënieve. Ka shumë punë për të bërë, ka më shumë normalizim që duhet të arrihet, por bisedimet po shkojnë në drejtimin e duhur. Mendoj se është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian po i lehtëson bisedimet sepse kjo dëshmon përkushtimin e Bashkimit Evropian për ardhmërinë evropiane të Kosovës sikurse edhe të Serbisë, dëshmon përkushtimin e vendeve anëtare që të ndihmojnë këto dy vende të zgjidhin sfidat e vështira. Po ashtu bisedimet dëshmojnë mundësitë e Kosovës dhe Serbisë të të përballen me të kaluarën që me gjasë nuk do të ishte e trajtueshme vetëm në kontakte dypalëshe, përveç që do të krijonte më shumë vështirësi. Po ashtu dëshmon aftësinë e të dyja vendeve që të shohin drejt të ardhmes së përbashkët në të cilën ata do të jenë fqinjë që kanë shkëmbime tregtare, lëvizje të lirë, por po ashtu marrëdhëniet normale ndërmjet dy shteteve fqinje do të sjellin qëndrueshmëri, siguri e përparim, jo vetëm për ato dy vende por për rajonin. Pra, do të thosha se ka pasur sukses por ka shumë punë për të bërë. Të gjitha vendet që kujdesen për këtë rajon, të gjithë partnerët e Kosovës, të gjithë partnerët e Serbisë, duhet të trimërojnë të dyja shtetet. Po ashtu nevojitet natyrisht që të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe Serbisë të qëndrojnë të angazhuara për të gjitha çështjet që janë me rëndësi për të dyja vendet dhe të ecin përpara në procesin që do të merret me nevojat dhe pritjet e qytetarëve të të dyja vendeve dhe synimeve të të dyja vendeve që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian me kohë.

 

Zëri i Amerikës: Kosova është përmendur si një nga vendet që përballen me kërcënimin e lëvizjeve ekstreme fetare. Si i vlerësoni hapat që po ndërmarrin autoritetet e Kosovës për t’u përballur me këto shqetësime?

Hoyt Yee: Çështja e ekstremizmit të dhunshëm nuk është çështje me të cilën përballet vetëm Kosova. Është një problem që ndikon në të gjitha vendet e këtij rajoni dhe shumë vende në botë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ky është një problem global që kërkon përgjigje globale. Kosova po jep ndihmesë të rëndësishme për këtë çështje në vend dhe në rajon. Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me Kosovën, me rezultatet që ka arritur Kosovë në arrestimin e personave të dyshuar si ekstremistë të dhunshëm. Ne e vlerësojmë Kosovën që miratoi ligjin që parandalon të ashtuquajturit luftëtarë të huaj, që të shkojnë për të luftuar në konflikte të huaja dhe kur të kthehen të sjellin atë dhunë në Kosovë dhe në rajon. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qeveria po e merr këtë problem shumë seriozisht. Jemi të gëzuar që Kosova do të marrë pjesë në takimin në Washington më 19 shkurt që i kushtohet shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira se si vendet që përballen me këtë problem të punojnë në mënyrë më të frytshme së bashku.

 

Zëri i Amerikës: Të kalojmë pak në pjesën tjetër të rajonit. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri?

Hoy Yee: Mendoj se është shumë me rëndësi që Shqipëria ka shënuar sukses thelbësor në synimet e saj për t’ju bashkuar BE-së. Shqipëria është vend kandidat dhe kjo është dëshmi që vendet që bëjnë reforma të rëndësishme, që janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin, të forcojnë sundimin e ligjit, të forcojnë ekonominë e tregut për të nxitur kompanitë e huaja për investime, janë vende që bëhen kandidate për t’u anëtarësuar në institucionet euroatlantike. Ka shpërblim për reformat e vështira dhe të dhimbshme. Mendoj se ky është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë që duhet të çojnë përpara reformat, ky është një mesazh për qeverinë se është çështje e përkushtimit politik që përpjekjet e saj për të përmbushur atë që është qëllimi më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe vendet tjera aspiruese, se përpjekjet e tyre qoftë të ligjvënësit apo ekzekutivit shpaguhen me përparimin drejt institucioneve evropiane. Mendoj se është me rëndësi që Shqipëria ishte pjesëmarrëse shumë efektive dhe bujare në një numër nismash me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, me pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare përfshirë Afganistanin, sikundër edhe Kosova do të thosha. Sfidat mbesin për Shqipërinë për forcimin e mëtejmë të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Për të qenë në gjendje që të cojë përpara negociatat për anëtarësim me BE-në, duhet të dëshmojë se po merr vendime dhe reformat e domosdoshme për të ecur në atë rrugë.

 

Zëri i Amerikës: Po sa i përket Maqedonisë? Përveç problemeve të pazgjidhura me Greqinë, ajo po përballet edhe me probleme të brendshme politike?

Hoyt Yee: Unë po ashtu besoj se Maqedonia përket në NATO dhe në BE dhe ka mundësi të kontribuojë në këto dy institucione. Nuk është larg nga kualifikimi për kandidaturën e saj apo anëtarësimin në këto organizata. Ajo duhet natyrisht të përmbushë të gjitha kriteret, që përfshijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, që përfshinë përmbushjen e standardeve demokratike. Mendoj se në Maqedoni një nga sfidat është që t’i dëshmohet BE-së se reformat demokratike, qoftë respekti për mediet, respekti për hapësirën politike, ku të gjitha liritë themelore politike, janë të respektuara nga qeveria siç ka ndodhur në të kaluarën. Mendoj se qeveria e Maqedonisë e ka bërë të qartë se dëshiron të anëtarësohet në BE, së dëshiron të bashkohet në NATO dhe duhet të vazhdojë qoftë edhe me qorrsokakun me të cilin është përballur tash e disa vjet, duhet të vazhdojë dhe të forcojë reformat demokratike. Do të jetë me rëndësi për të gjitha vendet e BE-së dhe aleatët e NATO-s, që të vazhdojnë të kurajojnë Maqedoninë në këtë rrugë dhe për të punuar drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, që ndikojnë jo vetëm tek dy vendet e përfshira, por edhe tërë rajonin.

 

Zëri i Amerikës: Por si të tejkalohet problemi më Greqinë?

Hoyt Yee: Po të kisha zgjidhje, nuk do të isha këtu, do isha diku tjetër. Por, seriozisht mendoj që nëse të dyja vendet mund të gjejnë një hapësirë të drejtë politike, sepse është çështje e ndjeshme për të dyja vendet për shumë vjet, nëse mund të gjejnë një mundësi për rifillimin e bisedimeve intensive për çështjen, është e mundur. Ajo që nevojitet mendoj se është trimërimi nga partnerët, nga aleatët që të kërkojnë zgjidhje dhe që të dyja të kuptojnë se është me rëndësi jo vetëm për këto dy vende por edhe për rajonin dhe gjithë Evropën.

Artikulli paraprakYouTube Radio, së shpejti realitet
Artikulli vijuesKisha serbe me propagandë kundër Kosovës në Kongresin amerikan