Ymeri i kundërshton dy licencat e Qeverisë

Dy vendime të Qeverisë së Kosovës për dhënien e licencës për projektin e kompanisë “Envidity Energy Kosova LLC”, si dhe vendimin lidhur me kompaninë “Sharr Cem dhe Titan America”, me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës, po kundërshtohen ashpër nga përfaqësues të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Këto vendime që priten të shkojnë për miratim në Kuvendin e Kosovës, sipas përfaqësuesve të “Vetëvendosjes”, janë në kundërshtim të plotë edhe me interesat ekonomike të Republikës së Kosovës dhe me çfarëdo procedure demokratike. Ata thonë se ky sistem i djegies së brendshme të thëngjillit për të shndërruar atë qoftë në naftë, qoftë në gaz, bart një rrezik të madh pikërisht mjedisor dhe ka rrezik në ndotjen e ujërave dhe të ambientit.

Visar Ymeri, kryetar i LVV-së, ka thënë se po të zbatohet ky vendim atëherë faktikisht Kosova po shndërrohet në një minierë të madhe të thëngjillit edhe krejt çka do të prodhojë Kosova thëngjill sipas këtyre propozimeve të këtyre kompanive në formë të lëngut, të kerozinës dhe të gazit, ku përfitimi, sipas tij, është shumë i vogël, ndërsa sa i përket punësimit do të ketë impakt minimal.

“Orientimi ekonomik i tillë i Republikës së Kosovës e cenon interesin e Republikës në dy aspekte, në njërën anë sepse përfitimi i Republikës së Kosovës edhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës nga këto projekte është shumë i vogël me ato pak informata që janë publikuar sa i përket këtyre dy propozimeve apo kërkesave të këtyre kompanive. Të vetmin përfitim që do ta këtë Kosova janë tatimet që do të paguhen dhe në formë të tatimit në fitim të këtyre kompanive që nuk e kalon as 10-përqindëshin e qarkullimit të gjithmbarshëm”, ka thënë ai

Artikulli paraprakSOT VENDOSET NËSE AZEM SYLA RIKTHEHET NË PARABURGIM
Artikulli vijuesTurqia do të mirëpresë Konferencën e APCE