Zënkë në bilardo , plagosen 5 persona

0
262

Pesë persona mbetën të plagosur mbrëmjen e së mërkurës në Vlorë. 
Policia e këtij qyteti sqaroi se si rezultat i një konflikti të ndodhur në një lokal të Selenicës, u plagosën me armë zjarri 3 persona dhe u dëmtua me sende të forta një i katërt.

Lidhur me këtë ngjarje, policia dyshon se shtetasi: Gergji Kozma Bucaj, 50 vjeç, banues në Selenice, i pajisur me një armë zjarri automatik, ka shkuar në bilardon e shtetasit me iniciale G. Z., ku ndodheshin edhe personat, Edison Stavri Bombaj 43 vjeç; Llambi Stavri Bombaj 40 vjeç; Dorjan Mema 21 vjeç dhe Igli Jaupaj 21 vjeç.

Një njoftimin e policisë thuhet se 50-vjeçari ka qelluar në drejtim të shtetasve të mësipërm. “Në këtë moment njëri prej tyre i ka kapur dhe hequr nga dora armën e zjarrit  dhe më tej së bashku me persona të tjerë e kanë goditur me sende të forta, ku si rezultat i të cilave ky shtetas aktualisht ndodhet në spitalin rajonal Vlorë në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjithashtu si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit kanë mbetur të dëmtuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën shtetasit Edison dhe Llambi Bombaj, dhe Dorjan Mema”,-thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

Burime nga policia thonë se 50-vjeçari ka shkuar për t’u sqaruar me kushëririn e bashkëshortes së tij, me të cilën ka qenë në proces divorci.

Forcat e rendit kanë sqaruar gjithashtu se është bërë e mundur të sekuestrohet arma e krimit, si dhe gjatë kontrolleve të banesave të personave të përfshirë në ngjarje, dhe pikërisht në banesën e shtetasve Edison dhe Llambi Bombaj, është sekuestruar një armë zjarri tip automatik model 54.

Policia sqaron se për këtë ngjarje ka shoqëruar edhe shtetasit Sokrat Qirjo 53 vjeç banues në Selenicë, për të cilin dyshon të jetë i përfshirë në ngjarje, si dhe shtetasi Stavri Bombaj për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen. /panorama