Anëtari i kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar në lidhje me vendosjen e kryqit në komunën e Butelit dhe ftesën që i është bërë shqiptarëve për të dalë dhe protestuar kundër vendosjes së kryqit.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
I dashur shqiptar i Shkupit, por edhe gjithkund kah je në Maqedoni, po shoh se disa njerëz sot po na ftojnë që ne shkupjanët të dalim kundër vendosjes së një kryqi në Komunën e Butelit. I pashë madje se si disa politikanë qyqarë paskan dalë aty te Kryqi i Ali Ahmetit në Butel, gjoja ta ndalin vendosjen e tij. E lejojnë të ndërtohet dhe pastaj e ftojnë popullin të viktimizohet për ata. Nëse duan që populli t’ua mbulojë turpin, le të mos e kërkojnë më votën tonë.
Unë e kuptoj se ne shqiptarët e Shkupit kemi filluar ta ndjejmë veten si në një vend inkuizicioni, duke u gjendur mes Kryqit të VMRO-PDSH-së në Vodno dhe atij të VMRO-BDI-së tash në Butel, por ekzistenca jonë këtu është më e rëndësishme se planet antishqiptare të këtyre politikanëve.
Duke e ndjerë se ky kryq nuk është aspak fetar (fjala bie, askush nuk është kundër kishës që u bë në Butel 1), por vetëm politik dhe urrejtjendjellës, madje një karrem që kështu dyshja Gruevski-Ahmeti të na e përsërisin ndonjë skenar si ai në Lagjen e Trimave në Kumanovë, unë ju lutem dhe përgjërohem deri në qiell që mos të dilni në asnjë protestë të këtillë. Jam i bindur se ata që janë bërë politikanë përmes protestave si ato të Kalasë, kur ditën votonin për ndërtimin e Kishës atje, ndërsa natën shtireshin se po e rrënojnë atë, duan të na përdorin përsëri. Aq më shumë kam drojë, që pas rastit të Kumanovës vitin e kaluar, këta nuk e kanë fare problem që qytetarët e tyre t’i bëjnë mish për top vetëm që ata të mbeten në pushtet. Sepse, sikur të kishte qenë ndryshe, ata do ta mendonin më mirë kur i votojnë këto simbole të përçarjes dhe konfliktit nëpër koalicionet e tyre, e jo sot të na vënë para rrezikut të këtillë.
Për këto arsye, shqiptarë të dashur, mos bini pre e këtyre planeve ogurzeza! Shpresojmë që kryqi të mos vihet deri më 5 qershor, ngase pastaj do të jetë ndryshe. Unë ju lus që gjithë energjinë kundër këtyre kryqeve politike ta akumuloni dhe ta shprehni më 5 qershor. Atë ditë duhet të shkojmë si lumë drejt vendvotimeve dhe të votojmë:
– kundër Kryqit politik të Ali Ahmetit në Butel;
– kundër mashtrimit dhe talljes me ndjenjat tona që na bëhet me përmendore ilegale (me të cilat e mbulojnë turpin e tyre);
– kundër vrasjeve në Kumanovë;
– kundër atyre që e bënë Sopotin e Monstrën;
– kundër atyre që e bënë Brodecin;
– kundër atyre që hetohen për ryshfet në rastin “Maxhar Telekom”;
– kundër atyre që janë “më shka se shkau”;
– kundër atyre që takohen me Tadiqin fshehtas;
– kundër atyre që e kanë vjedhur vullnetin tonë në zgjedhje;
– kundër atyre që u bënë milionerë mbi djersën dhe gjakun shqiptar;
– kundër atyre që nuk e zyrtarizuan gjuhën shqipe;
– kundër atyre që i kanë vrarë komandantët më të mirë të UÇK-së;
– kundër atyre që qëndruan në pushtet në saje viktimave të UÇK-së, ndërsa nuk e zgjidhën kurrë statusin e tyre.
Mjafton mos t’i harrosh këto dhe më 5 qershor të protestosh.
Mjaftosh të jesh KUNDËR këtyre.
Pjesën tjetër vendose vetë!
PROTESTOJ SHQIP MË 5 QERSHOR!