Zëvendës presidenti i Egjiptit jep dorëheqje

Zëvendës presidenti i Egjiptit Mahmoud Mekki ka njoftuar dorëheqjen e tij në ditën e referendumit për një kushtetutë të re, njoftoi televizioni shtetëror.

Dorëheqja Mahmoud Mekki u njoftua pesë orë para mbylljes së votimeve, që është faza e dytë dhe e fundit për miratimin e kushtetutës post-Mubarak.
Mekki, një gjyqtar me emër, ka thënë se ai ka ndërmend të largohet sapo të miratohet statuti i kushtetutës së re. Kushtetuta e re eliminon postin e zëvendës presidentit.
Megjithatë, një deklaratë nga Mekki, e lexuar në televizionin shtetëror la të kuptohet se motivi i largimit të tij mund të lidhet me politikat e presidentit Mohamed Morsi.
“Unë e kam kuptuar kohë më parë se natyra e politikës nuk i përshtatet gjenezës sime profesionale si gjyqtar,” shkroi ai.
Ai tha se e paraqiti dorëheqjen e tij muajin e kaluar, por zhvillimet në vend e detyruan atë për të qëndruar në postin e tij.
Mekki mori një rol kryesor në mbajtjen e “unitetit kombëtar”, bisedime këto të thirrura nga Morsi, edhe pse politikanët kryesorë të opozitës qëndruan larg bisedimeve.
Mekki, 58 vjeç, ishte një gjyqtar i respektuar, i cili erdhi në këtë post në muajin gusht.
Ai udhëhoqi kundërshtimin gjyqësor ndaj diktatorit Hosni Mubarak, por i kundërshtoi thirrjet për t’u bërë një kandidat presidencial, duke thënë se ai dëshironte të qëndrojë i pavarur politikisht.
mszh/A.Avdiu-Hoxha/kohaislame

Artikulli paraprakCilat kompani teknologjike patën më tepër fitime monetare gjatë vitit 2012
Artikulli vijuesKosovën e njohën 11 shtete këtë vit