Zëvendësi i “fshehur” i Kuçit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se “është betuar” që secilit anëtar të partisë së tij t’ia bëjë një vend pune në ndonjërën nga dikasteret qeveritare.

Thaçi, i cili drejton qeverinë më të ngarkuar në regjion dhe në Evropë sa i përket numrit të ministrive dhe zëvendëskryeministrave e ministrave, para disa dite kabinetit gjigant i ka shtuar edhe një zëvendësministër, shkruan “Zëri”.
Krejtësisht në heshtje ai ka marrë vendim që ish-kryetarin e Skenderajt, Ramadan Gashi, ta bëjë zëvendësministër të Drejtësisë, përkatësisht zëvendës të ministrit Hajredin Kuçi, i cili tashmë është bërë me dy zëvendës.
Ky “shpërblim” që Thaçi ia ka bërë bashkëvendësit të tij, i cili përveç si kryetar i Skenderajt për dy mandate, ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, buxhetit të vendit do t’i kushtojë goxha shumë, meqenëse secili zëvendësministër ka të drejtë për asistente, shofer dhe veturë personale.
Mirëpo, ministri i Drejtësisë, Kuçi, është paraqitur “i pafajshëm” karshi emërimit të një zëvendësministri në dikasterin që ai e drejton, duke ia hedhur fajin kryeministrit Thaçi./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakKryqi i Kuq: Situata në Siri po përkeqësohet me shpejtësi
Artikulli vijuesShqiptohen dënimet për grupin “Mafia e Frankfurtit”