Zhvillimi i neuroneve fshin kujtimet e fëmijërisë

Prodhimi intensiv i neuroneve në vitet e para të jetës është arsyeja pse me vështirësi i rikujtojmë gjërat nga fëmijëria më e hershme, kanë deklaruar hulumtuesit kanadezë.
 
Formimi i qelizave të reja trunore rrit kapacitetin për mësim, por njëkohësisht fshin kujtimet e vjetra, theksohet në rezultatet e hulumtimit të prezantuar në Shoqatën kanadeze për neuroshkencë.
 
Ekspertët thonë që rezultatet e studimit në minj vënë në pyetje teori të caktuara nga psikologjia.
 
Neurogjeneza, respektivisht formimi i neuroneve të reja në hipokampus, pjesën e trurit përgjegjës për kujtesë afatgjate, përjeton kulmin para dhe pas lindjes, dhe pastaj bie gjatë fëmijërisë dhe në moshën e pjekur.
 
“Para vitit të katërt ose të pestë kemi hipokampus shumë dinamik, i cili nuk mund të ruajë informatat në mënyrë stabile. Krijimi i neuroneve të reja është proces i cili mund të komprometojë kujtesën”, ka thënë mjeku Paul Frankland nga spitali i fëmijëve në Toronto.
 
Shkencëtarët kanë kryer testet në minjtë e rinj dhe të vjetër në laborator dhe kanë përfunduar që ekziston lidhje direkte në mes ngadalësimit të rritjes së neuroneve dhe rritjes së kapacitetit të kujtesës.
 
Shkencëtarët thonë që ko shpjegon faktin që nuk jemi në gjendje të mbajmë mend ndodhitë nga fëmijëria e hershme, çka është fenomen i njohur me emrin amnezia infantile.
 
Hulumtimet e mëhershme kanë treguar që fëmijët e vegjël mund të mbajnë mend ndodhitë në afat të shkurtër, por që tek ata nuk formohen kujtimet afatgjate.
 
Mjekja Betina Forster nga njësia për hulumtime neuroshkencore kognitive të City University London ka deklaruar që ky hulumtim tregon në ekzistimin e lidhjes direkte në mes neurogjenezës dhe formimit të kujtesës.
 
“Këto rezultate vënë në pikëpyetje lidhjen e supozuar në mes zhvillimit verbal dhe amnezisë infantile, si edhe disa teori psikologjike dhe psikoterapike në lidhje me këtë temë”, ka deklaruar Forster./Koha
Artikulli paraprakAudi SQ5 ‘pa shofer’ përfundon suksesshëm udhëtimin historik
Artikulli vijuesProvokimet e Kishës Katolike përmes konvertimeve ‘live’