Sëmundja e lidhur me virusin “Zika”, që ka shpërthyer kryesisht në vendet e Amerikës Latine, përbën një emergjencë shëndetësore për publikun në rang global, gjë që kërkon medoemos një përgjigje të unifikuar nga të gjithë, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekspertët janë të shqetësuar se, virusi po përhapet me shpejtësi dhe në shumë vende, duke shkaktuar edhe pasoja shkatërrimtare. Infeksioni është i lidhur me rastet e mikrocefalitit, në të cilat fëmijët lindin me tru të pazhvilluar.
OBSH-ja e vendosi emergjencën nga Zika në të njëjtën kategori shqetësimi siç vendosi Ebolan pak kohë më parë. Kjo do të thotë se është e nevojshme të ndiqen kërkimet shkencore të nevojshme për të luftuar infeksionin.
Anembanë botës janë më shumë, por vetëm në Brazil janë rreth 4.000 raste të raportuara me mikrocefalit që prej muajit tetor të vitit të kaluar. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan e quajti “Zikën” si një “ngjarje e jashtëzakonshme”, që kërkon një kundërpërgjigje të koordinuar.
“Po deklaroj tashmë se, shpërthimi i fundit i mikrocefalitit dhe çrregullimeve të tjera neurologjike të raportuara në Amerikën Latine, pas një shpërthimi të ngjashëm në Polinezinë franceze në vitin 2014, përbën një emergjencë të shëndetit publik në rang global”.
Ajo shtoi se prioritetet kryesore janë: mbrojtja e grave shtatzëna dhe fëmijëve të tyre nga dëmet që shkakton ky virus, si dhe kontrolli i mushkonjave që po përhapin me shpejtësi këtë virus. Ajo i këshillon veçanërisht gratë shtatzëna të konsiderojnë shtyrjen e udhëtimeve nëpër zonat e prekura nga “Zika”, si dhe të kërkojnë këshillim nga mjeku familjar nëse jetojnë në ato zona, ashtu sikurse edhe të mbrojnë vetveten nga pickimet e mushkonjave, duke u veshur mirë dhe duke u lyer me ilaç kundër tyre.
Doktoresha Chan e justifikoi deklarimin e emergjencës globale, pavarësisht paqartësive mbi sëmundjen, duke thënë se kishte ardhur koha për ta bërë diçka të tillë dhe për të nisur kundërveprimin. OBSH u përball me kritika të rënda për pritjen aq gjatë për ta deklaruar shpërthimin e Ebolas një emergjencë publike.
Aktualisht nuk ekziston ndonjë vaksinë apo mjekim që mund të luftojë “Zikan”, por e vetmja mënyrë për ta shmangur atë është duke shmangur të qenit të pickuar nga mushkonjat “Aedes”, që e transmetojnë këtë infeksion nga njeriu te njeriu.