Zvicër, rrahje në Aeroport mes shqiptarëve nga Maqedonia

Cyrih, 21 tetor- Sot rreth orës 4 të mëngjesit ka ndodhur një dramë e rëndë familjare në Aeroportin e Cyrihut të Zvicrës. Një konflikt mes të dy familjeve shqiptare nga Maqedonia ka eskaluar në një therje me thika, që ka rezultuar me një të ri shqiptar të plagosur rëndë.

Siç merr vesh albinfo.ch nga burime jozyrtare, shqiptarë që kanë qenë të pranishëm në ato momente në Aeroport, bëhet fjalë për një zënkë në mes të dy familjeve shqiptare nga Maqedonia.

Por, ato nuk mund të precizojnë nëse familjet në fjalë janë nga Tetova apo nga Gostivari. Madje, personat që kanë parë ngjarjen tregojnë për një pamje të tmerrshme.

Gjurmët e gjakut të personit të plagosur kanë përshkuar holin e Aeroportit në gjithë gjatësinë e tij.

Ndërkaq, policia e kantonit të Cyrihut ka bërë të ditur se i plagosuri është një shtetas maqedonas i moshës 27 vjeçare. Ai së bashku me familjarë të tij e ka kaluar natën në terminalin numër 2 të Aeroportit duke pritur fluturimin për në Shkup.

Por, kur, rreth orës 4 të mëngjesit është paraqitur bashkëshortja e tij me vëllanë dhe babanë e saj, ka plasur sherri në mes të dy familjeve. Dhe, për pasojë, 27 vjeçari ka pësuar plagë të rënda dhe është dërguar në spital. Dorasit e dyshuar kanë ikur nga vendi i ngjarjes, por janë kapur pas pak nga policia në kantonin Vaud.

Artikulli paraprakAmerikanët nuk e njohin Amerikën!
Artikulli vijuesTre të vrarë në Wisconsin të SHBA-ve