Jelekët e verdhë shkundin ekonominë dhe turizmin e Francës

0
115

Numri i vizitorëve po ashtu ka shënuar rënie për 4,2 për qind, ndërsa dyqanet, restorantet dhe qendrat tregtare humbën dy miliardë euro.

Rreth 58 mijë punëtorë mbetën të papunë për shkak të dëmeve.

Protestat e jelekëve të verdhë, të cilat tashmë kanë hyrë në javën e dhjetë, i kanë dhënë një goditje të fortë ekonomisë dhe turizmit të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE), norma e rritjes e Francës, ekonomisë së dytë më të madhe në Evropë, në tremujorin e fundit të vitit 2018 për shkak të protestave do të jetë më e ulët sesa që pritej.

INSEE bëri të ditur se vendi ka reduktuar rritjen e parashikuar nga 1,7 në 1,5 për qind për vitin 2018.

Që prej 17 nëntorit, mijëra protestues të veshur me xhaketa të verdha të ndritshme, të quajtur jelekët e verdhë, fillimisht u tubuan në qytete të mëdha franceze, duke përfshirë Parisin, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburanteve nga ana e presidentit francez, Emmanuel Macron, si dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Rënie në fluturimet ndërkombëtare në Paris

Protestat po ashtu prekën turizmin në Paris gjatë festës së Vitit të Ri.

Christian Mantei, drejtor i Agjencisë së Zhvillimit të Turizmit në Francë “Atout France”, tha se është shënuar një rënie prej 5 deri në 10 për qind në fluturimet ndërkombëtare në Paris. Sipas tij, po ashtu edhe rezervimet e fluturimeve në Paris për tre muajt e parë të vitit 2019 kanë shënuar rënie për 6,8 për qind për shkak të protestave.

Sipas kompanisë hulumtuese Quantaflow, numri i vizitorëve po ashtu ka shënuar rënie për 4,2 për qind, ndërsa dyqanet, restorantet dhe qendrat tregtare kanë humbur dy miliardë euro.

Disa dyqane të njohura përgjatë bulevardit të famshëm Champs-Elysees të Parisit po ashtu mbyllën dyert e tyre si rezultat i protestave.

Shumë sektorë u dëmtuan

Është raportuar se rreth 58 mijë punëtorë mbetën të papunë për shkak të dëmeve dhe se çështja i kushtoi qeverisë rreth 32 milionë euro.

Sipas firmës ndërtimore Vinci, protestat çuan në dëmtime të vlerësuara në dhjetëra mijëra euro. Të paktën 60 për qind e 3.200 radarëve të vendosur janë vandalizuar.

Përderisa sektori i ushqimit ka pësuar një humbje prej afro 13 miliardë euro, kompanitë e transportit janë dëmtuar me një shumë të vlerësuar prej 2 miliardë eurosh për shkak të vështirësive në dërgesa.

Federata Franceze e Sigurimeve, një organizatë ombrellë për kompanitë e sigurimeve, raportoi se gjatë protestave u dëmtuan më shumë se 6 mijë makina, zyra dhe shtëpi, të gjitha të vlerësuara me një shumë prej 100-200 milionë euro.

Protestat e jelekëve të verdhë

Protestat bllokuan rrugët dhe po ashtu edhe hyrjet dhe daljet në stacionet e benzinës dhe fabrikave në të gjithë vendin. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe me topa uji.

Protestuesit, të cilët në përgjithësi jetojnë në zonat rurale për shkak të qirasë së lartë në qytete, kërkuan nga presidenti Macron uljen e taksave të karburanteve dhe lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Nën presion, presidenti Macron paralajmëroi një rritje të pagës minimale dhe u tërhoq nga rritja e taksave.

Megjithatë, që atëherë protestat janë rritur në një lëvizje më të gjerë që synon të trajtojë pabarazinë e të ardhurave dhe po bën thirrje për t’u dhënë qytetarëve një zë më të fortë në vendimmarrjen e qeverisë.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, më shumë se 5.600 janë arrestuar dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur gjatë protestave.