Marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me fenë dhe simbolika e vizitës së përfolur të Nishanit në Qabe

Vizita e presidentit Nishani në dy Vendet e Shenjta të Islamit përbën një zhvillim të rëndësishëm për nga pikëpamja politike e diplomatike për Shqipërinë dhe për bashkësinë muslimane

Krerët e Shtetit Shqiptar janë nga më të përfolurit në marrëdhënie me komunitetet e ndryshme fetare, e sidomos në marrëdhënie me komunitetin më të madh fetar në vend, atë musliman.

Vizita e parë e kreut të Shtetit Shqiptar në një xhami për herë të parë është bërë pas mbërritjes së Princ Vidit në Durrës dhe marrjes së frenave të shtetit të sapo ngritur nga Ismail Qemal beu, Haxhi Vehbi Dibra, dom Nikollë Kaçorri etj. Kjo vizitë është bërë në mes të marsit ashtu siç na njofton edhe gazeta Dielli, që del në Shtetet e Bashkuara. Në një lajm që më tepër i referohet Esat pashë Toptanit marrim vesh se princ Vidi i shoqëruar nga Esat Pashën, Aziz pashën dhe kapiteni Italian Kastoldi ka vizituar xhaminë dhe aty dëgjuan një fjalë të Myftiut të Madh të Shqipërisë Haxhi Vehbi Dibra. Sipas të dhënave të tjera, princ Vidi ka qenë i shoqëruar edhe nga Hafiz Ali Korça, i cili i ka shërbyer si përkthyes për këtë rast tejet të rëndësishëm në historinë e Shtetit Shqiptar.

Historia e pas viteve 1920 është e mbushur plot me ndeshtrasha deri në momentin kur në krye të Shtetit vendoset mbreti Ahmet Zogu, i cili në kuadër të reformimit të shoqërisë dhe shtetit shqiptar u mundua të respektojë me sa mundet Komunitetin Musliman. Zogu pati përplasje të forta me Bashkësinë Muslimane, por hoxhallarët shqiptarë të prirur për të qenë konstruktivë në mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare dhe në veçanti të asaj muslimane u munduan të gjejnë një modus vivendi me regjimin autoritar mbretëror.

Gjithsesi do të ishte viti 1942 koha kur një tjetër mbret do ta vizitonte Xhaminë e Sulejman Pashës në kryeqytet për t’i bërë një homazh besimit të shumicës muslimane shqiptare. Mbreti Viktor Emanueli do të vizitonte fillimisht Xhaminë e Sulejman Pashës, ku do të pritej nga dy figurat më të larta të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, kryetari dr. Behxhet Shapati dhe kryemyftiu i Tiranës h. Muharrem Mullahi, për t’i vazhduar vizitat e tij të kortezisë në Kishën Katolike dhe Ortodokse të kryeqytetit.

Viti 1944 do të ishte fillimi i një regjimi të errët që punoi me përkushtim për rrënimin e feve në Shqipëri, ku në mënyrë sistematike do të shkatërrohej në mënyrë ta pa deklaruar fillimisht, e më pas do të vinte viti 1967 me ndalimin e feve, ku dëmin më të madh do ta pësonte bashkësia muslimane, e cila përbën shumicën edhe sot e kësaj dite. Tomor Malasi e Azem Hajdari janë figurat më të larta të post-komunizmit që u shfaqën haptas në safet e para të bajrameve, por gjithsesi nuk është se sollën ndonjë ndihmesë të drejtpërdrejtë për bashkësinë muslimane shqiptare.

Ajo që vërehet menjëherë qysh në ditët e para të pasdemokracisë janë sulmet tejet të ashpra që vijnë nga media të ndryshme shqiptare kryesisht ato të shtypit. Rëndom muslimanëve iu ofrua “kthimi në identitetin e të parëve”. Kjo situatë u rëndua pas 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste, ku edhe bashkësia muslimane shqiptare u vu nën presionin mediatik. Një deklaratë e paprecedent e presidentit Moisiu, që i nxirrte muslimanët si kripto-të krishterë shkaktoi një reagim tejet të ashpër tek e gjithë bashkësia muslimane në përgjithësi, dhe presidentit Moisiu iu desh të bënte një vizitë në zyrat e KMSH-së e të citonte ndonjë hadith nga Profeti Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, i servirur nga ndonjë shërbëtor i zellshëm për t’i kërkuar falje muslimanëve në përgjithësi.

Vizita e presidentit Bujar Nishani me ftesë të mbretit Selman të Arabisë Saudite dhe vizita e dy Vendeve të Shenjta të Islamit përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për nga pikëpamja politike e diplomatike për Shqipërinë dhe për bashkësinë muslimane të saj. Islamofobia e tepruar nga mediat e ndryshme dhe e ushqyer nga rrjetet sociale ka krijuar një imazh tejet të shtrembëruar për muslimanin tipik, i cili si gjithë të tjerët kërkon të bëjë një jetë normale dhe pa shumë telashe për t’iu përkushtuar më tepër fesë dhe Zotit. Vizita e Vendeve të Shenjta nga presidenti është një përgjigje e mirë ndaj tendencave islamofobike në përgjithësi, çka do të thotë që politika e gjen mundësinë e duhur për rrugëzgjidhje. E në fund të fundit edhe presidenti, edhe e gjithë politika e ka të nevojshme t’i drejtohet vlerave morale dhe shpirtërore, me të cilat feja edukon një komb.

Nga Roald A. Hysa

Artikulli paraprak3 sekretet e njerëzve që nuk sëmuren kurrë
Artikulli vijuesRrethimi i Qabes: kur ekstremistët merrnin peng vendin më të shenjtë të botës islame