Admirali i NATO-s, Foggo: Shndërrimi i FSK-së në Ushtri, çështje e Qeverisë së Kosovës

KFOR-i vazhdon të gëzojë besimin me të lartë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie dhe se jo vetëm që e ruan paqen, por dhe e ndërton atë.

Kështu tha sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it. Thaçi, shprehu mirënjohje për punën e gjeneralit të deritanishëm Giovanni Fungo, për punën e tij për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

E komandanti në largim i KFOR-it Giovanni Fungo, në fjalimin e tij gjatë ndërrimit të komandës u uroi kosovarëve një të ardhme të ndritur.

Ndërsa thotë se ishte i nderuar, që i ishte besuar një detyre e tillë, për të qenë komandant i një misioni kaq të rëndësishëm.

“Më lejoni gjithashtu të falënderoj të gjitha vendet që i besuan KFOR-it, duke shpërndarë ushtarët e tyre, rininë e tyre më të mirë për të qenë pjesë e një operacioni shumë larg, ndryshe nga kultura dhe tradita, ende shumë të ndjeshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor…Kur më thanë se do të shkoja në Kosovë për të shërbyer si komandant i Forcës së Kosovës, isha i përulur dhe njëkohësisht i nderuar për besimin e pakushtëzuar që ishte vendosur mbi mua…. Për njerëzit e Kosovës, ju uroj të gjithëve më të mirën në të ardhmen e ndritur që e keni përpara dhe të cilët ju plotësisht e meritoni”, tha ai.

Ndërkaq komandanti i i ri i KFOR-it Salvatore Cuoci, tha se moto e tij do të jetë një përkushtim i qëndrueshëm.

“Unë jam komandanti i 22 i KFOR-it. Moto ime do të jetë përkushtim i qëndrueshëm. Do të vazhdojmë të njëjtën gjë, për të stabilizuar, për të demokratizuar dhe për të dërguar tutje këtë rrugë për një vend të mirë rajonal… Mezi pres të bashkëpunoj me ju dhe me institucionet tuaja”, tha ai.

Ndërsa komandanti i Komandës së Forcave të përbashkëta në Napoli, admirali Jeames G. Foggo tha se misioni i NATO-s dhe institucionet e Kosovës, për këto vite kanë bërë një punë të shkëlqyer për të vendosur stabilitet dhe siguri.

“Ky mision i NATO-s që ka qenë këtu për 18 vjet është bërë një punë e shkëlqyeshme me institucionet në Kosovë për të vendosur stabilitet siguri dhe zbatimin e ligjit. E dyta është se Aleanca është e përkushtuar që ta vazhdojë praninë e KFOR it në Kosovë. Mendoj se kjo është mjaftë e rëndësishme gjersa lëvizim në hapat e tjerë tek sundimi i ligjit dhe zhvillimi i demokracisë”, tha Foggo.

I pyetur rreth transformimit të FSK -së në ushtri dhe se kur pritet që të ndodhë kjo, ai tha se kjo është çështje e institucioneve të Kosovës.

“Çështja e transformimit dhe e ardhmja e FSK-së është një çështje e Qeverisë së Kosovës. Sepse përfshin reformën kushtetuese. Dhe mendoj se kjo është diçka që edhe presidenti juaj edhe Parlamenti juaj e kuptojnë. Nuk është një vendim unë ose ne në këtë rast duhet të marrim, por është brenda institucioneve të Kosovës. Për shkak se edhe NATO është më se e interesuar që të bëhet diçka në bashkërenditje me Kushtetutën e Kosovës në mënyrë që FSK, të transformohet në diçka që ju e dëshironi”, tha Foggo.

Ndërsa sa i përket demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, Foggo tha se kjo është një çështje e cila duhet të zgjidhet përmes një dialogu produktiv mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Artikulli paraprakA do ta shkarkojë Haradinajn partia që e shkarkoi Mustafën?
Artikulli vijuesUshtria merr pushtetin në Zimbabve, nuk e quan puç