10 mënyrat më të shpeshta të mashtrimeve në internet

Interneti nuk është një foshnje të cilën ju mund të e ledhatoni si të doni, të e ushqeni si të doni, të i bërtisni si të doni dhe në fund të ndaheni i/e kënaqur si të doni. Interneti është një trung i madh manaferre, i cili ka fruta dhe gjemba në të. Ju duhet të përcaktoni rrugëtimin tuaj nëpër internet, mënyrën e shfrytëzimit të tij për veten tuaj dhe mënyrën e shfrytëzimit të tij për të ndërvepruar me të tjerët si në jetën private ashtu edhe në jetën publike. Ju mund të merrni frute manaferrash të u jepni të tjerëve ose mund të merrni gjemba dhe të i thumboni të tjerët. Fundi-fundit përgjegjësia, herët ose vonë, bie mbi ju.
 
Për më tepër, interneti është mjet i cili nuk u lë rehat edhe nëse ju jeni lepur, i butë, por u vije pas gjatë secilit veprim tuajit. Kështu që mase e nevojshme është të keni kujdes gjatë dhënies dhe marrjes së informacioneve, si dhe gjatë komunikimit në përgjithësi në internet.
 
Në vitin 2012, vetëm në SHBA u vodhën 12.6 milion kartela identiteti (Bob S., 2013), kurse në gjithë botën numri i të dhënave të kartelave të vjedhura bankare në 7 vitet e fundit, edhe atë vetën nga pesë kriminelë interneti, ishte 160 milion (Augenstein S., 2013 & Süddeutsche Zeitung GmbH, 2013) . Numri i të dhënave të vjedhura nga individë të ndryshëm në shumicën e vendeve të botës e të Evropës madje është gjithnjë në rritje (FICO, 2013). Ajo që neve në këtë rast më së shumti na intereson është mashtrimi i drejtpërdrejtë i joni nga ana e përdoruesve tjerë të internetit.
 
 
Më poshtë do të sjellim listën e tentimeve më të përhapura për mashtrim dhe mënyrën e mbrojtjes nga ato.
 
Puno nga shtëpia – problemet e zhvillimit ekonomik të ngadalshëm në vendet në zhvillim dhe stagnimi i përsëritur ekonomik në vendet e zhvilluara ka bërë paraqitjen e sistemeve të reja të punësimit ku në pah vijnë kompanitë e ndërmjetësimit të cilat për leverdi ekonomike merren me menaxhimin e fuqisë punëtore për kompani të caktuara ose edhe ofrojnë kompani me mandate të përkohshme. Ekzistimi real i këtyre kompanive ka mundësuar paraqitjen e hijeve të tyre në internet ku mashtruesit në emër të ndërmjetësimit ofrojnë vende pune me mundësi të ndryshme, madje edhe fitim parash pa punuar fare. Këto oferta pune me orar të plotë ose me orar të shkurtuar e madje edhe ma punuar fare kërkojnë angazhimin e “të interesuarve“ në forma të ndryshme të cilat u fusin në listën e të mashtruarve, sepse në fund të fundit nuk keni fituar asgjë, e që janë: mbushja e pyetësorëve të ndryshëm me të cilin veprim hyni në listë për të fituar diç me vlerë, klikimi mbi reklama ku fitoni dhe ju me ato klikime, shitja e produkteve e shërbimeve miqve tuaj për të marrë pjesë në atë fitim dhe ju, futja e të dhënave tuaja private në formularët e „punësimit“, hapja e kontove të zbrazëta bankare dhe dhënia e të dhënave ofruesve të „vendit të punës“ ku ata përdorin konton tuaj për të „larë“ paratë, përdorimi i emrit dhe adresës suaj për të dërguar postë/paket nga një në adresa tjera.
Si të mbroheni: Nëse oferta e cila u bëhet u duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë dhe ofruesi është i pa njohur, atëherë e lini fare sepse është mashtrim.
 Keni fituar loto – në vlerë prej 1 milion €, na i dërgoni të dhënat tuaja për të plotësuar aktin e transferimit të parave. Kjo është nga ofertat më të vjetra që mbaj mend, bashkë me „mashtrimin nigerian“. Këtë lloj mashtrimi e mbaj mend të e kem hasur që gjatë viteve 1998-1999. Për vendet e zhvilluara duket të është një mashtrim jashtë mode, por për vendet në zhvillim është në pikë të vëmendjes. Njerëzit regjistrohen thuajse çdo ditë nëpër faqe të ndryshme për veprimet të ndryshme dhe pranojnë letra informimi e ndër to vijnë dhe ato si kjo, ku ju keni fituar loto, akoma pa mbushur fletën (fjalë ironie). Kështu që lajthitja juaj fillon që në momentin që ju klikoni mbi nyjën, nëse ka, dhe dërguesi i asaj porosie kupton se pas asaj IP adrese ka një njeri kurioz të cilit edhe më pas duhet t’i dërgojmë posta kurioze, pastaj vazhdon me atë që ju i shkruani dërguesit një letër se çfarë të bëni për të konfirmuar të fituarit e lotos, më tej vazhdon me dërgimin e të dhënave tuaja, duke shkuar tek më e keqja mund të vije situata që ju duhet të paguani veprimet administrative të transferimit të parave si dhe tatimin e fitimit. Pasi të keni paguar, nëse vije deri tek kjo, atëherë e kuptoni se u ka kapur flaka që nuk shuhet dot. Atëherë, keni fituar vërtetë loto.
Si të mbroheni: Mos luani loto, edhe ashtu është në thelb mashtrim. Nëse pranoni një postë të tillë elektronike dhe ju e dini që nuk keni luajtur loto asnjëherë ose së paku këtë muaj, atëherë griseni dhe mos klikoni askund e as mos u përgjigjni. Nëse keni luajtur, atëherë vërtetoni nëse posta është e kompanisë ku keni luajtur. Nëse në postë shkruan që keni fituar mbi 1 milion € ose $, griseni postën sepse tek ne askush nuk jep 1 milion në loto.
 
Faqet e takimeve personale – janë popullarizuar fillimisht në vendet e zhvilluara si nevojë për njoftimin e njerëzve mes veti nga pamundësia për të gjetur partnerë për jetë. Tek ne shqiptarët është bërë shumë e njohur kjo sferë pothuajse për të gjitha moshat e meshkujve, e madje edhe të femrave të cilët në të shumtën e rasteve i shfrytëzojnë për aventura. Me gjithë seriozitetin e kompanive që ofrojnë këto shërbime mund të vërehen tre lloj mashtruesish të cilët gjuajnë „gjahun“ në mënyrë të vazhdueshme për të përfituar financiarisht në mënyrë direkt ose indirekte. Tre llojet kryesore të mashtrimeve janë: 1) anëtarët mashtrues të cilët mashtrojnë anëtarët tjerë, 2) faqet të cilat deklarohen si falas dhe ofrojnë shërbime falas e që u detyrojnë të paguani pas abonimit dhe 3) faqet të cilat u vjedhin të dhënat anëtarëve dhe ua shesin palëve tjera të interesuara për ato të dhëna.
Si të mbroheni: Mos u regjistroni në faqe të tilla, por kërkoni shkues. Meqë keni vendosur të regjistroheni, atëherë shihni mirë nëse shërbimi është falas dhe informohuni në internet rreth faqes në të cilën dëshironi të regjistroheni, se si përdoruesit nëpër botë vlerësojnë atë faqe. Nëse tanimë jeni regjistruar, mos u dërgoni para personave të pa njohur, edhe nëse u ofrojnë biznese të levërdishme, ose edhe nëse u qajnë hallin se macja u ka vdekur nga infarkti në zemër. Thjeshtë mos lëshoni zemër tek fjalët të cilat në fund nuk përfundojnë me pikë por me para.
mashtrim email
 
Mashtrimi nigerian/419/Nevojitet ndihma juaj – përfshinë një mori lloje të teksteve që dërgohen nëpër posta private. Kërkon ndihmë ndonjë princ, bankier, posedues kompanie, menaxher, politikan. Të gjithë këta që kërkojnë ndihmë nuk duan asgjë financiarisht nga ju sepse këta tanimë janë të pasur, por u nevojitet ndihmë që pasurinë e tyre te e transferojnë nga vendlindja e tyre në një vend të sigurt. Kështu që atyre u nevojiten të dhënat tuaja si dhe kontoja bankare ose mbase herë pas here nëse fillohet diskutimi me ata kërkojnë edhe një mbështetje të vogël (2000-3000€) për të realizuar disa veprime meqë paratë që do të dërohen në konton tuaj njëherë për njëherë janë të bllokuara. Juve do tu dërgohen 1 milion €. Këto posta njihen si mashtrimi nigerian sepse në kohën e paraqitjes së parë të këtyre postave kërkohej „ndihmë“ nga banorët nigerian për të transferuar paratë e tyre nga shteti i tyre i korruptuar, nga kriza në vend. Mashtrimet aso kohe kis
hin arritur kulmin nga që njerëzit tregonin solidaritet dhe ndihmonin nigerianët (në fakt ishin mashtruesit që mblidhnin paratë) të zgjidhnin problemet e tyre.
Si të mbroheni: Këto posta edhe nëse i lexoni, MOS klikoni në asnjë nyje, MOS dërgoni të dhënat tuaja askujt, MOS dërgoni informacionet bankare, MOS kontaktoni personin që u ka shkruar këtë postë meqë i tërë procesi është mashtrim për të marrë informacionet tuaja ose edhe para.
 
Produkte mjekësore – faqet e internetit dhe porositë që bëjnë marketing të produkteve mjekësore kanë barë për çdo sëmundje, madje edhe për ato që mjekësia serioze akoma nuk ka përgjigje. Mjeku online ka një mur diploma dhe është ekspert i disa sëmundjeve i cili u sugjeron barëra dhe terapinë e caktuar. Në internet qarkullojnë qindra barëra kundër rënies së flokëve, kundër plakjes, kundër sëmundjeve të lëkurës, kundër trashjes, etj. etj. Dhe përsëri kemi aq shumë tullacë, pleq e njerëz me lëkurë të sëmurë ose të infektuar. Kryesore në këtë fushë është se reagimi i medikamenteve është shumë i shpejtë, sa çelë e mbyllë sytë ju ia keni arritur qëllimit.
Si të mbroheni: Shkoni te mjeku. Nëse keni probleme, atëherë konsultoni mjekun dhe i lini sugjerimet në internet. Ka shumë faqe sugjerimesh të cilat janë me vlerë të madhe për të realizuar veprime në internet, për të riparuar kompjuterin, automobilin e të tjera, por shëndeti është diç e nivelit tjetër. Shëndetin tuaj mund të e vlerësojë mjeku i cili merret personalisht me ju.
 
Faqe të falsifikuara zyrtare – është një sferë e besimit ndaj institucioneve që në këtë pikë vihet në krye. Shumë posta elektronike dërgohen në emër të kompanive, institucioneve serioze e madje edhe në emër të shtetit. Porositë në posta të tilla zakonisht janë serioze dhe përmbajnë nyje ku ju për informim të mëtutjeshëm duhet të klikoni, ose posta elektronike ku ju duhet të përgjigjeni. Porosi të tilla shpërndahen më miliona tek përdoruesit të cilët kanë konto tek faqet e njohura si Facebook, Twitter, Linkedin, Pinterest e të tjera. Të gjitha porositë vijnë nga një postë e këtyre kompanive e në fakt janë porosi mashtrimi të dërguara nga mashtruesit. Postat elektronike zakonisht këto porosi drejtpërdrejtë i dërgojnë në shportë hedhurinash, së paku këtë e bën pa asnjë problem Gmail.
Si të mbroheni: Fillimisht nëse ju nuk keni kontaktuar ndonjë kompani, institucion privat ose ndonjë institute të shtetit, atëherë kur ju arrin ndonjë porosi e tillë duhet të e lexoni me kujdes. Kontrolloni postën e dërguesit, që zakonisht është „origjinale“, pastaj tekstin dhe në fund edhe nyjat e bashkëngjitura ose postën ku duhet të përgjigjeni. Nyjat mund të i kontrolloni duke ofruar miun mbi nyje pa e klikuar ose përmes instalimit të softuerit për shfletues WOT. Sa i përket postës ku duhet të përgjigjeni, është e thjeshtë, nëse ajo postë nuk është e njëjta sikur ajo që u ka shkruar, ose nëse ajo post nuk është e së njëjtës kompani, atëherë mos u përgjigjni. Është mashtrim. Shembull: Nëse pranoni një postë nga [email protected] dhe në tekst u thuhet të përgjigjeni tek [email protected], atëherë ky është mashtrim. Nëse nuk keni njohuri të mjaftueshme rreth mbrojtjes nga interneti dhe postat mos i lexoni porositë të cilat posta juaj i ka dërguar drejtpërsëdrejti në shportën e hedhurinave.
 
Softuerë me nën-softuerë – është një sistem shumë i marketingut kohëve të fundit. Nëse instaloni softuer falas, i cili ndodh të është shumë i mirë për nevojat tuaja të caktuar, shpesh herë ndodhë që pas instalimit të tij diç nuk është në rregull me kompjuterin tuaj, ose kur të shihni në desktop ju nuk keni instaluar një, por më shumë se një softuer. Madje në disa raste instalohen softuer të cilët nuk e dini që i keni instaluar e që punojnë në prapavijë. Mbledhin të dhëna nga veprimet tuaja, e skena më e keqe është ajo e mbledhjes së të dhënave bankare që shpie drejt plaçkitjes suaj financiare.
Si të mbroheni: Mos instaloni softuerë nga burime të pa njohura. Fillimisht informohuni, në internet, mbi softuerët që doni t’i instaloni, pastaj i instaloni ato. Nëse instaloni softuerë falas, ose me kod të hapur, atëherë MOS klikoni next.. next… next, por secilin hap e shihni me kujdes se nuk bëhet name nëse instalimi u zgjatë edhe një minutë më tepër.
 
Mashtrimet në Facebook – janë bërë më të njohurat kohëve të fundit dhe kanë bombarduar edhe përdoruesit shqiptarë me të madhe. Profilet e njerëzve “serioz” e të atyre mistrecëve stërmbushen me postime e foto të llojeve të ndryshme. Ato s’janë pjellë e tyre, por pjellë e kuriozitetit të tyre për t’i pare “zogun” Tunës. “Ekspertët“ e mashtrimeve në internet shfrytëzojnë kuriozitetin e njerëzve për të depërtuar më tej në mbledhjen e të dhënave tuaja, instalimin e softuerëve të ndryshëm në kompjuterin tuaj, instalimin e viruseve, të mini-softuerëve të cilët mbledhin të dhënat tuaja, shfrytëzimin e IP adresës suaj për nevoja të tyre, si dhe plaçkitjen tuaj. Ata shfrytëzojnë çdo mënyrë për tu bërë veprues, qoftë ajo përmes të kënaqurit tuaj ose përmes nxitjes së ndjenjës së keqardhjes. Tani janë ndryshimet politiko shoqërore në vendet islame që shfrytëzojnë manipuluesit, që në mesin e ofruesve të lajmeve të shtojnë edhe rrënjë manipulimi përmes së cilëve realizojnë fitimet e tyre. Ndër format më të përhapura në Facebook janë : 1) shih këtë video (fillimisht bëje “Like”, pastaj mund të e shohësh), 2) s’po më besohet çfarë pashë, 3) shih kush ka vizituar profilin tuaj, 4) këtë ua ka dërguar filani, 5) nëse i jepni “like” i ndihmoni, 6) ndihmoni me pak para se ka kancer, 7) luani lojën pa pagesë, 8) testoni IQ tuaj, 9) u përgjigja për ty, 10) edhe ti je në foto, 11) bashkohu në këtë grup/faqe për të bërë peticion të shpëtojmë …, 12) nxitje për kontakt seksual/takime personale.
Si të mbroheni: Kini kujdes nga faqet dhe porositë e pa njohura qoftë edhe nëse u vijnë nga miqtë tuaj. Shumica nuk e kanë idenë se çfarë janë duke bërë dhe vetëm klikojnë nëpër nyje. Mos t’u mbysë edhe juve kurioziteti siç i mbytë plotë. Nëse e keni bërë “Like” një faqe të tillë, largohuni sepse ata vazhdimisht dërgojnë porosi të tilla. Shteti, feja, populli nuk ndihmohen me “LIKE”, por me veprime konkrete. Nëse kërkohet ndihmë atëherë duhet të vërtetoni personalitetin e kërkuesit, përndryshe të largoheni dhe të mos klikoni mbi ato nyje. Të gjithë titujt „interesat“ janë mashtrime. Mendo, gjithnjë kur sheh një titull interesant, ngacmues, është mashtrim, mashtrim, mashtrim. Kapakun ia vë nëse kjo nyje kërkon të e pëlqeni faqen (të e bëni LIKE). Kur e shihni këtë porosi i thoni JO dhe largohuni nga ajo faqe.
 
Mashtrimet ne eBay – janë bërë të përditshme meqë tregu është i madh dhe tregtuesit janë në nivel ndërkombëtarë. Pa keqkuptime eBay është një treg i pasur, por unë preferoj tregje lokale, brenda një shteti të caktuar. Unë kam paguar për mashtrues në eBay. Shumë njerëz gjithashtu kanë paguar në eBay produkte dhe asnjëherë nuk kanë pranuar ato produkte. Zakonisht produktet që shiten nga larg me çmim normal, por me kosto të ulëta dërgimi dhe produktet me çmime shumë të ulëta janë produkte që i ofrojnë mashtruesit qoftë në kualitet qoftë edhe vetëm të u rrëmbejnë paratë. Mashtrime tjera të ngjashme janë blerja e produkteve të ngjashme një të mirë e një të prishur. Mashtruesi blen produktin tuaj dhe një të prishur si ai dhe pastaj kërkon t’i ktheni paratë m
eqë produkti është prishur gjatë dërgimit, përndryshe do u votojë negativisht dhe eBay u mbyll llogarinë. Ju i ktheni paratë, ai u kthen produktin e prishur dhe mban tuajin i cili në të vërtetë është në rregull. Mashtrim tjetër i njohur është në hapësirën e shitjes së veturave ku ofrohen vetura me çmim të caktuar me një depozitë të caktuar të cilin mund të e paguani që shitësi i veturës të mos e shesë veturën pa shkuar ju të e shihni. Ky është mashtrim. Pagesa e depozitit është plaçkitje që nuk mund të e ktheni më, meqë shitësit e tillë zakonisht as që e posedojnë veturën. Lloji i tretë i mashtrimit në eBay është për shfrytëzuesit e shpeshtë. Nëse keni rënë preh e një përcjelljeje të aktiviteteve në eBay, atëherë mashtruesit do të shfrytëzojnë rastin të u dërgojnë porosi në postën tuaj duke u njoftuar se keni llogari të pa paguar në eBay të cilën duhet të e paguani brenda një afati të caktuar. Ky është mashtrim, por porosia mund të duket komplet e stilit origjinal që eBay u dërgon në raste të zakonshme.
Si të mbroheni: Gjatë shitjes së produktit shkruani që akti i shitjes merr fund me shitjen dhe nuk ka kthim të produktit ose sugjeroni që blerësi të blejë sigurim nga ndonjë kompani për mbrojtjen e produktit. Gjatë pagesës dhe pas pagesës së produkteve keni kujdes se kujt i paguani, si i paguani dhe kujt keni mbetur pa paguar që të mos u paguani mashtruesve.
 
Nxitje të keqardhjes – janë rezultat i shumë ndodhive në botën e cila na prekë shpirtërisht. Fëmijë të vrarë, gra të përdhunuara, burra të masakruar, jetimë. Uri kudo, skamje sa të duash, mashtrim sa të duash. Kjo është situatë e frytshme për mashtruesit të cilët u dërgojnë posta ku përshkruajnë ngjarje të dhimbshme të cilat mund t’i zbusni nëse ndihmoni me një sasi të caktuar monetare. Fundja nëse nuk keni mundësi financiare, atëherë shpërndani këtë porosi. Në këtë rast ju jeni bërë pjesë e zinxhirit mashtrues ku nuk përfitoni asgjë, por nga vullneti i mirë ndihmoni mashtruesit.
Si të mbroheni: Mos dërgoni para përmes internetit, sepse ata që kanë aq halle nuk kanë kohë të rrinë në internet dhe të dërgojnë porosi anë e kënd botës. Nëse u vije keq për një ngjarje të caktuar, mund të përçyrreni pak, të i fshini lotët dhe të e grisni porosinë, por mos ua dërgoni miqve tuaj. Nëse ua doni të mirën miqve tuaj, mos u thoni se nëse nuk e shpërndajnë këtë porosi do u ndodh diç e keqe ose s’janë njerëz të mirë sepse në këtë rast ju jeni ai i keqi që ndihmon të keqen.
Suksese!

Autor: Skender Mustafi
Marrë nga Fjalaime

 
Referencat
– Augenstein S. (2013), International hackers stole 160 million credit and debit card numbers in largest U.S. hacking scheme, feds say, New Jersey On-Line LLC, së fundi vizituar më 22 Gusht 2013 tek nyja http://www.nj.com/essex/index.ssf/2013/07/five_hackers_stole_160_million_credit_and_debit_card_numbers_through_international_attacks_federal_i.html
– Bob S. (2013), ID theft on the rise again: 12.6 million victims in 2012, study shows, NBCNews.com, së fundi vizituar më 22 Gusht 2013 tek nyja http://www.nbcnews.com/technology/league-legends-accounts-hacked-north-american-users-targeted-6C10962846
– FICO (2013), Evolution of Card Froud in Europe, së fundi vizituar më 22 Gusht 2013 tek nyja http://www.fico.com/landing/fraudeurope/Evolution_Europe.html
– Süddeutsche Zeitung Digitale Medien GmbH / Süddeutsche Zeitung GmbH (2013), Hacker stehlen 160 Millionen Kreditkarten-Nummern, së fundi vizituar më 22 Gusht 2013 tek nyja http://www.sueddeutsche.de/wirtschaft/usa-hacker-stehlen-millionen-kreditkarten-nummern-1.1731207
Artikulli paraprakJa pse Serbia kërkon hise në Liqenin e Ujmanit
Artikulli vijuesKontributi i klerit mysliman shqiptar në hartimin e alfabeteve dhe të abetareve të gjuhës shqipe