Policia e Kosovës ofron shpërblim 10 mijë euro për cilindo që jep informacione lidhur me kryesit e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Policia thotë se është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive në rast për të zbardhur këtë sulm dhe sjelljen para drejtësisë të kryesve të këtij sulmi sa më parë që të jetë e mundur.
“Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për rastin.Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të këtij akti dhe ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro) për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
Policia si dëshmi që mund të ndërlidhen me rastin ka gjet një mjet për hedhjen e predhave me të cilën dyshohet se është kryer sulmi, gjithashtu në rrugën “1 Tetori” është gjet një motoçikletë e cila ishte duke u djegur si dhe shishe molotovi, që dyshohet se mund të jenë përdorur nga të dyshuarit.
Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adrese: Tel:-080019999 ose – 192, dhe e-mail:[email protected]
Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.