10 teknologjitë që ndryshuan biznesin, përgjithmonë

1. Stiva LAMP
Shkurtimi LAMP qëndron për ‘Linux, Apache, MySQL dhe PHP’, të cilat janë një sërë pajisjesh open source për zhvillimin e Uebit. Sipas Jordan Hudgens, një nga inxhinierët softuerikë të MCW Services, LAMP pati sukses të madh për shkak të kostove të ulta të implementimit. Para se të përhapej LAMP, kompanitë duhet të kontraktonin grupe të veçanta inixhinierësh, shumë prej tyre përdornin .NET Framework si dhe të blinin licensat nga Oracle dhe Microsoft.

2. SalesForce.com
SalesForce.com pati konkurrencë serioze kur debutoi në 1999 – veçanërisht nga sistemet e atëhershme CRM. Por kohët kanë ndryshuar. Vetëm në tremujorin e fundit të 2011, faqja përpunoi 45 miliardë transaksione të klientëve. Numri total i klientëve ka shkuar në 100 000. Cili është sekreti? Një nga përgjigjjet është fakti që ofrojnë një produkt të përshkallëzueshëm që të jep mundësi të shohësh me lehtësi grupe të dhënash që lidhen me klientët. Psh, NBC Universal e përdor këtë sistem për të menaxhuar fushatat e saj të marketingut.

3. Adobe PDF
Tashmë në internet ka rreth 150 milionë dokumente PDF dhe secili mund të krijoj dokumentet e tij duke përdorur veglat si CutePDF. Avantazhi është se ato hapen pothuajse në çdo kompjuter apo pajisje mobile. Ndryshimet e fundit përfshijnë edhe vendosjen e fjalëkalimeve për t’i mbrojtur dokumentet.

4. Bluetooth
Fakti që mund të lidhni smartphonin tuaj me radion e makinës është provë e mjaftueshme për rëndësinë e teknologjisë Bluetooth. Përmirësimet e fundit, si versioni Bluetooth 4.0, që nuk harxhon shumë bateri dhe transmeton cilësi më të mirë zëri, na sigurojnë se ky sinjal lidhjeje pa kabëll do të vazhdojë të jetë tepër popullor për një kohë të gjatë. Zhvillimet e fundit në sektorin financiar bëjnë të mundur lidhjen e smartphonit tuaj me Bluetooth për të trasmetuar numrin e kartelës suaj të kreditit gjatë blerjeve online përmes një lexuesi kredit kartelash.

5. Wi-Fi
Është një nga zbulimet më të rëndësishme në 20 vitet e fundit. Përdoruesit mobil mund të punojnë nga çdo vend i botës, të përdorin telefonët përmes internetit, të printojnë dokumente nga distanca, të shkëmbejnë materiale përmes rrjeteve që punojnë më shpejtësi të matura në Gigabit etj. John Riordan, CTO i OnSIP shprehet se Wi-Fi pati një sukses kaq të madh për shkak se standardet e tij u zhvilluan shumë shpejt, duke qënë në koherencë me kërkesat e kompanive.

6. E-Printing
Ndoshta nuk e dini, por printimi elektronik po merr një përhapje mjaft të gjerë çdo ditë e më shumë. Modele si HP Officejet 6700 të lejojnë të printosh përmes një adrese e-maili. Edhe Google është i përfshirë në këtë risi; përdoruesit mund t’i dërgojnë materialet përmes Google Cloud Print dhe ato printohen më pas nga printeri juaj. Avantazhi më i madh është fleksibiliteti, pasi mund të jepni komanda për të printuar nga shtëpia apo nga pajisjet mobile dhe kur të shkoni në zyrë, materialet tuaja do të jenë gati.

7. VPN
Rrjetet virtuale private janë bërë sot qëndra e çdo kompanie që punon më një numër të madh të dhënash. Në vitet e para të kompjuterëve, kompanitë duhet të rrezikonin duke transmetuar të dhëna nëpër rrjete të pasigurta dhe të merrnin përsipër rrezikun e vjedhjes së të dhënave të tyre. Më pas filluan të përdoreshin Firewall-ët e më pas u arrit tek VPN. Alan Lepofsky, zëvendës president dhe drejtor analist tek Constellation Research, thotë se lidhjet përmes VPN kanë pasur ndikim të madh në biznes për shkak të uljes së kostove së udhëtimeve, rritjes së hapësirës dhe mundësive për të punuar nga shtëpia, madje edhe uljen e shpenzimeve për zyra.

8. Procesorët Multi-Core
Njëherë e një kohë CPU mund të bënte vetëm një punë njëkohësisht. Ishte kompania Intel ajo që prezantoi procesorët shumë bërthamësh për të gjithë kompjuterët. Sot, ju mund të luani në sfond një video HD dhe në të njëjtën kohë të kontrolloni e-mailin. Rob Enderle, drejtor analist i Enderle Group, thotë se procesorët shumë bërthamësh i hapën rrugën multi-tasking. Aplikacione të rëndësishme si antivirusët tashmë janë më të efektshëm, pasi mund të skanojnë kompjuterin pa penguar përdoruesin nga punët e tij.

9. Shërbimet Ueb të Amazon
Ndoshta nuk është shumë e dukshme por disa prej kompanive më të famshme bazohen tek shërbimet Ueb të Amazon, e cila është një platformë ‘cloud’ për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave. Pa të psh. nuk do të ishte ndërtuar kurrë Dropbox. Analisti Rob Enderle thotë se përfitimi kryesor i këtij shërbimi është fakti që edhe kompanitë e vogla mund të regjistrohen dhe ta menaxhojnë atë në varësi të ecurisë së kompanisë.

10. Google Docs
Google është një nga kompanitë më novatore të 10 viteve të fundit sepse arritjet e saj nuk kufizohen vetëm në kërkimin dhe gjetjen e rezultateve në internet. Google Docs është një nga mënyrat më të mira për të bashkëpunuar, shpërndarë dokumente midis punonjësve të kompanisë si dhe për të ruajtur materiale në ‘cloud’. Analisti Rob Enderle thotë së Google Docs ndihmoi dhe lehtësoi punën e kompanive, stafi i së cilave është i shpërndarë në vende të ndryshme, duke qenë se punonjësit mund të ndanin online me njëri– tjetrin çdo lloj materiali.

Artikulli paraprakDhjetë këshilla për të zvogëluar djersitjen
Artikulli vijuesGjendeti vdekur poeti Ali Podrimja