11 vjeçarja që rrezikon të mbetet në karrocë, operacioni i boshtit kurrizor duhet të bëhet në Turqi

11 vjeçarja Haneta Saliu vuan nga një deformim i shtyllës kurrizore. Gjatë këtyre viteve, në memorien e saj ka shumë spitale, mjekë e operacione. Pjesë e rutinës së saj janë edhe trajtimet e nevojshme për ta përgatitur për operacionin që duhet ta kryejë pas dy muajsh në një spital në Ankara, ku sipas mjekeve atje, nëse vajza nuk e bën këtë ndërhyrje brenda këtij viti, rrezikon të mbetet e palëvizshme përgjithmonë. Por ky operacion i kushton familjes së saj, pothuajse 20.000 euro.

“Dy operacione i ka bërë në Turqi, të suksesshme. Po ashtu e ka pasë të dëmtuar një pjesë të damarit edhe ky operacion doli i suksesshëm. Tash pritet operacioni i fundit i unazave. Nëse bëhet ky operacion do të bëhet mirë. Nëse nuk bëhet sivjet – do të bëhet për në karrocë“, tha babai i Hanetës, Sadulla Saliu.

Haneta u është nënshtruar dy operacioneve në Turqi, një për trajtimin e këllkut dhe një ndërhyrje për rregullimin e një nervi të dëmtuar. Prindërit e saj shprehin dyshimin se nervi i është dëmtuar vajzës gjatë një operacioni të kryer në Maqedoni, me ç’rast asaj i është hequr një brinjë e thyer, kur Haneta ishte vetëm 1 vjeç e gjysmë. Për brinjën e thyer prindërit dyshojnë se dëmtimi i është bërë gjatë lindjes.

“Me karrocë e dërgojmë në shkollë, nuk mundet vetë. Kërkojmë që këtë vajzë ta dërgojmë në Turqi, ta shërojmë vajzën tonë. Kush ka mundësi me na ndihmu”, tha nëna saj, Gylten Saliu.

Familja Saliu nga Nerezi i Shkupit nuk mund ta përballoje koston e këtij operacioni. Të ndodhur në këtë situatë të vështirë ata shpresojnë tek ndihma e njerëzve zemërgjerë. Ndërkohë, ne po përpiqemi të biem në kontakt me mjekët që e kanë trajtuar dhe kanë ndërhyrë këtu në Maqedoni.

https://www.youtube.com/watch?v=ycf13PtQl8s

Artikulli paraprakLlojani, fshati i trafikimit të refugjatëve
Artikulli vijuesKurtz: Vendimtare në gjithë këtë situatë me refugjatët është Greqia