1400 euro është paga mesatare në AKP

Gjatë vitit 2015 për pagat e 258 punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë shpenzuar 4 milionë e 321 mijë euro.

Nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë del se paga mesatare në këtë institucion është hiç më pak se 1395 euro në muaj

Paga mesatare e punëtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit që lamë pas po del të jetë shumë më e madhe sesa e një ministri në Qeverinë e Kosovës.

Duke u bazuar në raportin vjetor të AKP-së, i cili është publikuar të martën, shihet se gjatë vitit 2015 për pagat e 258 punëtorëve janë shpenzuar hiç më pak se 4 milionë e 321 mijë euro, shkruan sot gazeta “Zëri”.

E nëse e bëjmë një kalkulim të thjeshtë del sa paga mesatare në këtë institucion është 1395 euro në muaj. Ndërkaq, duke u bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundërkorrupsionit (AKK) shihet se paga e një ministri në Qeverinë e Kosovës është rreth 1150 euro në muaj apo 250 euro më pak sa e një punëtori që punon në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Për mallra dhe shërbime menaxhmenti i AKP-së gjatë vitit që lamë pas ka shpenzuar 1 milion e 401 mijë euro.

Nga kjo kategori për shpenzime të udhëtimit janë shpenzuar 3,239 euro, për shpenzime të telekomunikimit janë shpenzuar 60,163 euro.

Në kategorinë buxhetore shpenzimet për shërbime gjatë vitit që lamë pas janë 602,854 euro, ku nga kjo kategori 13 mijë e 729 euro janë shpenzuar për shërbime të ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse, 574 mijë euro për shërbime kontraktuese të tjera, etj.

Po ashtu, në kategorinë buxhetore blerje e mobileve dhe pajisjeve gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar 69,886 euro.

Artikulli paraprakSerwer, Veselit: Punoni për ta përmirësuar jetën e qytetarëve
Artikulli vijuesGjykata Kushtetuese: Presidenti nuk do të zgjidhet nga populli