200 xhami për refugjatët, Gjermania refuzon ofertën saudite

Oferta saudite për t’i ndërtuar 200 xhami refugjatëve në Gjermani, që të ndihen, siç thanë autoritetet e Mbretërisë së Gjirit Persik, sa më mirë në shtetin europian, ka marrë përgjigjen që shumëkush mund të priste.

“Çfarë deklarate cinike!”, ishte komenti i Andrea Scheuer, sekretarit të përgjithshëm të CSU-së bavareze, aleatja e ngushtë e Angela Merkel.

“Madje, është më shumë se aq. Kjo nuk quhet as vëllazëri myslimane. Ku është uniteti i botës arabe? Ky vend që bën oferta të tilla, përse nuk u ofrua më mirë t’i hapte dyert e t’i pranonte refugjatët e larguar prej konfliktit të përgjakshëm në Siri”, u shpreh ai.

Në një mendje me të ishte dhe Stephan Mayer, zëdhënësi i CSU-së dhe CDU-së së Merkel në Parlament për çështjet e brendshme.

“Gjermanisë nuk i nevojiten donacione për ndërtimin e 200 xhamive, i nevojitet solidariteti me refugjatët”, qenë fjalët e Mayer.

Propozimi saudit erdhi në kohën kur dhjetëra mijëra emigrantë të tjerë i janë drejtuar kufijve hungareze, shumica me destinacion final Gjermaninë, që këtë vit pret një dyndje prej 800.000 vetësh.

Oferta duket të jetë bërë nëpërmjet kanalesh diplomatike dhe për herë të parë, mbi të u fol në shtypin libanez nga fundi i javës së kaluar.

Artikulli paraprakAksidentohet për vdekje motoçiklisti në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë
Artikulli vijuesHaradinaj: Marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, të dëmshme