Haradinaj: Marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, të dëmshme

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të këmbëngulë se dy marrëveshjet e fundit të qeverisë së Kosovës, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, janë të dëmshme dhe duhet të parandalohen.

Në intervistën dhënë “Zërit”, Haradinaj tha se opozita e bashkuar po vazhdon kundërshtimin nëpërmjet peticionit, ndërsa më pas do të shkohet me protesta të fuqishme. Ai edhe një herë e konsideron kriminal komisionin qeveritar për demarkacionin me Malin e Zi, kurse kërkon nga institucionet e drejtësisë të merren me pasurinë milionëshe të Murat Mehës.

“Do të ishte e zgjuar prej kryetarit të qeverisë që të pezullojë këtë kryetar të komisionit, ose t’i ngrijë aktivitetet e tij derisa gjyqësori dhe prokuroria nuk e japin versionin e vet se a është ky njeri i inkriminuar në vepra kriminale”, tha Haradinaj për Mehën, duke kërkuar gjithashtu të shfuqizohen vendimet e tij.

Ish-kryeministri i Kosovës i dha mbështetje edhe Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi, duke dëshmuar se ky asociacion nuk është i njëjtë me Asociacionin e Komunave Serbe. Sipas tij, Asociacioni në Luginë nuk interferon në Kushtetutën e shtetit serb, kurse Asociacioni i komunave serbe ka kompetenca ekzekutive sa një republikë.

Artikulli paraprak200 xhami për refugjatët, Gjermania refuzon ofertën saudite
Artikulli vijuesPapa: Duket se jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore