Gjykata e Apelit e Kosovës me anë të gjashtë vendimeve të ndryshme u a ka ndërprerë paraburgimin prej 30 ditësh, 28 personave të dyshuar për veprën penale – pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm, nga neni 412 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kolegji Penal i Departamentit të Përgjithshëm, vendosi që kjo masë t’iu zëvendësohet më atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, duke llogaritur nga koha e arrestimit të tyre, më 27.01.2015 dhe 28.01.2015.
Po ashtu kjo gjykatë i ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak një personi të dyshuar për të njëjtën vepër penale dhe ka vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.
Gjykata e Apelit konstaton se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parashikuara nga neni 187 i Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masës së paraburgimit. Kjo gjykatë vlerëson po ashtu se në këto rrethana, sigurimi i pranisë se të pandehurve në procedurë, parandalimi i ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritje të veprës penale, është i mjaftueshëm edhe me caktimin e masës së arrestit shtëpiak.
Të pandehurit detyrohen që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në adresat si në vendimet e gjykatës dhe nuk kanë drejtë të largohen, përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave të tyre jetësore, gjithherë me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake.