Balla: Emigrantët s’mund t’i ndalim me armë

0
198

Gjendja po përkeqësohet por, emigrantët nuk po ndalen. Çdo ditë e më shumë po rritet numri i qytetarëve nga Kosova, që po marrin rrugët ilegale për në shtetet e BE-së. Stacioni i autobusëve në Prishtinë, tashmë është bërë vendtakimi kryesor i të gjithë atyre që vetëm me një letërnjoftim po mbërrijnë deri në Hungari.

Harxhime deri në qindra e mijëra euro, kalime nëpër rrugë të rrezikshme, në shi e borë, janë këto vështirësi që po e përcjellin çdo qytetar të Kosovës, që ka për synim të mbërrij në ndonjërin prej shteteve të Bashkimit Evropian.

 

Ata nuk po ikin nga Kosova, se në vendin e tyre janë të ndjekur, ose janë të diskriminuar, por për të fituar një qindarkë më shumë.

 

Por, këto arsye nuk po i bindin shtetet e BE-së që t’u ofrojnë azil. Këtë madje nuk po e bënë as shteti i Hungarisë, i cili është adresa e parë ku qytetarët e Kosovës ndalojnë për të kërkuar vendstrehim.

 

Vetëm në këtë shtet gjatë muajit janar të këtij viti sipas ambasadorit të Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, janë zbarkuar rreth 10 mijë kosovarë. Por, për asnjërin prej tyre Balla, thotë që nuk do të ketë azil.

 

“Kosovarët kërkojnë azil jo vetëm në Hungari por edhe në vendet e tjera. Por, azili është një diçka për njerëzit që largohen nga diskriminimi, persekutimi religjioz dhe politik, e kështu me radhë. Ndërsa, sipas mendimit tonë këto gjëra nuk ndodhin në Kosovë. Parimisht për emigrantët kosovarë Hungaria nuk ofron azil dhe nuk e ka bërë asnjëherë këtë”, thotë Balla për KosovaPress.

 

Se për çfarë migrojnë kosovarët Balla, thotë që duhet të flasin vetë ata që migrojnë por, se si kalojnë ata deri në Hungari këtë s’është në gjendje ta thotë as vetë ambasadori i këtij shteti në Kosovë.

 

Ky kalim ilegal nuk u shpëton nga sytë as policëve kufitarë në Hungari, që janë të vendosur për rend dhe ligj. Por, një gjë të tillë ata nuk po mund ta ndalin.

 

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla, thotë se shteti i tij nuk ka perde të hekurta sikur se ishin dikur në luftën e ftohtë dhe se në hapësirat përreth kufirit ka pyje, tokë pjellore dhe përrenj që çdonjëri mund të kaloj në mënyrë ilegale.

 

Edhe pse shumë emigrantë ndeshen me policinë, Balla thekson se ata nuk mund të përdorin armët për të ndaluar emigrantët.

 

“Çfarë mund të bënte policia hungareze. Të ndalojë me armë, të fus mina në kufi ose të ndërtojë diçka që …. 100 kilometra i kemi me Serbinë. Si të ndalojmë. Nëse vetë Kosova nuk e ndalon atëherë si të ndalojë Hungaria ose Austria, Gjermania, apo Zvicra….Policia e Hungarisë me atë të Serbisë është vazhdimisht në bisedë dhe bashkëpunojnë në mbrojtjen e kufirit. Por, kufiri është më shumë se 100 kilometër dhe ka edhe qarqe kriminele që e gjejnë rrugën që nuk është e mbrojtur. Ata e dinë më mirë se ju edhe unë se si duhet kaluar kufiri”, thekson Balla për KosovaPress.

 

Numri i migrantëve nga Kosova, tashmë ka kaluar edhe numrin e atyre vendeve që janë në luftë, si: Siria, Iraku, Afganistani, etj.

 

Numri i madh i wmigrantëve ilegalë dhe ndalimi i tyre në shtetin e Hungarisë, ka bërë që edhe qendrat e strehimit të mos mund të përballojnë një fluks të tillë. Kjo, po bënë që edhe kushtet për jetesë të jenë minimale.

 

Edhe pse ambasadori i Hungarisë në Kosovë Laurant Balla, pohon se shteti të ketë vështirësi me strehimin e këtij numri të madh ai, thotë se qytetarët së paku do ta kenë të sigurt ushqimin. Por, Balla nuk mund ta kuptoj se pse ankohen emigrantët ilegalë për kushtet në qendrat e strehimit.

 

“Duhet të them sinqerisht se vendet e strehimit me zor mund të përballojnë një fluks të tillë. Hungaria nuk është gati. Vendet strehimore nuk ishin të ndërtuar për dhjetëra – mijëra njerëz. Dhe mund te jenë. Më duhet të ju them sinqerisht se sa më shumë kalojnë aq më keq do të jetë situata. Është e kuptueshme se vendet e strehimit mund të pranojnë disa qindra. Kemi disa vende strehimi. Mund të pranojnë edhe disa mijëra por jo dhjetëra mijëra. Është e pakuptueshme. Megjithatë njerëzit kanë ushqim dhe nuk do të vdesin nga uria dhe është një diçka tjetër se kur nuk je ftuar – pse ankohesh. Mysafiri është mysafir dhe njeriu i paftuar është diçka tjetër”, thotë Balla./telegrafi