Kategoritë e kafshëve të ndaluara.
Kategoria e parë: Kafshët e pista.
1- Derri.
Derri është kafshë e pistë, pisllëku është në origjinën e trupit të tij, prandaj dhe është i ndaluar në përgjithësi pa marrë parasysh se me çfarë ushqehet dhe pa marrë parasysh se është i butë apo i egër.
Me derrin krahasohen edhe disa kafshë të tjera për të cilat kanë ardhur hadithe që porosisin për pastrimin e objekteve që prekin si qeni dhe miu.
Përsa i përket qenit, Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur qeni të pijë në enën e dikujt prej jush, ta lajë atë shtatë herë, të parën prej tyre me dhe.” E transmeton Muslimi.
Ndërsa për miun, është hadithi i Mejmunes -radiallahu anha- ku thuhet se një mi kishte rënë në dhjamë dhe kishte ngordhur dhe Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Hiqeni atë dhe çka rreth tij dhe pastaj hajeni (dhjamin e mbetur)” e transmeton Buhariu.
Ndoshta këtu mund të futen edhe ato kafshë që janë quajtur të shthurura, siç tregon Aishja -radiallahu anha- se Profeti alejhi selam ka thënë: “Pesë gjallesa janë të shthurura dhe vriten edhe në harem (vendet e shenjta): akrepi, miu, korbi, skifteri dhe qeni i tërbuar” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Fakti që Profeti -alejhi selam- thotë [vriten] do të thotë se nuk lejohet ngrënia e tyre, sepse sikur të lejohej ngrënia, do të kishte thënë [therini] prandaj dhe Aishja -radiallahu anha- thoshte: “Unë çuditem me ata që e hanë mishin e korbit ndërkohë që Profeti -alejhi selam- ka lejuar të vritet dhe e ka quajtur të shthurur” e transmeton Bezzari dhe e saktëson Hejthemiu.
Bazuar në këtë që thamë më lart, mund të shtojmë se çdo kafshë që përmban helm ka gjykimin e akrepit dhe mund të përmendim prej tyre gjarprin i cili në disa vende të lindjes së largët konsumohet si mish.
2- Kafshët e ngordhura
Këtu bëhet fjalë për kafshët që në origjinën e tyre nuk janë të pista, por pisllëku u vjen për shkak të mos therjes dhe nxjerrjes së gjakut.
Këto lloje kafshësh janë sqaruar në një ajet tjetër në Kuran ku thuhet: “Ju është ndaluar e ngordhura…..kafsha e mbytur, kafsha e goditur, kafsha e rrëzuar nga lartësitë, kafsha e vrarë nga brirët e kafshëve të tjera, kafsha e ngrënë nga egërsirat, përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin” Suretu El-Maide: 4.
Këtij lloji u bashkëngjiten edhe ato që janë përmendur në hadithet e Profetit -alejhi selam- dhe që është pjesë e hequr nga kafsha e gjallë.
Ebu Uakidin El-Lejthij -radiallahu anhu- tregon se kur Profeti -alejhi selam- mbërriti në Medine, njerëzit prisnin gungat e deveve dhe dhjamin e bishtit të bagëtive të imta dhe tha: “Çfarë pritet nga kafsha duke qenë e gjallë, është e ngordhur” e transmeton Ebu Daudi dhe Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Këto dy lloje janë përmendur në Kuran dhe janë quajtur të pista, që do të thotë se problemi i tyre qëndron te lloji i mishit që kanë.
Bazuar te kjo që thamë këtu mund të shtojmë edhe tre lloje të tjera kafshësh që problemi i tyre gjithashtu qëndron te lloji i mishit dhe të cilat i ka përmendur Profeti -alejhi selam- në fjalët e tij: kafshët grabitqare, gomerët e butë dhe kafshët që ushqehen me pisllëqe.
3- Kafshët grabitqare mishngrënëse.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- thotë: “Ka ndaluar Profeti -alejhi selam- nga çdo kafshë e egër me dhëmbë grabitqarë dhe çdo shpend me kthetra” e transmeton Muslimi.
Ndalimi i tyre mendohet të jetë se mishi i tyre është i pisët sepse edhe uji që lënë pas pirjes është i pisët siç ka ardhur në hadithin e Ibn Omerit -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- është pyetur për ujin që ndodhet në shkretëtire ku prej të cilit pinë kafshët e egra? Ai është përgjigjur: “Kur sasia e ujit arrin sa dy fuçi nuk ndotet” e tranmseton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Hadithi tregon se sikur të mos ishte ajo sasi uji do të ishte ndotur.
4- Gomerët e butë (shtëpiakë).
Ibn Omeri -radiallahu anhu- thotë: “Profeti -alejhi selam- ka ndaluar ditën e Hajberit nga gomari i butë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi
5- Kafshët që ushqehen me pisllëqe.
Këtu janë për qëllim ato kafshë që në origjinë nuk janë të pista por pisllëkun e fitojnë nga ushqimi, si xhelalja (deveja që ushqehet me jashtëqitje dhe çdo kafshë ).
Ibn Omeri -radiallahu anhu- thotë: “Ka ndaluar Profeti -alejhi selam- nga ngrënia e xhelales dhe qumështi i saj” e transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Mirëpo këto lloj kafshësh që në origjinë nuk janë të pista dhe pisllëku u vjen nga ushqimi pranojnë të pastrohen duke i penguar nga ushqimi i pistë, prandaj dhe Ibn Omeri i cili është edhe transmetuesi i hadithit të këtij ndalimi, e hante mishin e xhelales pas mbylljes së saj tre ditë siç thotë Nafi’ shërbëtori i tij: “Ibn Omeri e mbyllte pulën që ha pisllëqe tre ditë”. E transmeton Ibn Ebij Shejbe dhe e saktëson sheikh Albani.
Këtë gjykim marrin edhe kafshët që ushqehen me koncentrate me përmbajtje të pistë të marra nga kafshët e ngordhura, derri etj.
Shkroi Dr Abdullah Nabolli