5 Shkaqet e lindjes së bidateve

1. Ekzagjerimi (ekstremizmi):
Shembulli më i mirë i tij janë hauarixhët dhe shijat.
Përsa i përket hauarixhëve, ata gabuan në kuptimin e drejtë të ajeteve në të cilat përmendet dhe premtohet dënimi, duke mos marrë në konsideratë edhe ato ajete në të cilat përmendet shpresa dhe premtimi për falje e pendim, siç është ajeti kuranor: “ Vwrtetw Allahu nuk fal qw tw adhurohet dikush apo diçka tjetwr veç Atij, por gjynahet e tjera mw tw vogla ia fal kujt tw dojw.” (En-Nisa: 48) etj. dhe siç është hadithi kudsij që përcjell Profeti salallahu alejhi ue selem nga Zoti i tij: “ O biri i Ademit! Nëse ti më vjen mua me mëkate sa përmasa e tokës, por më takon pa më bërë shirk, atëherë Unë do të vi ty me falje sa përmasat e saj (Tokës)”, (Tirmidhiu), e të tjera argumente nga Sheriati.
Ka thënë komentuesi i Tahauijes (Ibn ebi Iz El-Hanefij): “ Nëse bashkon argumentet e shpëtimit me të cilat u argumentuan murxhiat dhe ato të dënimit me të cilat u argumentuan hauarixhët dhe mu’tezilit, atëherë do ta shohësh qartë gabimin e të dy palëve”.
Ndërsa shijat ekzagjeruan dhe ky ishte një nga shkaqet e shfaqjes dhe lindjes së bidatit të tyre fillimisht nga çifuti Abdullah bin Sebe.
Më pas vrasja e Husejnit radijallahu anhu do të shfrytëzohej nga El-Muhtar bin ebi Ubejd Eth-Thekafij për ta përhapur më shumë këtë bidat… . Do të vazhdonte bidati i shijave të devijonte akoma edhe më tepër derisa arriti në shkallën e ekzagjerimit të imamëve duke u dhënë atyre gradën e profetësisë, por edhe më keq duke u dhënë atyre cilësi hyjnore.

2. Kundërpërgjigjja ndaj një bidati me të njëjtën mënyrë (bidat) apo akoma edhe më keq se ai:
Shembulli më i mirë për këtë janë murxhiat dhe mu’tezilet, mushebihat(përngjasuesit) dhe xhehmijet.
Murxhiat fillimisht lindën si kundërpërgjigjje ndaj hauarixhëve të cilët e bënë qafir Alijun radijallahu anhu dhe dy gjykuesit e tjerë me të. Murxhiat thanë: Nuk gjykojmë për ta por çështjen e tyre ia lëmë Allahut. Në realitet bidati i tyre nuk do të mbaronte këtu, por do të thellohej akoma edhe më tepër derisa thanë: ‘ Gjynahu nuk e dëmton (pakëson) imanin dhe bindja nuk i bën dobi (largon)kufrit’.
Më pas u shfaqën mu’tezilet me bidatin e tyre: ‘një pozitë midis dy të tjerave’, si një urë lidhëse midis hauarixhëve dhe murxhiave.
Mushebihat (përngjasuesit) lindën me bidatin e tyre si kundërpërgjigjje ndaj atyre që mohuan cilësitë e Allahut, siç vepruan xhehmijet dhe që të dy këto grupe ishin në të njëjtin qytet, Belh. Në të jetonte Xhehm bin Safuan, i cili mohonte cilësitë e Allahut dhe iu kundërpërgjigj atij Mukatil bin Sulejman, i cili e mbrojti shumë mirë besimin në pranimin e cilësive të Allahut, por nuk ndaloi derisa ra në bidatin e përngjasimit të cilësive të Allahut me ato të krijesave.
Pra donte t’i kundërpërgjigjej bidatit, por në realitet solli një tjetër bidat që nuk është më i pakët se i pari.
Xhehmijet iu kundërpërgjigjën bidatit të kaderive me një tjetër bidat prej tyre, i cili është el-xhebr (imponimi). Kaderijet pretendonin se është vetë njeriu ai që i krijon veprat e tij dhe jo Allahu, atëherë Xhehm bin Safuani do t’i kundërpërgjigjej me të kundërtën e fjalës së tyre, duke thënë: Allahu është Krijuesi, ndërsa njeriu është i imponuar në të vepruar dhe se ai ska asnjë zgjedhje dhe forcë për të ndryshuar, por është si shembulli i gjethes që lëviz vetëm në atë drejtim që e shpie era. Pra iu kundërpërgjigjën bidatit me një tjetër bidat prej tyre, të njëjtë si ai apo edhe më të madh, sepse përfundimi logjik i këtij bidati është zhvlersimi i ngarkimit me përgjegjësi dhe detyrime nga Allahu dhe zhvlersimi i shpërblimit.

3. Ndikimet e huaja:
Qëllimi me ndikimet e huaja është ndikimi i feve, rrymave dhe besimeve të tjera. Si shembull për këtë pikë mund të përmendim shijat, kaderijet dhe xhehmijet.
Persa i përket shijave e përmendëm më parë se çifuti Abdullah bin Sebe është themeluesi i ekzagjerimit rreth Alijut radijallahu anhu.
Ka thënë El-Bagdadij: “ Kanë thënë dijetërt e Ehli Sunetit se biri i të zezës – pra Ibn Sebe – ishte me besimin e çifutëve, por donte që të shkatërronte besimin e muslimanëve me anë të interpretimeve të gabuara rreth Alijut dhe djemve të tij, me qëllim që edhe muslimanët ta konsideronin atë ashtu siç e keonsideruan të krishterët Isain, të birin e Merjemes alejhi selam”.
Ibn Sebe e mohoi vdekjen e Aliut radijallahu anhu dhe tha: “ Aliju është ngjitur në qiell, siç është ngjitur edhe Isai, i biri i Merjemes…dhe se ai do të zbresë në tokë për tu hakmarrë ndaj armiqve të tij”.
Nga kjo fjalë ne kuptojmë qëllimin e këtij çifuti për të shkatërruar Islamin dhe se pretendimet që ai shfaqi u shndërruan më pas në besime bazë tek shijat…nga profetësia e deri tek hyjnizimi i Alijut dhe imamëve pas tij… e të tjera mendime të gabuara të cilat ai i përhapi dhe ftoi tek ato.
Gjithashtu armiqtë e Islamit nga persët e shfrytëzuan medh’hebin e shijave, sepse e panë atë si mënyrën më të mirë për realizimin e intrigave dhe kurtheve të tyre ndaj Islamit që ua rrëzoi atyre shtetin më parë.
Ibn Hazmi – Allahu e mëshiroftë – pasi kuptoi planet e tyre tha se persët pasi dështun në përpjekjet e tyre kundra muslimanëve me luftë, atëherë menduan të gjejnë një mënyrë tjetër për ta luftuar atë. Kështu ata shfaqën Islamin, i shtyn shijat e atëhershëm drejt dashurisë për familjen e Profetit salallahu alejhi ue selem dhe propagandonin padrejtësinë që iu bë Alijut radijallahu anhu, më pas ndoqën drejtime të ndryshme derisa i nxorrën ata nga Islami.
Në këtë mënyrë devijimi u bë arma kryesore e armiqve të Allahut kundra muslimanëve, por ata nuk arritën të devijonin nga e vërteta ata besimtarë të cilët e njohën Allahun e Madhëruar dhe u kapën fort pas kësaj njohje.
Ndërsa kaderijet, siç e shpjeguam edhe më parë, se i pari që deklaroi pretendimet e tyre ishte një i krishterë që quhej Sensuejhi, më pas e mori këtë besim prej tij Meabed El-Xhuhenij.
Xhehmijet, siç përcjell Ibn Kethir nga Ibn Asakir se ka thënë: “ Xheadi e mori pretendimin e tij nga Bejan bin Sem’an dhe Bejani nga Taluti djali i motrës së Lebid bin E’asam që i bëri magji Profetit salallahu alejhi ue selem dhe ky i fundit nga një çifut në Jemen, ndërsa nga Xheadi e mori Xhehm bin Safuan.
Ka thënë Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – : “ Thuhet se Xhead bin Dirhemi është nga vendi i quajtur Haran dhe në këtë vend ka pasur shumë adhurues yjesh dhe filozofë… e shumë prej adhuruesave të yjeve kanë qenë idhujtarë përveç një pakice prej tyre, ndërsa filozofët ishin dijetarët e tyre…medh’hebi i tyre për Allahun është mohimi i cilësive të Tij, përvec cilësive selbije, idafije dhe murakebe…., pra Xheadi e mori këtë bidat nga adhuruesit e yjeve dhe filozofët.
Më pas nga Xheadi do ta merrte El-Xhehm bin Safuan, i cili kishte kontakte me semenijet me anë të debateve me to.
Imam Ahmedi ka përcjellur debatin që u zhvillua ndërmjet El-Xhehm bin Safuanit dhe semenijeve rreth ekzistencës së Allahut dhe që përfundoi me konkluzionin e El-Xhehmit në përngjasimin e Allahut me shpirtin që as nuk shihet, as nuk dëgjohet dhe as nuk ndjehet.
Dhe siç e përmendëm edhe më parë shumë prej grupeve islame devijuan për shkak të ndikimit që patën nga idetë e huaja.
4. Gjykimi logjik në çështjet fetare:
Kjo është një nga mënyrat që vepruan bidatçinjtë në çështjet e akides, duke refuzuar çdo hadith që nuk i përshtatej arsyetimit logjik apo interpretimeve të tyre. Në këtë mënyrë ata do të refuzonin shumë hadithe të sakta dhe do të akuzonin padrejtësisht zinxhirët përcjellës të tyre.
Shatibiu – Allahu e mëshiroftë – ka përmendur disa nga mënyrat e argumentimit të bidatçinjve dhe ka thënë: “ Ata refuzuan shumë hadithe që nuk u përshtateshin arsyetimit logjik dhe qëllimeve të tyre duke u arsyetuar se këto hadithe janë të papranueshme logjikisht dhe jashtë domethënies së argumentit, prandaj është detyrë refuzimi i tyre, duke refuzuar argumentet e dënimit të varrit… e shumë e shumë hadithe të tjera të transmetuara me rrugë të sakta.”
Kjo mënyrë refuzimi i shtyu ata në fjalë të padrejta ndaj disa përcjellësave të haditheve nga sahabët dhe tabi’inët radijallahu anhum dhe ndaj atyre përcjellësave për të cilët tërë umeti nga dijetarët e hadithit kanë rënë dakort për drejtësinë dhe diturinë e tyre.
Duke u rikthyer përsëri në fjalën për mu’tezilet, shohim qartë këtë bidat nëpërmjet vetë fjalëve të tyre.
Përcjell El-Hatib me zinxhir të tij nga Amri bin Ubejd, i cili është nga krerët e mu’tezilive se kur përmendi hadithin e saktë nga Ibn Mes’udit (krijimi i njeriut në barkun e nenes), tha: “ Nëse do ta dëgjoja E’amashin ta thonte këtë do ta përgënjeshtroja atë dhe nëse do ta dëgjoja Zejd bin Uehb ta thonte këtë nuk do ti përgjigjesha dhe nëse do ta dëgjoja Abdullah bin Mes’udin ta thonte këtë do ta refuzoja atë dhe nëse do ta dëgjoja Allahun e Madhëruar ta thonte këtë, atëherë do t’i thoja Atij: ‘ Nuk e ke marrë për këtë gjë besën tonë!’.
Ibn Kutejbe përcjell se Nedham gjithashtu e ka përgënjeshtruar hadithin e Ibn Mes’udit dhe e refuzoi atë dhe tha më pas Ibn Kutejbe në kundërpërgjijen ndaj tij: “ Nedhami ka edhe fjalë të tjera rreth disa haditheve për të cilat pretendon se janë në kundërshtim me Librin dhe i refuzonte hadithet në bazë të logjikës dhe se arsyetimi logjik ka prestigjin që të anulojë edhe lajme (nga shpallja) dhe ato hadithe që janë në kundërshtim me njëra tjetrën.”
I themi mu’tezileve: Logjikat e njerëzve ndryshojnë midis tyre, një gjë që mund ta pranojë dikush mund ta refuzojë dikush tjetër me logjikën e tij dhe çfarë mund ta përfytyrojë dikush nuk mund ta përfytyrojë dikush tjetër e të tjera ndryshime që ekzistojnë midis tyre… , prandaj cila është ajo logjikë që ka afësinë e plotë për të pranuar Urtësinë dhe vlen si dalluese për njohjen e të vërtetave të Fesë?
Pasataj, cila është dobia e Shpalljes nëse logjika është vetë e aftë të njohë se çfarë është obligim për të dhe çfarë është e ndaluar për të? Por Shpallja në bazë të medh’hebit të tyre është paralizuese dhe vetëm sa e lodh logjikën, sepse e angazhon atë me seleksionimin në refuzimin dhe pranimin e Teksteve në bazë të kuptimit të tyre sipërfaqësor.
5. Përkthimi në gjuhën arabe i librave të filozofisë:
Në kohën e Ma’munit u përkthyen shumë nga librat e fizofisë greke dhe të besimeve pagane, e si rrjedhojë do të lexoheshin nga një grup muslimanësh që do të infektoheshin nga mashtrimet e teorive dhe metodologjive të tyre, duke i marrë si peshore dalluese për njohjen e të vërtetave fetare dhe argumentet nga Kurani dhe Suneti filluan t’i interpretojnë në bazë të teorive filozofike dhe si rrjedhojë kjo do të shkaktonte një devijim dhe bela të madhe.
Ka thënë Ibn Tejmije: “ Kur u përkthyen librat grekë në vitet 200, apologjetët iu mbështetën atyre dhe me anw të tyre gjykonin edhe për çështjet hyjnore, duke humbur në këtë mënyrë shumë prej njerëzve…dhe duke shkaktuar një përçarje të madhe: disa i pranonin, disa i madhëronin, disa i seleksionin, pra çfarë përputhej me bazat e tyre e merrnin dhe në të kundërt e refuzonin dhe disa të tjerë që i krahasonin me mesazhin e profetëve në Libër dhe Urtësi. Për shkak të përkthimit të këtyre librave do të ndodhte një shkatërrim i madh me përhapje të gjerë, ku në thelb do të qëndronte padituria për mesazhin me të cilin erdhën profetët në Libër dhe Urtësi”.
Këto janë shkaqet kryesore të lindjes dhe përhapjes së bidateve në shoqërinë islame.

Shkroi: Dr. Ahmed bin Sead bin Hamdan El-Gamidij.
Profesor në Fakultetin e Akides në Universitetin “Umu el-kura”, në Meken e nderuar.

Artikulli paraprak6 Të mira që fiton nga shoqëria me njerëzit e mirë.
Artikulli vijuesEmra musliman për femra