Tre tonelata e 800 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga ushtarakët e Guardia di Finanza të Leçes, në Itali, të cilat kanë vënë në pranga 11 persona, 9 prej të cilëve shqiptarë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave arrestimet janë kryer në dy operacione të ndryshme, të realizuara pak orë njëra nga tjetra, në fshatrat e Leçes dhe në lokalitetin Çerano të Brindizit.
Në rastin e parë, në një shtëpi të braktisur në Xhorxhilorio, ushtarakët kanë sekuestruar sasinë prej 2 tonelata e 720 kg marijuanë dhe kanë vënë në pranga 6 persona, 4 shqiptarë e 2 italianë.
Mediat e vendit fqinj, që citojnë burime zyrtare nga GDF, shtojnë se shtëpia e braktisur ishte pajisur me telekamera.
Pak më vonë, në një rrugë përgjatë vijës bregdetare në Çerano është ndaluar një makinë tip “Fiat Iveco”, në bordin e të cilës janë gjetur 1 ton e 200 kg lëndë narkotike.
Në pranga kanë rënë dy personat që ishin në bord dhe tre të tjerë që i shoqëronin me një makinë tjetër tip “Toyota Yaris”. Të 5 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë.