“Sot në kontinentin afrikan gjenden 14,7 milionë persona të zhvendosur dhe 7,3 milionë refugjatë”, u shpreh Songwe
Sekretarja e Përgjithshme e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Afrikën (UNECA), Vera Songwe, tha se 97 për qind e popullsisë së refugjatëve në botë janë në kontinentet e Afrikës dhe Azisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i Bordit Drejtues të Unionit Afrikan me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, para Samitit të 32-të të Liderëve të Unionit Afrikan, filloi në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa.
Sekretarja e Përgjithshme e UNECA-s, Songwe, në fjalimin e hapjes së mbledhjes së organizuar para samitit ku tema kryesore do të jetë mbi refugjatët dhe të zhvendosurit, ndau me të pranishmit të dhëna në lidhje me shifrat e migrimit në kontinent.
Ajo tërhoqi vëmendjen në atë se çështja e migrimit është një çështje shumëdimensionale dhe e komplikuar.
“Sot në kontinentin afrikan gjenden 14,7 milionë persona të zhvendosur dhe 7,3 milionë refugjatë”, u shpreh Songwe.
Duke potencuar se kontinentet e Afrikës dhe Azisë janë nikoqire të 97 për qind të popullatës së refugjatëve në botë, Songwe tha se 3/4 e të zhvendosurve në botë gjenden në këto dy kontinente.
Sipas saj, për zgjidhjen e krizës ka nevojë për menaxhim të mirë, institucione dhe lidership solid.
Ndërsa Musa Faki Muhammed, kreu i Komisionit të Unionit Afrikan, nga ana e tij theksoi nevojën për integrimin në kontinent. “Rritja e unilateralizmit na lë pa alternativa, përpos të qëndrojmë afër”, tha ai.
Muhammed tha se Fondi Monetar Afrikan dhe Banka Qendrore e Afrikës duhet të punojnë në mënyrë aktive, gjë që është e nevojshme për tregtinë dhe ekonominë.
Në samitin i cili do të zhvillohet në Etiopi mes datave 10-11 shkurt, pritet që të zgjidhet kryesuesi i ri i radhës së Presidencës së Unionit, me të cilën deri më tani udhëhiqte presidenti i Ruandës, Paul Kagame.