Të gjitha partitë e Egjiptit mbështeten njohjen e Kosovës

Mediat serbe kanë tentuar ta njollosin njohjen e Kosovës nga Egjipti, duke e ndërlidhur atë me marrëdhëniet e autoriteteve të Prishtinës me “Vëllazërinë Myslimane”, partinë e ish-Presidentit Morsi tashmë të rrëzuar nga pushteti.
Këto pretendime të medieve të Beogradit janë hedhur poshtë nga Beqir Ismaili, përfaqësues i Republikës së Kosovës në Egjipt.

Ai në një prononcim për Gazetën Express ka rikujtuar se të gjitha partitë egjiptiane, sekulare apo islamike, kanë nënshkruar një peticion në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

“Njohja e Egjiptit ka qenë fitore e madhe e Kosovës dhe diplomacisë sonë dhe kjo padyshim që ka qenë goditje shumë e fuqishme për Serbinë dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

“Ne kemi takuar të gjitha subjektet politike te revolucionit që përmbysi regjimin atje, subjektet politike legjitime me plaformë sekulare apo islamiste. Të gjitha partitë me iniciativën time kanë nënshkruar një peticion për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirwpo, bashkëpunimin ka qenë institucional në mes të MPJ-së të Kosovës dhe Egjiptit si dhe Ministri Hoxhaj ka takuar Morsin, Zëvendëspresidentin Essam El Hadad dhe Ministrin e Punëve të Jashtme,Kamel Amr”, ka shtuar Ismaili

Ai ka njoftuar se së shpejti pritet edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Kajro.

“Kosova nuk ka asnjë lobistë në Egjipt siç kanë pretenduar mediat serbe. Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës këtu në Egjipt jam unë, me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj”, ka thënë Beqir Ismaili.

Artikulli paraprakDy të akuzuarit e rastit "Monstra" para gjyqit në Prishtinë
Artikulli vijuesNafta e Venezuelës – objektivi kryesor i shërbimeve sekrete të SHBA-së