E la shtëpinë dhe nënën e vetmuar, u nis për Gjermani

Plaka që ka përjetuar dy luftëra, thotë se po përjeton një të “tretë”. “Djali, vetë i gjashti, dhe nipi (djali i djalit tjetër) më kanë shkuar”, thotë Azemine Rexhepi nga fshati Sfeçël i Podjevës, teksa tregon se ka mbetur e vetmuar në shtëpinë e braktisur nga djali i saj që mori rrugën e migrimit.

Lotët ia ndalin fjalët, kur kujton pesë mbesat, më e madhja 25 vjet dhe më e vogla 11 vjet, që më nuk po u dëgjohet zëri në oborr, në fshatin Sfeçël. Ajo thotë se pas mbarimit të luftës nuk ka menduar se do ta shohë të mbyllur shtëpinë e ndonjërit prej djemve.

 

“Tash shtëpia e djalit është mbyll. Ai shkoi. Vajzat i kanë mësuar mirë, por nuk pati mundësi t’i shkollonte më lart. Këta udhëheqësit tanë nuk po mendojnë për ne. E Serbia po pati mundësi krejt i largon prej Kosovës, nëpër rrugë të saj po kalojnë lirshëm”.

 

Azeminja thotë se Rexhepi ka shitur lopën dhe veturën, si dhe ka marrë hua edhe tek motra për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit. Rexhepi është nisur të mërkurën. Ai me vete ka marrë dhe djalin e vëllait, Astritin.

 

Rexhepi 55 vjet dhe Astriti 25 vjet, që të dy ishin të papunë. “Astriti nuk pati mundësi të studiojë në universitet, edhe ai kishte babën e papunë”, tregon kunata e Rexhepit, Mejremja. Ajo thotë se deri tash i mbante shpresat se do të bëhet mirë.

 

“Por, u bënë 15 vjet pas luftës, as punë për ne, e as për të rinjtë, as të holla për të shkolluar fëmijët, prandaj shpresa se do të bëhet mirë më nuk po i mban njerëzit në Kosovë”, thotë Mejremja, duke rrëfyer jetën e saj, përmes saj të një familje kosovare tetanëtarëshe (vjehrrin, burrin dhe pesë fëmijët), me një rrogë të mësimdhënësit në Kosovë.

 

Ajo thotë se fillimisht shitën tokë për të rregulluar shtëpinë e djegur pas luftës, pasi ndihma nuk iu dhanë. “Burri im është mësues. Me këtë rrogë të burrit qe 15 vjet, ne kurrë prej kreditit nuk kemi mundur të dalim. Me të holla në dorë të bësh diçka nuk ke mundësi. Për kredit ta ndalin gjysmën e rrogës, çka blen dhe pak do ushqim, fëmija në shkollë duhet veshur e mbathur, nuk po mund t’ua plotësojmë të gjitha kushtet”, thotë ajo duke përshkuar dhe momentet kur kunati i saj Rexhepi doli jashtë vendit.

 

“Betohem në Zot, kur e përcollëm kunatin (Rexhepin) fëmija u nxehen, lakmonin, thoshin ka dalë për mirë, po dalim dhe ne. Përpara ka qenë një vullnet me qëndru në shtëpi, tash s’ka vullnet, askush tash. Me iu thënë a po dilni, krejt dalin”, thotë Mejremja.

 

Ajo thotë se Qeveria është fajtore. “Nuk kanë bërë asgjë për shtet, asnjë vend pune nuk u hap. Kunati ka shtëpinë e mirë, por me çka të ushqehen, me çka t’i shkollonte vajzat”.

 

Ajo thotë se ka vajzën e madhe në fakultet, por druhet se tjerat nuk do të mundë t’i dërgojë. “Sot një njeri me punu në familje, dhe me i dërgu të gjithë fëmijët në shkollë nuk mundet. Vajza shpesh disa ligjërata i lë pa i dëgjuar se nuk ka mundësi të shkojë çdo ditë”. /Zëri/

Artikulli paraprakDita e hapur e xhamisë në Britani
Artikulli vijuesYmeri: Qeveria në panik, po përpiqet t’i frikësojë qytetarët