Kur do të pranohet Kosova në UEFA?

UEFA pritet ta pranojë Federatën e Futbollit të Kosovës si anëtare të re gjatë muajit qershor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.

Federata e Futbollit e Kosovës është ndër federatat e para në Kosovë që ka nisur iniciativën për anëtarësim në UEFA e FIFA, por për fatin e saj të keq ajo do të jetë e fundit që do të pranohet, meqë të tjerat janë pranuar ose janë në procesin final të pranimit.

 

Por, pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë Ndërkombëtar dhe pranimit ose paralajmërimit për një gjë të tillë të federatave kolektive si basketbolli e volejbolli, presioni është rritur dukshëm mbi UEFA-n dhe FIFA-n.

 

Burime të ‘Kohës Ditore’ të afërta me proceset në FFK bëjnë të ditur se gjithë ky proces do të mbarojë në fund të muajit qershor, kur UEFA pritet ta pranojë Kosovën në gjirin e saj.

 

Pranimi pritet të bëhet më 29 ose 30 qershor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të mbahet në Pragë.

 

Por, para se të vijë deri këtu puna Kosova dhe UEFA kanë punë për të bërë. Hapi i parë është ardhja e një zyrtari të lartë të UEFA-s për vizitë në Kosovës.

 

Kjo sipas burimeve të gazetës pritet të bëhet në ditët në vijim. Zyrtarë të FFK-së nuk kanë mohuar e as pohuar ardhjen e një zyrtari të UEFA-s në Kosovë.

 

“Nuk mund të konfirmojmë një gjë të tillë. Nuk kemi informacion zyrtar për këtë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

 

Me këtë vizitë pritet të nisë një marrëdhënie zyrtare në mes të UEFA-s e FFK-së, meqë deri më tash vetëm FIFA ka pranuar të shqyrtojë mbështetjen e Kosovës.

 

Hapi tjetër që pritet t’i hapë rrugë pranimit të Kosovës është ndryshimi i nenit ‘famëkeq’ në statutin e UEFA-s, që bllokon anëtarësimin e federatave të reja që vijnë nga shtete pa ulëse në OKB.

 

Ky nen pritet të hiqet në Kongresin e UEFA-s më 24 mars në Vjenë, meqë është presioni i FIFA-s për të harmonizuar statutet e konfederatave me të sajin. Në fakt, një nen i tillë është vetëm në statutin e Konfederatës Evropiane.

 

“Jemi në njohuri për kërkesën e FIFA-s bërë UEFA-s dhe heqjen e këtij neni, por nuk dimë se çfarë realisht do të ndodhë”, ka shtuar Salihu. UEFA ka vite që refuzon të shqyrtojë çështjen e Kosovës, me arsyetimin se nuk është anëtare e OKB-së.

 

E muhabeti për Kosovën pritet të mos hidhet në diskutim deri pas zgjedhjeve në FIFA, që do të mbahen më 29 maj në Cyrih.

 

“Pas kësaj, në qershor, çështja e futbollit të Kosovës do të zgjidhet. Kjo punë do të përfundojë me një vendim të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 29 ose 30 qershor”, ka thënë burimi i gazetës.

Artikulli paraprakNew York: Mijëra njerëz nderojnë studentët muslimanë të vrarë në Karolinën e Veriut
Artikulli vijuesBeograd: Shoferi i zemëruar nga gjoba, djeg me benzinë veten dhe dy polic