Një 16-vjeçar nga fshati Marmullë i Gjakovës do të vuajë pasojat e konfliktit të nisur kur ai ende nuk i kishte mbushur 5-vjet. Një shuplakë e dhënë, në një zënkë fëmijësh para më shumë se 10 vjetësh, ka shkaktuar shumë gjakderdhje.
Anëtarët e mbetur të dy familjeve, fëmijët e të cilave kishin qenë të përfshirë në këtë zënkë, vazhdojnë të jetojnë në hasmëri. 16- vjeçari po e jeton adoleshencën nën frikën e fenomenit vrastar të gjakmarrjes, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse më i vogli nga mosha, tani ai është mashkulli i vetëm i familjes i cili jeton në Marmullë. Disa familjarë i janë vrarë, disa janë në burg, ndërsa disa jetojnë jashtë Kosove. Gj.N., i cili jeton në Zvicër, thotë se mendjen e ka gjithmonë tek nipi. Frikësohet se mos edhe ai do të mbesë viktimë e kësaj hasmërie.
“Është rritur me babën në burg. Është djalë hasreti. Gajlen më të madhe e kam atë. Gjithkund ku shkon, shkon me frikë. Ecën duke shikuar mbrapa shpinës mos po i del dikush”, ka rrëfyer ai.
Konflikti kishte nisur për një “lojë fëmijësh”, por që më nuk po mund ta ndalin.
“Një fëmijë i joni ja ka dhanë një shuplakë një fëmiut të kësaj familjes. Kësaj familjes i ka mbetur hatri dhe pas një muaji kanë dalë e kanë vra një mashkull tonin”, ka rrëfyer ai. Gjakmarrja kishte vazhduar më tutje, por fshehurazi.
“Unë e kam në burg vëllain. Edhe djalin e mixhës. Të dytë janë të dënuar me nga 25 vite burg”, ka thënë ai. Por, edhe pse me këto raste është marrë sistemi i drejtësisë, gjakmarrja nuk është ndalur./telegrafi