Gabriel niset për vizitë në Serbi dhe Kosovë

Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, e fillon sot vizitën e tij dyditëshe në Serbi dhe Kosovë, për të diskutuar lidhur me rritjen e tensioneve në raportet ndërmjet dy palëve.

“Ne shohim se disa plagë të së kaluarës ende janë të thella dhe ende i mbajnë tensionet e larta”, tha sot Sigmar Gabriel, para se të nisej për në Beograd.

Ai theksoi se do të angazhohet zëshëm në “mbështetje të zhvillimit demokratik dhe sundimit të ligjit” në të gjitha vendet e rajonit.

Kosova e banuar me popullatë shumicë shqiptare, në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 114 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Por Serbia dhe aleati i saj, Rusia, nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Aktualisht, tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ndërmjet institucioneve qendrore të Kosovës dhe minoritetit serb brenda Kosovës, janë ende të larta.

Gjatë turneut të filluar sot, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, do ta vizitoj edhe Shqipërinë më 16 të këtij muaji.

Duke u shprehur për perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zoti Gabriel theksoi se do tu thotë liderëve të rajonit se “rruga kah BE-ja mbetet e hapur, nëse ju i zgjedhni reformat dhe progresin e jo ndarjet dhe ngecjen”.

Artikulli paraprakKomunat vjelin mbi 3 milionë euro nga taksat për vetura
Artikulli vijuesTanin: Për mandatin e UNMIK-ut në Kosovë vendos vetëm Këshilli i Sigurimit