Hafiz Ali Ulqinaku si një ndër figurat më të shquara të kombit tonë, do të kujtohet e vlerësohet brez pas brezi, si klerik patriot, si luftëtar që mbrojti me armë në dorë trojet shqiptare, si mësues i palodhur dhe shkencëtar i shquar, si edukator i talentuar i masave popullore, që diti të fusë në shpirtin e tyre tolerancën në mes të besimeve të ndryshme fetare dhe të ruajë e të forcojë unitetin e popullit në kohë të vështira.
Hafiz Ali Riza Ulqinakun, punoi e jetoi për një çerek shekulli në qytetin tonë të Lezhës. Siç thotë një studiues, këtu ai do të realizojë krijimtarinë e tij kulturore dhe do të lerë pasardhësit, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite.
Pa mbaruar ende shkollën e mesme bëhet veprimtar aktiv i degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Ulqinin, që udhëhiqesh nga myftiu i qytetit, Hafiz Sali Hylja dhe luftoi me armë në dorë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Po në të njëjtën moshë, ai u dhuroi bashkatdhetarëve të tij, në shqip një nga kryeveprat botërore të letërsisë artistike fetare, Mevludin e Sulejman Çelebiut nga Bursa që shërbeu, jo vetëm për të lehtësuar mësimin e fesë, por edhe për të ruajtur dhe rritur prestigjin e gjuhës shqipe si një ndër më të vjetrat e Evropës. Këto dy akte madhore treguan se një djalë me formim të lartë patriotik dhe me një potencë të madhe intelektuale po hynte në shoqërinë shqiptare, që në atë kohë ishte në kulmin e luftës së saj për të fituar pavarësinë si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit.
Formimin e parë jetësor e mori në familje në mes të bukurive natyrore të Ulqinit, të kësaj perle të Adriatikut, që ndikoi në krijimin e shpirtit të tij artistik dhe do të përshkojë tërë veprën që krijoi. Babai i tij, Jakup Behluli, e kuptoi shpejt zgjuarsinë e djalit dhe e çoi në shkollë te myderrizi më i shquar i qytetit, Hafiz Sali Hylja, që do të ndikojë fort në formimin e tij patriotik, intelektual dhe fetar.
Hafiz Ali Ulqinaku, zgjodhi me zgjuarsi e guxim në mes të shumë mevludeve që ishin botuar deri atëherë në letërsinë artistike fetare turke, Mevludin e Sulejman Çelebiut që ishte më i përsosuri, si rrjedhim edhe më i vështiri për t’u përkthyer. Dihet se guximi shkencor ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të zgjidhur çështje të vështira. Goete thoshte: “Çfarëdo lloj gjëje që mund të ëndërroni ju mund ta filloni atë. Guximi ka aftësi gjeniale, fuqi dhe magji në të. Vetëm angazhohuni dhe mendja nxehet. Fillojeni dhe pastaj detyra do të përfundohet”. Këtë rrugë ndoqi i riu Hafiz Ali Ulqinaku për të realizuar përkthimin e Mevludit të Sulejman Çelebiut, pra, guximin shkencor. Kur mendon se këtë vepër madhore me ide të nivelit të lartë teologjik, filozofik, social psikologjik, didaktik, estetik dhe plot vlera të tjera, ndjen kënaqësi kur informohesh që përkthimin e saj e realizoi një nxënës shqiptar, që ende nuk kishte mbaruar shkollën e mesme. Kurse kënaqësia kthehet në krenari kombëtare, kur lexojmë vlerësimet e specialistëve të kësaj fushe për cilësinë e lartë të përkthimit.
Idriz Lamaj, në SHBA thotë: “Versioni i Mevludit të Hafiz Ali Ulqinakut edhe në ditët e sotme është më i përsosuri, më i popullarizuari dhe më i përhapuri në gjuhën shqipe”, ose kur njihemi me vlerësimin e Tahir Dizdarit e njëjta përshtypje krijohet. Ai thotë: “Edhe pse i vjetër, Mevludi i ka rezistuar kohës sepse autori ka ditur t’u flasë mirë ndjenjave të besimtarëve me frymë poetike që e dallon ndaj të tjerëve me shprehi të përmallshme e të rrjedhshme, prandaj është në përdorim dhe kërkohet prej njerëzve”. Me të drejtë, këtë sukses, mund ta quajmë një mrekulli të vërtetë.
Hafiz Ali Ulqinaku shquhet edhe për ndërgjegje të lartë shkencore. Ai i drejtohet lexuesit si pak kush nga krijuesit e tjerë.
“Kushdo që të vejë hesap ndonji hata,
M’e godit ai që ta shofë i baj rixha”
“Me gjithë modestinë e tij,- thonë Faik Luli e Islam Dizdari,- Mevludi u vlerësua dhe u përhap në mënyrë masive në shumë treva të Shqipërisë, ende sot kërkohet në atë gjendje që është shkruar në vitet 1873-1874” (në Ulqin).
Përkthimi i Mevludit zbuloi herët talentin e Hafiz Ali Ulqinakut në fushën e gjuhësisë si dhe cilësinë e punës mësimore që bëhej në gjuhët e huaja në atë kohë në Medresenë e Ulqinit.
Në Shkodër përveç se mbaroi shkollën në medresenë e njohur të Bushatllinjëve, fitoi dhe një përvojë të pasur nga personalitetet e shquara atdhetare kulturore e përparimtare të kohës si Daut Boriçi, Isuf Tabaku, Sheh Shamia si dhe nga traditat e shquara të qytetit të lashtë e me histori të shkëlqyer dhe me ndikim të kulturës perëndimore”.
Në Lezhë, gjeti një përvojë disa shekullore të gërshetimit të studimeve fetare me ato gjuhësore duke filluar me juristin Lek Dukagjini, me piktor Aleksin e leksikografin Frang Bardhi, me poetin e studiuesin Pjetër Zarishi dhe me poetin e madh “ Nderi i Kombit” Gjergj Fishta etj. Në këtë mjedis krijues hartoi alfabetin shqip me shkronja arabe dhe filloi e mbaroi punën për përgatitjen e fjalorit me 1334 fjalë, që për nder të vendlindjes e quajti “Ulqini”.
“Me vlerë të madhe – siç pohon studiuesi Osman Myderrizi,- është fjalori shqip-turqisht me 9021 fjalë. Fjalorët kanë për bazë të folmen e Ulqinit dhe me ndikim nga e folmja e Shkodrës, e Lezhës, dhe e Shqipërisë së mesme. Ata kanë vlerë leksikologjike leksikografike, dialektologjike si dhe për historinë e gjuhës shqipe”.
HAFIZ ALI ULQINAKU ËSHTË NJË PERSONALITET
ME KARAKTER TË FORTË.
Ai përktheu me guxim Mevludin, kur dihet se shkrimi shqip asokohe ishte i ndaluar dhe me krenari, në parathënie pohon: “Atdheu dhe vendlindja jonë është Ulqini, gjuha jonë është shqipja, shkruaj e flas arabisht, turqisht e shqip”.
Faik Luli e Islam Dizdari, thonë: “Në parathënien shqip të Mevludit, poeti i thur lavde Allahut, Profetit Muhamed por për çudi nuk flet asnjë fjalë për sulltanin Khalif”. Studiuesi i mirënjohur Tahir Dizdari lidhur me këtë problem thotë: “Në veprën e tij nuk ka asnjë gjysëm fjale kushtue sulltanit Khalif. Në kohën e Istibatit zor se ka mujt t’i shmanget ndonjë autor kryeneç librash, që kanë mujt të shohin dritën e botimit”. Mendojmë se kjo ndodhi sepse Turqia i lëshoi trojet shqiptare dhe jua dorëzoi vendeve fqinjë, gjë që ngjalli në shpirtin e tij një zemërim të madh. I biri, Hafiz Seit Ulqinaku, kujton: “I ndjeri Hafiz Ali Ulqinaku, që me të gjithë shokët e tjerë pat lenë atdheun e tij tue nxanë vend në Shkodër nuk gjente asnjë mjet për të ngushëllue shpirtin e vet të dispruem nga humbja e votres prindërore.”
Edhe idetë e tija pedagogjike janë me interes. Ai thotë se fjalorin e shkrova në vargje sepse fëmijët e mësojnë ma lehtë. Dihet se kjo është një kërkesë themelore e pedagogjisë moderne. Komunikimit me te gjitha moshat i kushtonte një kujdes të madh. Ai me shembullin e tij tregoi se mësuesi paralelisht me mësimin duhet të merret edhe me studime shkencore. Vlerëson shembullin pozitiv, si një mjet i fuqishëm edukativ, si dhe zbatimin e dijeve në praktikë që janë ide me vlerë universale.
MENDIMI SHKENCOR PER VLERAT E KRIJIMTARISË
TË HAFIZ ALI ULQINAKUT
Mithat Frashëri është i pari i cili që në vitin 1926 në revistën “Dituria” ka paraqitur fakte interes
ante të pabotuara për Hafiz Ali Ulqinakun. Edhe Xhuvani, Çabej e Demiraj kanë bërë vlerësime për punën e tij si përkthyes, poet e si hartues fjalorësh.
ante të pabotuara për Hafiz Ali Ulqinakun. Edhe Xhuvani, Çabej e Demiraj kanë bërë vlerësime për punën e tij si përkthyes, poet e si hartues fjalorësh.
Osman Myderrizi thekson: “Zëvëndësimi i turqishtes në Mevludin dhe i arabishtes në Hytben kishte rëndësi se sillnin me vehte një konsakrim të gjuhës dhe të shkrimit shqip.” Ndërsa për fjalorin shqip – turqisht pohon se ky fjalor paraqitet me vlera të mëdha sepse përmban shumë fjalë të rralla në mes të cilave edhe terma detarie. Një pjesë e këtyre fjalëve padyshim do të kalojnë edhe në fjalorin e përgjithshëm të gjuhës dhe do të shërbejnë për zhvillimin e gjuhës letrare kombëtare”.
Studiuesi i mirënjohur Shefik Osmani shkruan më 1940 në revistën “ Kultura Islame”: “Vepra 60 vjeçare ‘Mevludi Sherif’ shqip ka mjaft vlerë në letërsinë tonë si një vepër e vjetër e Hafiz Aliut mund t’i bëhet vend në mes të veprave pioniere të gjuhës shqipe”.
Studiuesi i mirënjohur i pedagogjisë Prof. Dr. Musa Kraja në veprën e tij “Mësuesit për Kombin shqiptar” jep vlerat e veprës së Hafiz Ali Ulqinakut dhe e radhit atë në mes të figurave më të shquara të arsimit tonë kombëtar.
Edhe studiuesit nga Kosova e Maqedonia kanë dhënë ndihmësen e tyre të rëndësishme për të hedhur dritë mbi veprën e Hafiz Ali Ulqinakut si Hasan Kaleshi, Jashar Rexhepagiçi, Muhamet Pirraku, Feti Mediu, Nehat Krasniqi. Mexhit Yvejsi nga Gjakova thotë: “Ky burrë i nderuar, ky burrë i kulturuar, përveç që ishte fetar, atdhetar, hoxhë, imam, myfti e mësues ai ishte dhe krijues. Duke pasur parasysh kohen kur ai u muer me krijimtari nuk teprohet nëse cilësohet se ajo krijimtari u solli shqiptarëve shumë dobi”.
Ai ishte ndër të parët tek shqiptarët që ka shkruar përkthyer, botuar vepra fetare, letrare, edukuese, moralizuese. Hafiz Ali Riza Ulqinaku është një figurë e shquar fetare- atdhetare, që i përket periudhës së Rilindjes sonë kombëtare, por që nderohet në të gjitha trojet shqiptare”.
Fama e Hafiz Ali Ulqinakut i kapërceu kufijtë e Shqipërisë. Në Turqi dy enciklopedi me prestigj ndërkombëtar si ajo islamike dhe Enonuu flasin për vlerat e Hafiz Ali Ulqinakut si linguist i shquar. Edhe orientalistë të tjerë dhe albanologë të huaj në studimet e tyre vlerësojnë veprën e tij fetare, letrare e gjuhësore.
Një vend të veçantë zënë dhe studimet që janë bërë nga Ulqini, Shkodra e Lezha për mësuesin, punonjësin shkencor dhe për udhëheqësin e tyre shpirtëror e atdhetar Hafiz Aliun.
Studiuesi i shquar ulqinak, Sytki Malohoxha thotë: “Hafiz Ali Ulqinaku është një figurë e shquar e kulturës sonë në përgjithësi, është atdhetar i kulluar, poet i talentuar, përkthyes i shkëlqyeshëm, leksikograf i dalluar dhe Alim i nderuar në rrethin ku jetoi e veproi dhe më gjerë”.
Rruzhdi Ushaku e Nail Draga në shkrimet e tyre e vlerësojnë si: “ Emër të nderuar të kulturës shqiptare, si një ndër krijuesit, që u përpoq për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe”.
Mustafa Canka në librin e tij “Ulqini në Perandorinë Osmane”, botuar në vitin 2012, shkruan: “Hafiz Ali Ulqinaku është figura më e rëndësishme, që u lind në Ulqin, rrjedh nga një familje detare, Behluli. Mevludi që përktheu ai në moshën 20-vjeçare u bë hymn për shqiptarët myslimanë në tërë Ballkanin. Ai kishte njohuri enciklopedike. Në kohën kur ishte nevoja për alfabetin ai e shkroi, kur u paraqit nevoja për libra me tematikë fetare dhe arsimore ai i përktheu, i përgatiti dhe i plotësoi me materiale origjinale, kur shkollave u duheshin mësues ai e bëri këtë punë”.
Në Ulqin me rastin e 100 vjetorit të vdekjes, u bë një tubim përkujtimor ku u thelluan më tej studimet për këtë figurë të rëndësishme.
Shkodra ka bërë shumë punë për të njohur e përhapur veprën e Hafiz Ali Ulqinakut, Mësuesi i Popullit. Hamdi Bushati thotë: “Mevludi i Hafiz Ali Ulqinakut u bë vepër e dashtun për besimtarët myslimanë të kohës dhe u prit me entuziazëm të madh. Shumica e familjeve myslimane i kishin vënë detyrë vehtes me e pasë në shtëpi një kopje të këtij Mevludi. Bile deri nder shkolla (mejtepe) Mevludi u vu si mësim suplementar për nxënësit djem e vajza”.
Festimi i ditëlindjes së Profetit Muhamed, më 1935, që u organizua nga myftiu i Shkodrës në mënyrë të shkëlqyer, bëri që të shfaqet me tërë madhështinë e saj toleranca në mes besimeve fetare. Në sheshin “Fushë Çelë” minarja e xhamisë ishte lidhur me komunaren e kishës françeskane me një dritë elektrike ku lexohej: “ MIRË SE ERDHE RESUL I PRITUN”.
Mbas fitores së demokracisë me entuziazëm të jashtëzakonshëm u organizuan disa manifestime të mëdha për ditëlindjen e Profetit dhe për Bajram. Është shumë domethënës fakti që ato u përgatitën nga kompozitorët e artistët shkodranë myslimanë e katolikë, gjë, që tregoi se bashkëpunimi në mes të institucioneve fetare vazhdon të lulëzojë në Shqipëri.
Këtyre ceremonive ua shtuan vlerat “Bylbylat e Mevludit”. Ata ishin imamë të talentuar, që këndonin bukur si: Hafiz Muhamet Gogoli, Hafiz Xhevdet Zylja, Hafiz Xhemal Sait Çanga, Hafiz Sulejman Smail Durrësi dhe Hysni Halil Puka.
Studimin më të plotë të këtij Mevludi e bënë dy studiues shkodranë me kompetencë të lartë shkencore, Dr. Honoris Causa, Faik Luli e Islam Dizdari. Ata në veprën e tyre “Mevludet në gjuhën shqipe” paraqitën vlerat dhe të mevludeve të hartuar nga autorë të tjerë.
Edhe ne Lezhë ku punoi e jetoi për një kohë të gjatë, vepra e Hafiz Ali Ulqinakut ka qenë objekt studimi. Populli i Lezhës ia njohu shpejt shpirtin e aftësitë dhe e kërkoi publikisht emërimin e tij, për myfti të qytetit. Kjo dëshmohet me shkresën e Kryemyftiut të Stambollit, kur më 1900 i komunikoi gradimin. Ai i drejtohet me respekt: “Të nderuarit Hafiz Ali Efendi nga ylematë e kazasë së Lezhës, duke pasur parasysh nevojat e popullatës së kazasë së Lezhës, si dhe duke u mbështetur në aftësinë dhe zotësinë tuaj, sipas shkresës se dërguar nga ana e Këshillit administrativ të kazasë për emërimin tuaj, në zbatim të porosisë së vilajetit për gradim, lënien në dorën tuaj të myftinisë së kazasë së sipërpërmendur, konfirmoj me shkrim që jeni Myfti i kazasë së sipërpërmendur”.
I biri, Hafiz Said Ulqinaku, ka qenë imam në Lezhë dhe një intelektual i njohur. Sipas Profesorit të nderuar Mentor Quku, Hafiz Saidi ka pasë miqësi me Mjedën, i cili i ka dhuruar një kopje të botimit të dytë të Juveniljes. Ai ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe për transliterimin e Mevludit në alfabetin e sotëm të shqipes. “Kjo vepër,- thotë ai,- deri më sot ka qarkulluar vetëm ndër duar t’atyre që e njohin alfabetin e turqishtes së vjetër, natyrisht, me kalimin e kohës kishte me u harrue e bashkë me të edhe autori vetë, prandaj m’u desht me e kthye n’alfabetin kombëtar… në këtë mënyrë kujtoj se kam bërë detyrën teme se u dhashë posibilitet çdo shkollari që të studjojë për së afërmi këtë vepër e cila përshkruan jetën e Profetit Hazretit Muhamet.”abetare_daut_borici
Lida Hafizi e bija e të nipit ka mbledhur kujtime nga rrethi familjar, që plotësojnë më tej figurën e Hafiz Ali Ulqinakut.
Pasardhësit e tij ende sot jetojnë në Lezhë dhe shquhen si familje e nderuar në të gjitha drejtimet. Nipi i tij Abdulla Hafizi ka qene veteran i luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Lezhë. Edhe brezi
i ri i kësaj familje, i formuar me idealet e shoqërisë demokratike, po ruan traditën e të parëve dhe vazhdon të bëjë një jetë dinjitoze.
i ri i kësaj familje, i formuar me idealet e shoqërisë demokratike, po ruan traditën e të parëve dhe vazhdon të bëjë një jetë dinjitoze.
Ali Ulqinaku-MevludiProf. Tonin Çobani, në studimet e bëra ka dalë në konkluzion se Hafiz Ali Ulqinaku “me punën e tij të palodhur në radhë të parë si leksikograf, si hartues i abetares shqipe në Lezhë, si përkthyes, si vjershëtor në gjuhën shqipe me alfabet arab, u radhit përkrah figurave të shquara të rrethit të Lezhës që i kanë dhënë shumë kulturës kombëtare të së kaluarës, përkrah Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Leonardo De Martinos, Gjergj Fishtës etj.”.
Studiuesi Gjon Simoni e ka vlerësuar si krijues e si njeri me cilësi të larta morale e njerëzore Hafiz Ali Ulqinakun.
Hulumtuesi i kulturës popullore, Muhamet Lika vlerësoi rolin e tij për forcimin e mirëkuptimit në mes të besimeve fetare.
Edhe sot po bëhen përpjekje për të hedhur dritë në disa drejtime të reja mbi veprën e Hafiz Ali Ulqinakut.
Prof. Musa Kraja jep disa të dhëna për personalitetin e tij social-pedagogjik;
Sytki Malohoxha, studiues i mirënjohur nga Ulqini, paraqet disa mendime interesante” Hafiz Aliu në këndvështrimin Ulqin-Shkodër-Lezhë;
Hafiz Ali Bardhi, Myftiu i Ulqinit, argumenton vlerat e Mevludit si tekst shkollor dhe si vlerë kombëtare për gjuhen shqipe”;
Erton Yzeirllari, Myftiu i Lezhës jep mendime për jetën dhe aktivitetin e Hafiz Ali Ulqinakut duke u mbështetur në dokumente dhe fakte historike.
Prof. Tonin Çobani paraqet disa mendime për Hafiz Ulqinakun si rilindësi i fundit midis Ulqinit dhe Lezhës.
Me këto materiale dhe të tjera të bëra më parë do të përgatitet për botim një vëllim i veçantë.
Për të gjitha këto arritje në shërbim të kombit Hafiz Ali Riza Ulqinakun:
E falënderon Ulqini, vendlindja e tij e dashur që për të mirën e saj nuk kurseu asgjë dhe luftoi me pushkë e pendë për ta mbrojtur atë.
E nderon Shkodra nxënësin e saj të shkëlqyer e mësuesin patriot dhe bëri çdo gjë që ka qenë e mundur për ta studiuar, përhapur dhe popullarizuar shkencëtarin e shquar,veprën e tij me vlera të mëdha atdhetare e fetare.
E kujton Lezha me respekt të jashtëzakonshëm, udhëheqësin e saj shpirtëror, që vetë e zgjodhi, punonjësin shkencor të talentuar që hartoi alfabetin shqip me germa arabe dhe fjalorin “Ulqini”, mësuesin që mësoi dhe edukoi brezin e ri pa dallim feje dhe për këtë kontribut të madh Këshilli Bashkiak i dha titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) me motivacionin “Për kontribut të shquar si intelektual e klerik me formim të gjithanshëm, autor i një alfabeti të gjuhës shqipe (me shkronja arabe) e të një fjalori, si dhe përkthyes i Mevludit”.
E vlerëson i gjithë kombi për kontributin që dha si mbrojtës me armë në dorë i trojeve shqiptare dhe me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit i dha (pas vdekjes) medaljen “Për veprimtarinë patriotike si aktivist i dalluar dhe luftëtar i Lidhjes së Prizrenit”.
Për merita të veçanta në të mirë të kombit, Presidenti i Republikës Prof. Dr. Sali Berisha i dha titullin e lartë “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) me motivacionin “Klerik dhe intelektual i shquar, studiues i apasionuar, mësues dhe edukues i rinisë dhe i masave popullore, hartues e përkthyes i veprave fetare e shkencore”.
Ai pati fatin e mirë që arriti ta shohë realizimin e idealit të tij, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse siç dihet pas pesë muajsh ai vdiq dhe u varros në Shkodër me nderime të mëdha.
Hafiz Ali Ulqinaku si një ndër figurat më të shquara të kombit tonë, do të kujtohet e vlerësohet brez pas brezi, si klerik patriot, si luftëtar që mbrojti me armë në dorë trojet shqiptare, si mësues i palodhur dhe shkencëtar i shquar, si edukator i talentuar i masave popullore, që diti të fusë në shpirtin e tyre tolerancën në mes të besimeve të ndryshme fetare dhe të ruajë e të forcojë unitetin e popullit në kohë të vështira.
Prof. As. Dr. Mark Vuji