Limaj: Kosova është në një situatë jashtëzakonisht të rëndë

Nisma për Kosovën do të vazhdoj të zhvillohet e vetme në skenën politike, si një alternativë për qytetarët e Kosovës që janë të zhgënjyer, të manipuluar, të gënjyer nga qeverisja e viteve të fundit. Lideri i “Nisma për Kosovën” Fatmir Limaj, në prag të një vjetorit të themelimit të këtij subjekti politik, ka shpalosur synimet e subjektit që ai drejton.
 
Ai thotë se Nisma do të jetë zë i të gjithë atyre qytetarëve të pambrojtur dhe do të punoj për ta çliruar shtetin nga kapja që i është bërë nga disa individ dhe grup njerëzish.
 
Lideri i ‘Nisma për Kosovën’, Fatmir Limaj, thotë se subjekti që ai drejton u formua në një situatë tejet të vështirë, pasi që pak muaj pas themelimit, ende e pa konsoliduar mirë në teren, i është dashur që të përballet me zgjedhjet nacionale.
 
“Duke shprehur mirënjohje për qindra e mijëra njerëz, aktivistë e vullnetarë që iu bashkuan kësaj platforme alternative, arritëm me sukses të përballojmë edhe këtë situatë jo të lehtë dhe sot brenda një viti Nisma mund të jetë një faktor i rëndësishëm në skenën politike kosovare, si parti parlamentare, si subjekt i cili ka në konceptin e saj vijën e zhvillimit të vet politikë, për të cilën qytetarët kanë pasur nevojë që të kenë një alternativë ndryshe nga tjerët.
 
 Ne për një vit arritëm që të konsolidohemi, të jemi parti parlamentare dhe nga tani e tutje, ose nga 28 shkurti i këtij viti, Nisma do të jetë në një fazë të re të zhvillimit të saj që do të kaloj nga një iniciativë qytetare në parti politike”, tha Limaj.
 
Limaj tha se Nisma tashmë ka arritur objektivin e saj, duke qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Nisma për Kosovën e ka arritur objektivin e saj. Objektivi i saj ka qenë të jetë parti parlamentare dhe sot është parti parlamentare. Nisma për Kosovën e ka arritur objektivin e saj që sot të ketë njerëz të cilët përqafojnë idetë dhe parimin kryesor të Nismës. 
 
Parimi kryesor i Nismës, mbi bazën e të cilës është krijuar Nisma, është parti e hapur ndaj problemeve të qytetarëve, duke trajtuar të gjitha temat. Nuk ka asnjë temë që ne se trajtojmë, një parti e cila sjell dinjitet dhe moral politik, dhe mbi të gjitha slogani ynë është një parti që mbanë fjalën”, shprehet ai.
Limaj thekson vendosmërinë që Nisma për Kosovën të vazhdoj dhe të zhvillohet e vetme në skenën politike, por pa përjashtuar që gjatë rrugëtimit të saj të bashkëpunoj me subjektet tjera politike, për tema që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve.
 
“Zhvillimi i Nismës do të jetë një zhvillim i veqshëm, në gjithë territorin e Kosovës, do të shkoj duke u zhvilluar dhe zgjeruar. Natyrisht ne gjatë rrugës nuk përjashtojmë bashkëpunimin me forcat tjera politike në interes të vendit. Dhe të gjitha subjektet që ofrohen ndaj këtij koncepti do ta kenë derën e hapur të bashkëpunimit në fusha e në tema të caktuara. 
 
Sikurse Nisma nuk do të pranoj të jetë konformiste për të plotësuar ose për të mbështetur koncepte që nuk janë në përputhje me atë çka ne kemi deklaruar dhe për atë çka ne jemi’, thotë Lima.
Ndërsa, me një aktivitet solemn Nisma për Kosovën do të shënoj një vjetorin e themelimit, por që nuk do të jenë të ftuar liderët e subjekteve tjera politike, meqë sipas liderit të saj Fatmir Limaj, ky është një aktivitet i brendshëm.
 
“Jo, mendojmë që aktiviteti është partiak dhe ne veprojmë ashtu siç veprojnë edhe partitë tjera në rajon. Në një aktivitet partiak nuk ftohen as konkurrentet politik, sepse është një ceremoni krejt e brendshme, dhe ne nuk e kemi parë të nevojshëm të ftohen subjektet tjera politike në një aktivitet të brendshëm”, theksoi Limaj.
Kreu i Nisma-s ka folur edhe për rolin që ka subjekti që ai drejton në Kuvendin e Kosovës. Sipas Limajt, sot është një opozitë shumë e zëshme dhe me kualitet më të mirë se sa ka qenë opozita e kaluar, pavarësisht se numrat janë më të vegjël se sa që kanë qenë në legjislacionin e kaluar.
 
Një rol të rëndësishëm në këtë opozitë të fortë, sipas Limajt, ka luajtur Nisma për Kosovën, e cila është ofruar dhe ka bashkëpunuar me subjektet tjera politike opozitare për temat që janë në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
 
Nisma për Kosovën në vitet e ardhshme ka dy synime kryesore, shtrirjen e strukturave të saj në gjithë territorin e Kosovës dhe vazhdimin e rolit të saj në Kuvendin e Kosovës.
 
“Këto dy vitet e ardhshme është konsolidimi dhe shpërfaqja e alternativës tonë politike në tërë territorin e Kosovës, ky është aktiviteti ynë në terren. Ndërsa, aktiviteti tjetër shumë i rëndësishëm i Nisma-s do të jetë Parlamenti i Kosovës. Nisma do të jetë zë i fuqishëm i kapjes së shtetit. Ne besojmë se shteti është i kapur, ne besojmë sikurse çdo qytetarë i Kosovës që shteti i Kosovës është në një situatë jashtëzakonisht të rënd, me vet faktin që është kapur nga një grup njerëzish dhe individësh. 
 
Ne duam që institucionet tona të jenë të pavarura dhe secili njeri që është në institucione ta kryej detyrën e vet në përputhje me ligjin”, theksoi Limaj.
Ai shtoi se Nisma për Kosovën do të jetë në kujde të pambrojturve, të atyre që u bëhet e padrejtë, të atyre që marrin iniciativa në të mirën e vendit.
 
Nisma për Kosovën u themelua me 28 shkurt 2014, kur dy ish zyrtarët e lartë të PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, vendosën t’i ndajnë rrugët nga Partia Demokratike e Kosovës ku kontribuuan për një kohë të gjatë.kohaislame
Artikulli paraprakÇohu
Artikulli vijuesVV në Prishtinë çon në Kundërkorrupsion 10 asamblistët për konflikt interesi