Ombudspersoni insiston: Gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme

 Avokati i Popullit i Kosovës, Sami Kurteshi, në konferencën e sotme për shtyp ka publikuar faktin se, gjyqtari Robert Carolan i Gjykatës Kushtetuese, kishte përjashtuar veten nga pjesëmarrja në procedurën e rastit që, Institucioni i Avokatit të Popullit kishte ngritur lidhur me vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese prandaj, sipas dokumentit që e ka siguruar Kurteshi, gjatë zgjedhjes së gjyqtarëve kishte mungesë të kuorumit dhe i tërë procesi është i kundërligjshëm.
 
Bazuar në faktet e reja të cilat dalin nga letra që Avokati i Popullit e kishte pranuar personalisht nga gjyqtari Carolan, më datën 13 shkurt 2015, Ombudsmani i Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimit për ligjshmërinë e zgjedhjes së tre gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të parregullsive në procesin zgjedhor.
 
“Në këtë letër gjyqtari Carolan konfirmon në mënyrë kategorike, kopjen e kemi këtu, origjinalin në të vërtetë. që nuk ka marrë pjesë në procedurën e rastit që e ka dërgua avokati i popullit në Gjykatën Kushtetuese. Ajo që është më e rëndësishme është se përjashtimi i gjyqtarit Carolan, këtë përjashtim Gjykata Kushtetuese në dokumentin e saj por edhe në bërjen publike e ka fshehur në aktvendimin që nxirret nga çdo gjykatë, nga kjo gjykatë në çdo rast” tha Kurteshi.
 
Më tutje, Avokati i Popullit ka theksuar se, dokumenti i dorëzuar nga Carolan është shumë i rëndësishëm për dy arsye.
 
“Arsyeja e parë është se pa pjesëmarrjen e gjyqtarit Carolan gjykata nuk e ka pasur kuorumin e duhur prej shtatë gjyqtarëve për të marrë vendim në këtë rast dhe për këtë arsye aktvendimi i gjykatës për papranueshmërinë e rastit që e ka dërgua avokati i popullit është i pavlefshëm nga ana ligjore. Duke e marrë parasysh pavlefshmërinë e aktvendimit të gjykatës unë sot e kam dërguar tek Gjykata Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e dekretit të presidentes Jahjaga për vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese. Bashkë me këtë kërkesë unë e kam dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe një kërkesë për përjashtimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani nga pjesëmarrja në procedurën e rastit. Kjo për arsye se me një memorandum të brendshëm të misionit të EULEX-it , konfirmohet se kryetari Hasani është konsultuar nga EULEX-i dhe e ka miratuar anashkalimin nga kuvendi në vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën kushtetuese” deklaroi Ombudspersoni i Kosovës i cili, qysh në fillim, kishte ngritur shqetësimin e tij rreth emërimit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe dekretimit të tyre nga presidentja e Republikës së Kosovës, kur edhe Gjykata Kushtetuese (GjK) kishte dal me një vendim se gjyqtarët ishin zgjedhur në mënyrë të rregullt ligjërisht.
 
Ndërkohë, vendimin e Kushtetueses për ta dëshmuar ligjshmërinë e zgjedhjes së këtyre tre gjyqtarëve, Avokati i Popullit e kishte kontestuar me dyshimin se, në nxjerrjen e këtij vendimi nuk ka pas kuorum dhe kjo u vërtetua me letrën e fundit të gjyqtarit Carolan ku zbulohet përjashtimi i gjyqtarit Carolan nga procesi i zgjedhjes, si dhe mos përmendja e këtij fakti në Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
 
Kjo krijon dyshimin e arsyeshëm se, dy gjyqtarët që kanë nënshkruar këtë Aktvendim, kryetari Hasani dhe gjyqtarja raportuese, Arta Rama-Hajrizi e kanë mashtruar publikun, duke fshehur faktin se Gjykata nuk kishte kuorumin e duhur për të marrë vendim në këtë rast.
 
Në këtë konferencë shtypi, Avokati i Popullit tha se ai ka shtruar edhe një sërë pyetjesh, të cilave do të duhej përgjigjur Gjykata Kushtetuese: Pse mospjesëmarrja e gjyqtarit Carolan nuk përmendet askund në Aktvendim? Pse emri i gjyqtarit Carolan paraqitet në faqen e parë si pjesë e trupit gjykues që ka shqyrtuar këtë rast, ndërkaq sipas vetë atij, ai nuk ka marrë pjesë? A kanë përjashtuar veten edhe gjyqtarët e tjerë ndërkombëtarë? A është munduar Gjykata të detyrojë gjyqtarin Carolan për të marrë pjesë në procedurë, përkundër vetë-përjashtimit të tij?
 
Kurteshi deklaroi se, këto pyetje ua ka drejtuar Kryetarit Hasani, gjyqtares raportuese Arta Rama-Hajrizi dhe tre gjyqtarëve ndërkombëtarë: Carolan, Rodrigues dhe Botusharova-Doicheva.
 
Mirëpo, përveç gjyqtarit Carolan i cili është përgjigjur me letrën e 13 shkurtit 2015 dhe ka bashkëpunuar me Avokatin e Popullit, gjyqtarët tjerë kanë refuzuar të japin sqarim të kësaj situate, përkundër detyrimit të tyre kushtetues dhe ligjor për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit.
 
Kjo, sipas Kurteshit është alarmante sepse, fakti që katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë asnjë problem të shkelin pikërisht atë Kushtetutë që janë betuar për ta mbrojtur, tregon mjaft për gjendjen dëshpëruese të gjyqësorit të Republikës së Kosovës.
 
Ai thekson se me zbulimin e faktit se, gjyqtari Carolan ka përjashtuar veten nga shqyrtimi i rastit, tashmë nuk ka të bëjë vetëm me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentes, por edhe me mundësinë që të paktën dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë nënshkruar Aktvendimin në këtë rast, kanë mashtruar opinionin publik, në një vendim zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.
 
Sipas Kurteshit, një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë as në minimum, nëse populli nuk mund të ketë besim në ndershmërinë dhe integritetin bazik të zyrtarëve më të lartë të shtetit, sidomos kur përballemi me dëshmi serioze që gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese mund të kenë falsifikuar një vendim zyrtar, për të fshehur faktin që nuk kanë përmbushur kuorumin për nxjerrjen e vendimeve. Në bazë të kësaj, nëse ky dyshim vërtetohet, atëherë kjo është një goditje e rëndë në themelin e demokracisë kosovare sepse, sipas Kurteshit, një gjë është e qartë: nëse Kryetari Hasani dhe gjyqtarja Rama-Hajrizi, ose edhe ndonjë gjyqtar tjetër e ka mashtruar publikun në vendimin e Gjykatës, atëherë akti i dorëheqjes është veprimi i parë dhe më i paktë që duhet bërë. Pohimi kategorik i gjyqtarit Carolan se “nuk ka qenë pjesë e vendimit” në fjalë, është  dëshmi e pamohuar nga askush prej Gjykatës deri më sot, ndërsa gjyqtarëve Hasani dhe Rama-Hajrizi u është ofruar mundësia për t’u sqaruar plotësisht, por këtë ata e kanë refuzuar deri tani.
 
Në përmbyllje, Institucioni i Avokatit të Popullit e konsideron të domosdoshëm dhe të obligueshëm, sqarimin institucional të Gjykatës Kushtetuese, ashtu si edhe llogaridhënien e gjyqtarëve veç e veç, për qytetarët e vendit dhe opinionin e gjerë publik.
Artikulli paraprakKroacia do të nënshkruajë marrëveshje mbi Qendrën për Kërkim dhe Inovacion të Ballkanit Perëndimor
Artikulli vijuesBozkir: Turqia nuk ka ndërmend të presë 50 vite për anëtarësim në BE