Djali e përzuri nga shtëpia nënën, që e rriti jetim

Vdekja e burrit jo vetëm që ia la zbrazëti në jetë, por gruas H.A. i mbeti barrë e rëndë që në skamje t’i rris dy fëmijët, vajzën 10 vjeçare dhe djalin 8 vjeçar. Edhe pse i rriti me shumë mund, nënën fatkeqe vajza e braktisi në moshën 19 vjeçare, pasi u martua dhe shkoi në Gjermani. Kurse djali, posa u martua, e përzuri nënën nga shtëpia, për shkak se nusja nuk ia duronte nënën.
Nëna H.A. thotë se vuajti shumë derisa i rriti fëmijët jetimë, pa baba. Por, thotë se në kohët në të vështira asaj i doli në ndihmë vëllai dhe i  ndihmoi t’i rris shkollojë fëmijët.
 
“Vajza posa i bëri 19 vjet u martua dhe shkoi në Gjermani. Sado që u mërzita, prapë isha e lumtur që ajo gjeti rehatinë e saj”, rrëfen 50 vjeçarja H.A., që jeton në një qytet të Kosovës, dhe e cila mbeti të jetojë me djalin e saj.
 
“Edhe djali sapo i bëri 20 vjet u martua… Mendoja se me nusen e tij në shtëpi do ta kisha më lehtë ta përballoja edhe mallin për vajzën që e kisha në Gjermani”, thotë ajo, por kishte gabuar.
 
Qysh në javën e parë, që i kishte hyrë nusja e djalit në shtëpi, për H.A. kishte filluar ferri. Nëna fatkeqe thotë se derisa djali po punonte ajo po përjetonte tmerrin në shtëpinë e saj, nga fyerjet që po ia bënte reja, derisa një ditë edhe e kishte goditur, shkruan Kosova Sot.
 
Tregon se në mbrëmje, kur i biri ishte kthyer, ia kishte rrëfyer të gjitha. Por nusja e kishte demantuar, duke thënë se po gënjente dhe i biri i saj i kishte besuar gruas së tij, kurse të ëmës i kishte thënë që të mos fliste fare me nusen, por vetëm të rrinte e të heshtte.
 
Gjithçka kishte arritur kulminacionin kur një ditë në prezencë të djalit të saj nusja kishte filluar ta ofendonte.
 
“Unë ia ktheva. Për një çast ajo më shtyu dhe unë ia ktheva dhe godita. Dhe nuk përfundoi me kaq. U çua djali dhe më shtyu, duke i dalë në mbrojtje gruas së tij duke më akuzuar se po ia rrahu gruan. Këtu përfundoi gjithçka. Djali më përzuri nga shtëpia dhe më tha të mos kthehesha më”, rrëfen H.A.
 
Ajo tash jeton te vëllezërit e saj dhe është në pritje që t’i vijë vajza nga Gjermania, që të paktën atë të shoh. Thotë se vajza i ka thënë se do ta marr me vete në Gjermani, por H.A. sërish ka dëshirë të kthehet te djali, pavarësisht nga ajo që ka përjetuar. “E kam djalë dhe jam në gjendja t’ia fali të gjitha”, thotë ajo. /Telegrafi/
Artikulli paraprakRreth 500 familje në muaj aplikojnë për ndihma sociale
Artikulli vijuesShikoni mesazhin ngushëllues të Canës për Mavrajn