8 Marsi, 8 fakte që duhet t’i dini

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Asnjë nuk e kursen një urim apo dhuratë sado të vogël për nënën, motrën apo bashkëshorten e tij, porse nuk janë të paktë ata që nuk dinë shumë rreth kësaj date të shënuar. Duke uruar që vëmendja, dashuria dhe kujdesi ndaj grave të mos jetë prezent vetëm në një ditë por të shtrihet në të gjitha ditët e vitit, po paraqesim tetë fakte që duhet t’i dini lidhur me këtë datë.
 
1. Teksa Dita Ndërkombëtare e Gruas tashmë gjerësisht ka si qëllim të frymëzojë gratë dhe të bëjë që të festohen arritjet e tyre, në gjenezë ajo ishte një fushatë për paga më të mira për to dhe gjithashtu për të fituar të drejtën e mohuar të votës.
 
2. Dita e parë Kombëtare e Gruas është mbajtur me 28 qershor të vitit 1909 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një deklarate të Partisë Socialiste të Amerikës.
 
3. Gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Grave në Punë që u mbajt në Kopenhagë në vitin 1910, liderja e Zyrës së Grave të partisë Social-demokrate të Gjermanisë, Klara Zetkin, sugjeroi idenë e një dite ndërkombëtare të Grave. Ajo propozoi që çdo vit duhet të ketë festime në të gjitha vendet në të njëjtën ditë. Ideja e saj u miratua unanimisht.
 
4. Më 19 mars të vitit 1911 u shënua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Mbi një milion persona morën pjesë në tubimet për të drejtat e grave për të punuar, votuar, për të mbajtur poste publike dhe për të mos u diskriminuar.
 
5. Në prag të Luftës së Parë Botërore (1913), gratë ruse shpallën ditën e grave të dielën e fundit të muajit shkurt. Në vitin 1965, kjo ditë u deklarua pushim zyrtar në Bashkimin Sovjetik.
 
6. Në vitin 1975 Kombet e Bashkuara miratuan zyrtarisht Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe filluan ta sponsorizojnë atë.
 
7. Dita Ndërkombëtare e Gruas filloi të shënohej si një ngjarje tepër e rëndësishme vetëm pas vitit 1977 kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ftoi shtetet anëtare që të shpallnin 8 Marsin si ditën e OKB-së për të Drejtat e Grave dhe Paqen Ndërkombëtare. Lidhja me 8 marsin e vitit 1857, kur gjoja gratë e një fabrike tekstilesh filluan protestat në Nju Jork është e paprovuar dhe fillimisht ka filluar të qarkullojë në rrethet komuniste të Francës. Po sipas gojëdhënave, 8 Marsi ka filluar të shënohet në vitin 1907, në 50 vjetorin e kësaj protestë porse. Porse, studiuesja Temma Kaplan shpjegon se me shumë gjasa këto ngjarje nuk kanë ndodhur fare.
 
8. Dita Ndërkombëtare e Gruas është tashmë pushim zyrtar në Afganistan, Armeni, Azerbajxhan,Bjellorusi, Burkina Faso, Kamboxhia, Kinë (vetëm për gratë), Kubë, Gjeorgji, Guinea-Bissau, Eritrea, Kazakistan, Kirgizistan, Laos, Maqedoni (vetëm për gratë), Madagaskar (vetëm për gratë), Moldavi, Mongoli, Montenegro, Nepal (vetëm për gratë), Rusi, Taxhikistan, Turkmenistan, Uganda, Ukrainë, Uzbekistan, Vietnam dhe Zambia.
Artikulli paraprakGruaja në Islam kundrejt traditës judeo-krishtere
Artikulli vijuesMilionerët e eksportit të Kosovës