Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë janë kapur për fyti nga partitë shqiptare

Analisti Kim Mehmeti tha se shqiptarët e Maqedonisë janë kapur për fyti nga dy partitë kryesore shqiptare të këtij shteti: BDI dhe PDSH.

Këtë deklaratë ai e dha në një debat të organizuar nga Opinioni i Pavarur Studentor dhe Universiteti i Prishtinës në Fakultetin Filozofik, me temën “Roli i Shqiptarëve në Maqedoni”. Sipas tij, këto dy parti nuk duan që qytetarët shqiptarë të Maqedonisë ta kritikojnë qeverinë e tanishme të këtij shteti pasi që, sipas tij, me rënien e kësaj Qeverie do të fundoseshin edhe këto dy parti.
 
“Ne shpesh herë jemi të prirur t’i themi të gjitha të zezat politikanëve sikur të ishim ne të mirë. Sikur të ishim ne aq të mirë, nuk do të mund të ishin edhe ata aq të këqijtë”, tha Mehmeti.
 
Sipas tij, janë këto dy parti që nuk lënë hapësirë për t’u krijuar ndonjë alternativë e re politike shqiptare në këtë vend, e cila do të mund të përfaqësonte interesat shqiptare.
 
“Këta i kanë edhe paratë, kontrollojnë mediet dhe çdo gjë. Shumë lehtë të diskualifikojnë”, tha Mehmeti.
 
Sa i përket skandalit të përgjimeve në Maqedoni, që nxorën në pah edhe qasjen diskriminuese dhe fyese të krerëve kryesorë shtetërorë ndaj shqiptarëve, Mehmeti tha se kjo tregon që Maqedonia është shtet dhunues. Ndërsa, sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë, ai tha se përmes kësaj gjëje ndërkombëtarët iu kanë dhënë mesazh kosovarëve se ata nuk kanë shtet. /KP/
Artikulli paraprakRusët feston: Krimea edhe zyrtarisht në duart e tyre (Video)
Artikulli vijuesDASH: Kosova konfiskoi më shumë marihuanë e kokainë, më pak heroinë