Një avion i tipit Airbus A320 me 150 persona në bord është rrëzuar në jug të Francës.
Avioni i kompanisë Germanwings po fluturonte nga Barcelona në drejtim të Dyseldorfit në Gjermani.
Presidenti francez, Francois Hollande tha se “kushtet e aksidentit, na bëjnë të mendojmë se nuk ka të mbijetuar”.
Hollande tha se aksidenti ishte një tragjedi dhe bëri thirrje për solidaritet me viktimat.
Ai shtois e zona e rrëzimit është shumë e vështirë për të ndërhyrë.
Në avion ishin edhe 16 nxënës gjermanë, të cilit ishin në një ekskursion.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se është e shokuar.
Ajo shtoi se do të udhëtojë drejt vendit ku është rrëzuar avioni.
Një këshilltar lokal në rajonin ku është rrëzuar avioni tha se ai është shpërbërë.
“Pjesa më e madhe është sa një makinë,” tha ai.
Këto janë fotot e para nga avioni i thërrmuar.
Një zyrtar i emergjencës tha se shihen trupa dhe mbetje të avionit të shpërndara kudo.
Avioni kishte lëshuar një sinjal alarmi dhe kishte kërkuar një mundësi për ulje kur ishte në lartësinë 9.7 kilometra.
Por më pas, edhe pse avioni nisi të binte, nuk pati më sinjale.
E gjitha kjo zgjati tetë minuta.
Një dëshmitar që pa rënien e avionit tha se ishte i bindur që avioni nuk do i kalonte dot malet, pasi ishte shumë ulët.
Në zonë janë dërguar rreth 150 zjarrfikës dhe policë.
Në disa media ka spekulime se kjo ngjarje mund të jetë akt terrorist.
Avioni kishte 24 vite në funksion.
Kompania është një degë e gjigandit gjerman, Lufthansa.
Në një deklaratë zyrtare, ata thanë se kjo është një ditë e zezë./MAPO