Padrejtësitë kumbojnë në burgjet e Maqedonisë, Shukri Aliu viktimë!

Një tjetër viktimë e gjykatëses Sofija Laliçiç, protagonistja e bisedave të përgjuara që zë vendin në Gjykatë falë miqësisë me Sasho Mijallkovin, mbahet në tretman të mbyllur në burgun e Prilepit.
 
Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Aliu, i cili vuan masën e dënimit në burgun e Prilepit, për një vepër për të cilin pretendon se është zhvilluar proces gjyqësorë jo drejtë, nuk gjejë përgjigjen e duhur nga organet e drejtësisë.
 
Letrën drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, ish-komandanti i UCK-së,  Shukri Aliu shndërroi në një zë publik, kundër lirisë së mohuar.
 
Avokati i Popullit Ixhet Mehemti shprehet se ka pranuar letrën e të burgosurit, mirëpo ai nuk ka kompetenca të veprojë sipas kërkesës së tij.
 
“E kam pranuar letrën e Shukri Aliut mirëpo aty bëhet fjalë rreth dënimit dhe pafajësisë së tij. Ne aty nuk kemi kompetenca të përzihemi. Ankesat ai dhe avokati i tij duhet t’i drejtojnë në gjykatat përkatëse, sepse Avokati i Popullit nuk është mbi gjykata. Ne mund të reagojmë lidhur me kushtet e burgjeve si  dhe me mënyrën e sjelljes, më shumë ne nuk kemi kompetenca”, tha për Portalb, Mehmeti.
 
Ekstradimi i tij u bë për veprën “dhunë” dhe në kërkesën për ekstradimin e  tij nga Ministria e drejtësisë garantohet gjykim i drejtë.   Gjykata themelore Shkupi 1, shkeli këtë marrëveshje në sytë e ish-Ministrit të drejtësisë Blerim Bexheti, i cili garantoi proces të drejtë juridik dhe Shukri Aliut i caktohet masa e paraburgimit në burgun e Shutkës, për veprën “Dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës” për të cilën isha i shpallur i pafajshëm dy herë më 2005 dhe 2006, nga gjykata e njëjtë.

Letra e dërguar nga Shukri Aliu:

Letër e hapur Ministrit të drejtësisë dhe avokatit të popullit nga burgu i Prilepit nga ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Aliu

Para se ta shkruaj këtë letër të hapur për juve Ministër dhe Avokat i popullit, unë ju kam shkruar juve por fatkeqësisht nga avokati i popullit përgjigjen e kam marr sikur të ishte avokat i MPB-së, kurse prej juve Ministër nuk kam marr fare përgjigje, ndoshta nuk ju arrin letrat e ndoshta nuk i hapni fare ose i hidhni në korpë bërlloku.

Me rëndësi është se nuk kam marr përgjigje një muaj e gjysmë, edhe më herët kam provuar por s’kam pas përgjigje për atë që kam shkruar.

Andaj vendosa t’ju shkruaj një letër të hapur, nëse ju nuk e lexoni se jeni të zënë në shtrimin e “drejtësisë” në burgje sipas koordinatave të shefave tuaj në MPB, ose në selitë partiake, sigurisht se populli do të gjejë kohë të mësojnë nga “drejtësia” juaj.

Mua më 05.12.2012 më ekstraduan nga Kosova në Maqedoni me kërkesë të Ministrisë së drejtësisë së Maqedonisë, me nënshkrim të Blerim Bexhetit dhe garancion nga Ministria e drejtësisë se do të ketë gjykim të drejtë!

Ekstradimi u bë më 05.12.2012 për veprën “dhunë” neni.386 Al-2, siç qëndron në vendimin e gjykatës së qarkut në Prishtinë Nr.657/2012 dhe në vendimin e gjykatës supreme Nr.939/2012.

Në asnjërën nga këto dy vendime nuk qëndron se unë ekstradohem për vepër tjetër.

Me çka nuk i lejohej Maqedonisë të hap lëndë tjetër për të cilën nuk jam ekstraduar nga autoritetet kosovare në bazë të protokollit të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë (Gazeta Zyrtare e R.M Nr.178/2011).

Megjithatë Gjykata themelore Shkupi 1, shkeli këtë marrëveshje në sytë e ish-Ministrit të drejtësisë Blerim Bexheti, i cili garantoi proces të drejtë juridik!

Mua mu përcaktua paraburgim në burgun e Shutkës, për veprën “Dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës”, n.365 Al-2 për të cilën isha i shpallur i pafajshëm dy herë më 2005 dhe 2006, nga gjykata e njëjtë.

Pas prolongimeve të seancave nga ana e gjykatës, Maria Kletniçka Markovska, e cila shihej qartë se priste udhëzimet nga telefonat, madje ka ndodhur të ndërpresë seancën që të flet në telefona! Ajo më 22.04.2013 më dënoi me 10 muaj heqje lirie dhe ma vazhdoi paraburgimin derisa aktvendimi të bëhet i plotfuqishëm dhe dënoi të akuzuarin e parë me 7 vite heqje lirie, të mbrohet në liri! Nga këtu shihet qartë shkelja e drejtësisë, sepse nuk kishte të bëjë gjykimi me drejtësi por realizim i dëshirave të MPB-së, për të mbajtur në çdo mënyrë paraburgim pasi u ishin mbyllur rrugët tjera.

Në vendimin e shpallur konform Nenit 47 të KP-së qëndron “Dënohet Shukri Aliu me burgim të kohëzgjatjes prej 10 muaj, dënim për të cilin konform Nenit 47 të KP-së llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga data 05.12.2012, deri në fillimin e vuajtjes së dënimit, gjegjësisht derisa aktvendimi të bëhet i plotfuqishëm, por më së gjati DERISA TË SKADON KOHËZGJATJA E DËNIMIT TË SHQIPTUAR ME BURGIM”.

Gjykatësja Maria Kletniçka Markovska, për të sjell këtë vendim u desh të rrëzoj dëshmitë dhe ekspertizën e MPB-së, mos ta merr parasysh me të vetmin qëllim që të më mbajë në paraburgim për dëshirat e inspektorëve të MPB-së.

Më 27.09.2013 Gjykatësi Safet Kadriu në Gjykatën e Apelit e abrogoi lëndën dhe lëndën e ktheu në gjykim në gjykatën Shkupi 1, por më vazhdoi paraburgimin dhe shkeli Nenin 47 konform të cilit nuk mund i dënuari të qëndroj në paraburgim më shumë se që është i dënuar në këtë mënyrë vazhdoi gjykata Shkupi 1 të më mbajë në paraburgim!

Në vendimin e fundit me nr444/13 që është marrë më 25.12.2013 ku më është vazhduar paraburgimi, Gjykata themelore Shkupi 1, me kryetaren e këshillit Lubinka Basheska shkruan: “Ky vendim i këshillit është marr në bazë të N.207 AL 2 P.1, nga LPP-ja, sipas të cilës masa e paraburgimit nga ngritja e aktakuzës ndaj të akuzuarit mund të zgjasë më së shumti deri 2 vite, për vepër penale për të cilat mund të ndahet dënim deri në 15 vite burg!”

Unë në paraburgim jam prej 05.12.2015, ndërsa sipas gjykatëses më 25.12.2013 kur ajo merr vendimin, unë ende nuk kam mbushur 1 vit paraburgim! Përveç kësaj vepra ime sipas KP-së dënohet deri më 5 vite e jo 15 vite, (shih Nenin 365 AL.2 të KP-së).

Më 21.01.2014 Gjykata e Apelit ndërpreu për mua paraburgimin dhe më morën në “burgun e Prilepit me tretman të mbyllur, për të mbajtur dënimin e veprës për të cilën isha ekstraduar më 05.12.2012!! I dënuar nga Gjykatësja Sofia Laliçiç e njohur tani për opinionin nga përgjimet se si ishte punësuar dhe kush është shefi i saj.

Procedura e lëndës N.365 Al.2 “dhënie ndihmë…” vazhdoi prej 18.12.2013 për një vit të tërë por asnjëherë nuk përfundoi, vetëm për mos të më dhënë pafajësinë. Seancat të gjitha u prolonguan dhe më 15.10.2014 lënda u parashkrua me vendim të Gjykatëses Marija Kletniçka Markovska dhe ndjekja për këtë akuzë pushoi.

Vendimin, Gjykatësja Marija ma dërgoi vetëm në gjuhën shqipe e që nuk e kishte zakon! Kurse Administratën e burgut të Prilepit nuk e njoftoi asnjëherë!

Nga dënimi për veprën dhunë deri tani kam mbajtur 14 muaj e gjysmë, plus 1 muaj e 24 ditë paraburgim në Kosovë. Vërtetimet që i posedoj unë nuk i kupton burgu sepse janë në gjuhën shqipe dhe janë të Kosovës, e këta nuk i njohin “sepse nuk janë nga Institucionet e Maqedonisë!”

Vendimi i parashkrimit të veprës nuk i dërgohet administratës së burgut! Kurse vendimin që posedojë unë në gjuhën shqipe nuk e kuptojnë!

Unë kam mbajtur 2/6 të dë
nimit, kurse në bazë të ligjit tretmanet më takojnë me 1/6 e mbajtjes së dënimit.

Unë mbahem në burg izolues pa asnjë tretman! Paraburgimi 13-16 ditë më ka mbetur dhuratë nga shefat tuaj në MPB.

Avokati i popullit nuk vëren padrejtësi, kurse ju Ministër nuk përgjigjeni ose nuk keni “pushtet” ose ende nuk keni dëgjuar?

Vallë ai i burgosur që ankohet deri te ju mos duhet të shkruaj sllavisht, ose emër sllav të ketë, ose librezën e partisë suaj, që ju të ndërmerrni diçka.

Shukri Aliu

1

2

3

Artikulli paraprak50% e nxënësve në Maqedoni janë shqiptarë
Artikulli vijuesGoogle ju ndihmon për të gjetur telefonin tuaj