MASHT: Nesër, të gjithë në shkollë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër (e hënë, 20 prill), do të vazhdojë procesi i rregullt mësimor sipas kalendarit shkollor, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rikujton të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, që kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në mbajtjen e Testit të Arritshmërisë, si dhe Provimit Shtetëror të Maturës, rezultatet e të cilave janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e shkollimit të lartë.
 
“Për protesta ka kohë edhe më vonë, kur nxënësit përfundojnë mësimin, madje deri në shtator, kur mund të bisedohet e të gjenden zgjidhje të pajtueshme për kërkesat. Secila ditë e humbur është e pakompenzueshme për nxënësit dhe në secilin vend, në këtë kohë organizohen kurse, vullnetare, falas, për t’i përgatitur ata të dalin më rezultate sa më të mira në teste e provime. Rezultatet e tyre janë edhe rezultate të mësuesve”, thuhet në një kumtesë të MASHT-it.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në të kaluarën ka ngritur pagat e mësimdhënësve dhe ka punuar shumë në përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënëseve. Duke vlerësuar lartë kontributin dhe punën e çmueshme të mësimdhënësve tanë, do të vazhdojmë përpjekjet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve, krahas ngritjes së cilësisë dhe rezultateve të mira në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/
Artikulli paraprakSerwer: Evropa ka qasje raciste ndaj shqiptarëve
Artikulli vijuesHedhet poshtë aktakuza për terrorizëm ndaj katër të arrestuarve