Jankullovska nuk kërkon falje për ofendimet ndaj shqiptarëve

Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska bën fajtore LSDM-në për bisedat e publikuara nga opozita, pavarësisht se në telefonatat e përgjuara ajo dëgjohet të ofendojë zyrtarët shqiptarë si “indianë dhe fis i egër”.
Jankullovska thotë se marrëdhëniet me BDI-në janë në nivelin më të lartë dhe se mes partnerëve qeveritarë ka respekt të dyanshëm.
 
“Opozita thotë shumë gjëra, megjithatë faktet dëshmojnë se ato nuk janë të sakta. Marrëdhëniet tona në Qeveri, në institucione janë në nivel të lartë profesional me respekt të ndërsjellë”, u shpreh Jankullovska.
 
Në insistimin e televizionit Alsat të mësojë nëse nga BDI-ja ka pasur ndonjë lloj reagimi, Jankullovska ironizoi duke pyetur nëse reagimi duhet të na ishte drejtuar pozitës apo opozitës, e cila ka publikuar bombën.
 
A ka pasur ndonjë reagim nga BDI-ja për fjalët që janë përdorur në ato biseda, si indianë…?
 
“Mendoni, reagim dërguar juve?”, pyeti Jankullovska.
 
Jo, ndaj jush. Opozita ju akuzoi se ju i keni quajtur indianë ata të BDI-së.
 
“Duhet t’i pyesni atë që bëjnë këto akuza, jo mua”, u përgjigj shkurt Jankullovska.
 
Në bisedën e shpalosur pak ditë më parë nga LSDM-ja, Jankullovska dëgjohej t’i referohej disa herë shqiptarëve si “indianë dhe fis i egër”.
 
Sipas telefonatave të shpalosura nga LSDM-ja, kjo nuk është hera e parë që Jankullovska dëgjohet të ofendojë rëndë komunitetet, jo vetëm atë shqiptar por edhe rom.
Artikulli paraprakShitet numri i telefonit për dy milionë dollarë!
Artikulli vijuesSulm i armatosur ndaj stacionit të policisë në Zvornik të BeH: Vritet një polic dhe sulmuesi