Lëvizja BESA: Akti në Kriva Pallankë i motivuar politikisht për përfitime partiake

Pas protestës së djeshme në Kriva Pallankë dhe demolimit të xhamisë ka reaguar dhe Lëvizja Besa duke thënë që ata janë kundër çdo akti të dhunshëm në parim e aq më tepër kur me akte të tilla dhunohen liritë dhe të drejtat njerëzore, ndër të cilat është edhe liria e praktikimit dhe e shprehjes së besimit.

“Është tejet tendencioze që në një qytezë gati plotësisht njëetnike maqedonas dhe kryesisht monofetare ortodoks, të ngrihesh e të protestosh kundër islamizimit të këtij vendi, sepse do ndërtoheshka ndonjë faltore e një feje tjetër, në këtë rast myslimane. Parashtrohet pyetja: cili njeri i logjikshëm dhe racional do të besonte se po islaimizoheshka Kriva Pallanka nëse aty do ndërtohet një xhami e vogël? Krejt kjo na kujton se koha e inkuizicionit akoma nuk paska përfunduar dhe se inkuizitorët po veprojnë ende. Këtu nuk mund të mos shfaqim brengën tonë të thellë se kësaj i ka ndihmuar dhe e ka ushqyer me islamofobi edhe ekstremizmi ortodoks që e ka prodhuar kjo qeveri, në të cilën detyrimisht hisen e saj e ka partia shqipfolëse BDI, që sillet krejt indiferente ndaj këtyre veprimeve antiqytetëruese dhe antinjerëzore. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjendet vendi, pas të gjitha krizave dhe trazirave, dhe kur kemi një marrëveshje e cila po orvatet ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, nuk mund të mos mendojmë se incidentet e tipit të protestës së djeshme në “Pallankën e shtrembër” të jenë bërë spontanisht dhe pa interferenca politike. Këta njerëz që sot qeverisin me shtetin janë të gatshëm të bëjnë pakt edhe me djallin për ta shpëtuar veten e jo më të nxisin incidente ndërfetare e ndëretnike. Prej këtyre njerëzve pritet gjithçka, andaj indikacionet tona flasin se nxitja për një akt të tillë ka qenë e motivuar politikisht për përfitime partiake dhe grupore. Një akt si ai i djeshmi nuk i shkon në favor as paqes dhe as harmonisë ndërfetare e ndëretnike, andaj ne e dënojmë çdo akt të tillë dhe kërkojmë që të ndërpritet çdo tentativë për destabilizim të vendit dhe për nxitje të urrejtjes ndërfetare e ndëretnike”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Artikulli paraprakAngli – Burg shqiptarëve që trafikonin drogë
Artikulli vijues“Monstra” merret në konsideratë edhe nga autoritet zvicrane!